Itali, myslimanët i dedikojnë festen e mbylljes së Ramazanit Papa Françeskut

Religjion

Itali, myslimanët i dedikojnë festen e mbylljes së Ramazanit Papa Françeskut

Më: 9 qershor 2019 Në ora: 10:08
Itali

Moment historik për besimtarët myslimanë në Itali. Mbi 1000 organizata të komuniteteve të huaja, qendra kulturore, xhami, shoqata myslimane në Itali ia kanë dedikuar Papa Franceskut 3 ditët e festës së mbylljes së muajit të shenjtë të Ramazanit, duke e konsideruar personalitetin simbol të dialogut botëror ndërfetar pa kufi.

Kjo iniciativë e nivelit të lartë u promovua nga Kryetari i organizatës së mjekëve të huaj në Itali, Dr. Foad Aodi, në të cilët aderojnë dhe mjaft mjekë shqiptarë, si dhe u përkrah nga përfaqësuesit rajonalë, provincialë e bashkiakë të komunitetit myslimanë në Itali.

Përkrahja e gjerë e kësaj iniciative konfirmon rolin e Atit të Shenjtë në rrugën e dialogut ndërfetar, solidaritetit e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Dedikimi i një feste kaq të rëndësishme për myslimanët, kreut të Katolicizmit Botëror është shembull i hedhjes së hapave kurajozë në paqen e bashkëjetesën mes besimeve te ndryshme fetare në Itali.

Gjatë udhëtimeve të tij apostolike Papa Françesku ka udhëtuar dhe në tokën arabe e ka vizituar xhami e lutjet e tij kanë qenë terapia më e mirë kundër frikës, diskriminimit fetar e paragjykimeve.

“Me këtë iniciativë,”-thotë kryetari i mjekëve të huaj në Itali, Foad Aodi, “shprehim mbështetjen tonë ndaj Papa Françeskut e reformizmit të tij fetar”.

Aktualisht në Itali jetojnë 2.6 milionë myslimanë, baraz me 4.3 % të popullsisë. 56% e tyre janë me kombësi të huaj e 44 %: italianë.

Në Itali jetojnë dhe rreth 201 mijë myslimanë shqiptarë e në Romë është ndërtuar një nga xhamitë më të mëdha të Europës.Sipas të dhënave të shoqatave e organizatave myslimane në Itali, gjatë vitit të fundit është shënuar një rritje me 30% e rasteve të diskriminimit ndaj personave të besimit myslimanë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat