Një takim i rëndësishëm i prijësve fetarë nga Kosova e Lugina

Religjion

Një takim i rëndësishëm i prijësve fetarë nga Kosova e Lugina

Nga: Sevdail Hyseni Më: 2 gusht 2019 Në ora: 21:09
Dom Lush Gjergji dhe Nexhmedin Saqipi

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, gjatë përurimit të librit monografik “Hevzi Nuhiut”, të autorit italian Giulio Palangës, kushtuar mjeshtrit të skulpturës me renome botërore nga Presheva, u bashkuan dy liderët fetarë: Dom Lush Gjergj, prift katolik shqiptar i ipeshkëvisë së Kosovës dhe Nexhmedin Saqipi, Myftiu i Luginës së Preshevës, njëherit edhe zëvendës Reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi.

Pas përfundimit të përurimit të këtij libri monografik, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, të dy klerikët fetarë katoliko-myslimanë, biseduan për shumë tema të rëndësishme jo vetëm në sferën e veprimtarive fetare, por edhe në fusha të tjera të veprimtarisë njerëzore.

Dom Gjergji dhe Myftiu Saqipi, gjatë bisedave të këndshme dhe shumë miqësore u dakorduan se shoqëria jonë duhet të lirohet nga defektet e shumta negative, në favor të paqes, stabilitetit, fqinjësisë së mirë, tolerancës ndërfetare e ndërnjerëzore, për një të ardhme të lumtur e me perspektivë, pa dallime fetare, politike e konfesionale.

“Uroj që shoqërinë civile dhe institucionet shtetërore, ndërkombëtare dhe të gjithë ata që kanë përgjegjësi në drejtimin e të ardhmes sonë, se Zoti i gjithëpushtetshëm t’i ndihmojë t’i kryejnë më ndërgjegje detyrat dhe të jenë të aftë të vënë interesat tona të përbashkëta mbi çdo lloji interesi tjetër”, ka thënë shpeshherë Dom Lush Gjergj.

P o këtij mendimi është edhe Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmein ef. Saqipi, i cili duke folur për krizën e vetëdijes shoqërore, nuk e lë pa përmendur paqen dhe tolerancën si esencë kryesore dhe universal të besimit Islam.

“Kjo është diçka e madhërishme që i edukon njerëzit e besimeve të ndryshme , për të reflektuar mirësi dhe pozitivitet, që nguliten për së mbari të njeriu dhe shoqëria jonë”, u shpreh Myftiu Saqipi.

Të dy prijësit fetarë të dekoruar me medalje: Dom Lush Gjergj Myftiu Nexhmedin Saqipi, u ndanë për tu takuar sërish në Kosovë dhe Luginë të Preshevës, për të kontribuar si veprimtarë të kauzës fetare dhe kombëtare, për paqe, stabilitet, tolerancë dhe bashkëjetesë mes popujve të besimeve të ndryshme në këto hapësira ballkanike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat