Vihen gurthemelet e Shkollës së Muzikës dhe të çerdhes në Prizren

Prizreni

Vihen gurthemelet e Shkollës së Muzikës dhe të çerdhes në Prizren

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 15:55
Mahir Yagcilar, vuri gurin themeltar të ndërtesës së Shkollës së Mesme të Muzikës dhe të Çerdhes

Ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar, vuri gurin themeltar të ndërtesës së Shkollës së Mesme të Muzikës dhe të Çerdhes së fëmijëve në qytetin e Prizrenit.

Në fjalën e rastit, Yagcilar, duke iu drejtuar të pranishmëve, theksoi se, në Komunën e Prizrenit po vihen gurthemelet e dy ndërtesave të rëndësishme shkollore, ndërtesës së Shkollës së Mesme të Muzikës dhe të çerdhes së fëmijëve, që përbëjnë një ndihmesë të madhe për arsimin e kësaj komuna dhe të komunave për rreth.

“Këto projekte kapitale të arsimit do t’i menaxhojë e financojë Ministria e Administratës Publike nga buxheti i saj”, tha Yagcilar.

Bëhet fjalë për ndërtesën e Shkollës së Muzikës, me një sipërfaqe 6158.52 metra katrorë, ndërtimi i së cilës do të kushtojë 1,847.264.45 euro. Për ndërtimin e kësaj ndërtese është angazhuar operatori ekonomik “Standard Plus” nga Malisheva dhe “ISARS” nga Prishtina.

Ndërsa, për ndërtimin e çerdhes, me sipërfaqe 2000 metra katrorë, janë paraparë 727,272.72 euro. Punimet do t’i kryejë operatori ekonomik “NNP.CONSTRUMAX” dhe “NNP.EBK” nga Suhareka.

“Të dy ndërtesat duhet të jenë të gatshme për përdorim brenda 36, përkatësisht 37 muajsh”, tha ministri, duke shtuar se këto ndërtesa do të krijojnë kushte të mira për punë cilësore në arsimimin e gjeneratave të reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat