Kurani jep kuptimin e jetës

Religjion

Kurani jep kuptimin e jetës

Rexhep Torte Nga Rexhep Torte Më 18 shkurt 2019 Në ora: 13:54
Kurani

-Lexuesit dhe besimtarët shqiptarë kanë në duar shqipërimin më të plotë, më të kuptueshëm  gjer më sot të Kuranit. Kemi të bëjmë më një kryevepër filologjike të klasit të parë të shqipes, që fuqizon, lehtëson, konkretizon komunikimin e mesazhit  të Allahut te shqiptarët si te të gjithë popujt e tjerë-

Doli nga shtypi edicioni  i 14-të  i Kuranit botuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. Ky botim u realizua me kontributin e Ministrisë së Vakëfeve dhe Çështjeve Islame në shtetin e Kuvajtit, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Fetare ,,Udha e Besimtarëve”- Tiranë, Shqipëri. I shtypur në shtypshkronjën “Mileniumi i ri”.  

Për përgatitjen e këtij libri të shenjtë u angazhua Këshilli botues i përbërë nga Dr.Ramiz Zekaj kryetar, dhe anëtarët Prof. dr.Shefik Osmani, Prof. as.dr.Arian Kadiu, Prof. dr.Hysni Myziri, Esat Miftari, Bedri Telegrafi, Alban Kodra, Eris Koliqi, Bledar Komina, Eduart Thartori.

Në hyrjen dhe fjalën e botuesit thuhet se Kurani është Libri i fundit që erdhi nga Zoti nëpërmes Profetit Muhamed, i cili ishte ndërlidhës që kumtonte atë që dëgjonte nga meleku Xhebrail. Përmbajtja e Kuranit është e veçantë për nga struktura, e pakrahasueshme për nga mënyra si janë të sistemuara fjalët nga brendia e të cilave gufon melodia nga struktura e vetë fjalëve. Kur fillojmë të mendojmë t’i shqyrtojmë dhe ti analizojmë fjalët e tij, na shfaqen thesaret e domethënieve, njohurive dhe mendimeve për të cilat nevojiten vëllime të tëra për ti shpjeguar.Lexuesi mbetet i mahnitur nga mendimi Kuranor, që gjithnjë synon drejt monoteizmit absolut. Kurani është një Libër Hyjnor ku shpirti fluturon nga te dojë brenda hapësirës të tij, nga filosofia tek e drejta juridike, nga normat fetare tek ato civile, nga rregullat e përditshmërisë tek kronikat historike të njerëzimit, madje edhe tek etapat e zhvillimit të embrionit në mitrën  e nënës. Kurani që prej 14 shekujve i ka ofruar dhe i ka dhënë gjithnjë njerëzimit arritjet skajore të mendimit teologjik e shkencor dhe ka çuar drejt fakteve të pakontestueshme. Kjo krijon ndjesinë dhe plotëson bindjen se Kurani ka ardhur për të thënë fjalën e fundit për çdo gjë.

Kurani nuk mjaftohet me një popull të caktuar, përkundrazi i drejtohet tërë njerëzimit. Ai ka një lidhje direkte me gjuhën klasike arabe, përkthimi i tij në gjuhën tjetër bëhët i vështirë dhe më mirë është të flitet për një përkthim interpretues të tij. Botimi kryesisht mbështetet në përkthimin e kryer nga Prof.Hasan I. Nahit në Kosovë, por përkthimi i tij është përmirësuar nga ana gjuhësore dhe stili e paraqitja. Ky është botim i ri dhe i plotë i Kuranit bashkë me kuptimet e tij në gjuhën shqipe. Ky botim u përgjigjet më së miri standarteve filologjike në nivele të kënaqshme.Kur lexohet përkthimi i tij në gjuhën shqipe, mendja fillon të shqyrtojë, analizojë dhe zbulojë gjëra të reja duke arritur te bindja më e madhe, sepse kështu e ka lumturuar Allahu që krijoi gjuhën dhe që i din fshehtësitë e saj. Ndërmjetësia për të shpjeguar fjalën e Zotit është e vështirë dhe kërkon cilësi intelektuale nga më të lartat, për të kuptuar shpirtërisht dhe fizikisht mesazhin hyjnor. Lexuesit dhe besimtarët shqiptarë kanë në duar shqipërimin më të plotë, më të kuptueshëm gjer më sot të Kuranit. Kemi të bëjmë me një kryevepër filologjike të klasit të parë të shqipes, që fuqizon, lehtëson, konkretizon komunikimin e mesazhit të Allahut te shqiptarët si te të gjithë popujt e tjerë.

Kurani - Libri i Shenjtë i zbriti profetit të fundit, Hazretit Muhamed me qëllimin madhor për t’ua kumtuar tërë njerëzve pa përjashtim. Kurani nuk është shpallur në formën e një çasti më momental, por në formë të një procesi unikal të pa shembullt që ka zbritur brenda 23 viteve. Sipas Kuranit Allahu është Zot i vetëm i gjithëfuqishëm, absolut, i mirë dhe i drejtë, i mëshirshëm, që e ka krijuar gjithësinë dhe njeriun e ka pajisur me mendje për ta dalluar të vërtetën nga gënjeshtra,të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta, autentiken nga e rrema. Kurani u drejtohet të gjithëvë pa kufizim, si besimtarit të thjeshtë, ashtu edhe dijetarit erudit, të tëra nivelet kuptimore konvertohen dhe shkrihen në një. Kurani për shkak të frymës dhe porosive hyjnore në thelb u drejtohet tërë popujve, kulturave, qytetërimeve, që përmbledh frymën e të gjitha feve monoteiste për arsye të njëshmërisë së patjetërsueshme të Allahut të Madh dhe të profetëve pararendës gjer te profeti Muhamed. Ky dimension gjeografik dhe kohor, sa hynor aq edhe njerëzor i Kuranit, vjen në gjuhën shqipe për tu bërë pronë e çdo lexuesi të etur për të kuptuar dhe ndier Fjalën e Zotit, thuhet në parathënien dhe fjalën e botuesit të këti Libri të Shenjtë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat