Limaj: S'ka më prodhime të Serbisë me emërtime "Kosovë e Metohi” - Bota Sot
Limaj: S'ka më prodhime të Serbisë me emërtime "Kosovë e Metohi”

Prizreni

Limaj: S'ka më prodhime të Serbisë me emërtime "Kosovë e Metohi”

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 19:03
Fatmir Limaj ka vazhduar turin e takimeve me të rinjtë e Nismës

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka vazhduar turin e takimeve me të rinjtë e Nismës. Limaj të premten në mbrëmje ka takuar të rinjtë e Nismës në Prizren, ku ka thënë se beson shumë në potencialin që ka rinia e Prizrenit dhe partia të cilën ai e drejton është e interesuar për të fuqizuar rininë.

“Ne sot përmes shpalosjes të atyre dy zotimeve tona, dëshirojmë të kërkojmë ndihmën tuaj që më punë të mira bashkë të mobilizohemi për ta ndryshuar gjendjen në vendin tonë. Vendit më shumë se kurrë i duhet aktivizimi i përbashkët. Vendi po izolohet dhe kontestohet nga të gjitha anët. Kjo situatë duhet të na shërbejë për mobilizim dhe këmbëngulje për ta bërë shtetin tonë”, ka thënë Limaj në Prizren.

Kryetari i Nismës ka thënë se rinia e paraluftës nuk ka pasur ëndrra siç ka rinia e sotme. Ëndrra e vetme sipas tij, ka qenë liria e Kosovës. “Ajo që ne po duam si Nismë është më pas një ëndërr të përbashkët dhe ne po bëjmë thirrje rinisë së Kosovës dhe si parti do të mbështesim që përmes kësaj rinie të çoheni në këmbë dhe ta ndërtojmë një ëndërr të përbashkët atë të shtetndërtimit”, ka shtuar Limaj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës iu ka thënë të rinjve se jashtë vendit askush nuk i pret me lule dhe se liria e Kosovës nuk ka kuptim nëse të rinjtë ikin nga vendi. “Jo më u largu nga Kosova, hajde ta bëjmë Kosovën bashkë. Ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Sot kemi ardhur të ju themi të rinjve që nuk u shkon fakulteti të marrin zanate të drejtohen drejt Qendrave të Aftësimit Profesional, shteti do të ju mbështes në punësim. Nuk ka punë me marrë, më mirë është të punojmë se sa të qëndrojmë kot. Mos e humbni rininë tuaj. Mos e çoni kohën kot, më mirë lexoni. Ju lus djem e vajza, mos rrini kot. Nëse nuk ju pëlqen pushtetin ndryshoni, por shtetin mos e shani. Kosova ka potencial dhe resurse jo për këta banore, por dyfishin me i mbajte nëse punojmë. Nëse ngritët në këmbe rinia e Kosovës jam i bindur që për pesë vite, Kosova do të jetë vendi më i zhvilluar në rajon”, ka theksuar Limaj.

Ai ka thënë se fjalimi i tij me të rinjtë nuk është politikë, por prindëror e qytetarë.

Limaj ka folur edhe për vendosjen e taksës së Qeverisë prej 100 % për produktet serbe. Këto masa, sipas tij, janë për t’i shërbyer ekonomisë së Prizren dhe Kosovës. Ai iu ka bëre apel zejtarëve dhe ekonomisë së Prizrenit që të mos luajnë më çmime. Shteti, sipas tij, nuk do t’i lejoje të spekulojnë.

“Ne po bëjmë lufte me mbrojte interesat e shtetit. Apeli im është bashkë. Shteti numër një pastaj, interesat e tyre. Kjo është mbi të gjitha për dinjitetin e shtetit të Kosovës. 24 orë Serbia angazhohet në rrënimin e shtetit të Kosovës dhe vjen këtu bën biznes kjo nuk do të lejohet. Është momenti i fundit me u sjellë si shtet. S’ka ma prodhime të Serbisë në vend ‘Kosovë e Metohi’, ‘Prishtina’, ‘rezoluta 1244’ dhe emërtime tjera. Ka marrë fund ajo kohë. Kosova ka emër, pikë. Besoni në prodhime vendore. Besoni në shtetin tuaj”, ka përfunduar Limaj. 

Albert Maxhuni kryetar i rinisë së Nismës ka thënë se deri më tash roli i rinisë ka qenë i nëpërkëmbur, por Nisma, sipas tij, i jep hapësire të madhe rinisë. Maxhuni ka thënë se Nisma është parti në funksion të rinisë. Ai ka kërkuar nga të rinjtë të jenë aktiv dhe të marrin iniciativa në funksion të përmirësimit të gjendjes në Prizre n. Ai ka ftuar të rinjtë të orientohen në zanate dhe të drejtohen drejt Qendrave të Aftësimit Profesional si dhe të aplikojnë në fondin e Vetëpunësimit me idetë dhe planet e tyre inovative./

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test