Mirdita, tempulli ku gjeti strehë katolicizmi - Bota Sot
Mirdita, tempulli ku gjeti strehë katolicizmi

Religjion

Mirdita, tempulli ku gjeti strehë katolicizmi

Nga: Gjon Marku Më: 17 janar 2020 Në ora: 21:43
Gjon Marku

Mirdita, me të djeshmen e saj sidomos, me atë çka fsheh brenda thelbit të vet etnokulturor, për pozitën që ka patur në rrjedhat e historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare, është bërë objekt hulumtimi i studiuesve të huaj e të vendit, që prej mesit të shekullit XIX, si Hahn, Hekuard, Galandi, Durham, Nopça, Baldaçi, De Grand, Bue, Margraf, Kasanin, Ivanovna, Desniskaja etj. Studiuesi A. Bue, që i eksploroj viset shqiptare e ballkanike më 1836, 1837,1839, thekson se Mirdita është krahina më e madhe e më e lirë shqiptare e që asnjëherë nuk i ka paguar taksa administratës osmane. E. Spenser (1850) shkruan: “

Është mirë të vizitosh tributë indipendente të Mirditës në fortifikatat e tyre malore, ku këmba e osmanëve kurrë nuk mundur të shkelë. Aty vërejmë institucionet fetare që ekzistonin që nga koha e Skëndërbeut e që janë të ngjashme me ato që gjendeshin në Skotlandën e kohës së mesme ” (Travels in European Turkey in 1859, vëll., Londdon 1851, v.II , f .108. J G von Hahn (1853) e bën të qartë se: “ Në veri të Shqipërisë jeton klani luftarak i mirditasve në një kompaktasi të çuditëshme ”. A. Mur (1908) duke shkruar me shumë dashamirësi për këtë krahinë shton: “ Mirdita është një botë aq e quditëshme në Europë saqë meriton të studiohet me kujdes… ; është krejt indipendente dhe e ka mbajtur këtë mëvetësi shekuj me rradhë. Po të më dëgjohej fjala, me gëzim do të flisja mirë për këta bij të Shqipes ”. Ndërkohë në shekullin XX janë të shumtë autorët vendas, që kanë gjurmuar e botuar materiale të larmishme të karakterit gjuhësor, folklorik, etnografik, të së drejtës dokësore, përfshi dhe zbulimet e shumta arkeologjike.

Cilësuar ndonjëherë si “… ma e zgjedhuna pjesë e Shqipnis ” 1 , siç shkruhej në shtypin i viteve 30. Janë nga më të vlefshmet krahasimet, përcaktimet dhe thëniet për Mirditën dhe mirditasit nga koha në kohë e nga njerëz të shquar. Kjo trevë, që e mbrujti qëndresën ndër shekuj, afro njëqind vjet më parë, nga rilindasi Risto Siliqi është thirrur: “Trimëresh e dheut / I Arbënis fis i kryekreut” 2 apo nga historiani i njohur Zef Mirdita si “shtyllë e katolicizmit dhe mbrojtëse të identitetit kombëtar” Treva e brengave dhe dramave të mëdha njerëzore, e fateve të hidhura, përgjakjeve, trilleve por asnjëherë e dilemave tronditëse për tjetërsim të Trojeve, Vetëqënësisë, Kanunit, Fesë Katolike.

Mirdita është emri i krahinës më të madhe në Shqipëri, për të cilën flitet e shkruhet me respekt nga dijetarë e diplomatë, udhëpërshkrues e politikanë. Trevë ku gjendet një histori më vete, një menyrë e të jetuarit ndryshe, ku gjenden kode dhe zakone të papërsëritëshme. Trualli për të cilin, siç pohon Dr. Aurel Plasari, „ Në historinë e Shqipërisë, me Fuqitë e Mëdha perendimore, kemi periudha të tëra ku emri Mirditë është shumë më i përmendur se emri Shqipëri“. Por ndwr shekuj Mirdita wshtw e mund tw cilwsohet si: “kështjella ku ka gjetur strehë katolicizmi”

Kur Papa Gjon Pali vizitonte Otranton

-Papa Gjon Pali i II-të në Otranto, vendi ku u masakruan 800 martirë nga renegati shqiptar Xhedik Ahmet Pasha në vitin 1480-

Por, ajo në të cilen do të ndalemi veçmas është raporti i vendit tonë me Papatin e në mënyrë të veçantë me Papa Gjon Palin e II, i cili hyri në historinë e njerzimit si një reformator i madh dhe si një njeri me kontribut të pazakontë për kishën dhe paqen. Papa, i cili ka një raport të veçantë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Qysh në fillim të Papënisë së vet, gjatë një vizite në Otranto Gjon Pali II kujton për herë të parë me një fjalim të tij Shqipërinë. Kjo ndodhte në Otranto, në vendin e 800 martirëve të vrarë e mbytur në thellësin e detit më 1480 me urdhnin e një renegati shqiptar, Xhedik Ahmet Pashës, admiral në flotën e Mehmetit II. Gjatë vizitës këtu ai do të theksonte; «Me ditën e sotme nuk mund të rrijmë pa i sjellë sytë, përtej detit, te Kisha jo e largët heroike në Shqipni, e shkatrrueme prej nji përndjekjeje të randë e të zgjatun, por e pasurueme prej dishmisë së martirëve të vet: Ipeshkvij, Meshtarë, Rregulltarë e besimtarë të thjeshtë.

Përveç këtyne, mendimi i im shkon edhe të vëllezrit e tjerë të krishtenë dhe te të gjithë besimtarët në Zotin të cilët pësojnë nji fat të gjashëm mungesash në atë Komb ».Vizitën në Otranto Ati i Shenjtë do ta kujtonte edhe në fjalën, që mbajti kur zbriti prej avionit në aeroportin e Tiranës me 25 prill 1993. 3 Papa Gjon Pali i II në takimin me të parin Ambasador të Shqipërisë në Vatikan, por dhe gjatë vizitës në Shqipëri do të kujtonte dhe do të theksonte edhe forcën me të cilën Arbënorët mbrojtën identitetin e tyne, që përmblidhej në nji figurë madhore si kishte qenë Gjergj Kastrioti-Skanderbeu, ai “Athleta Christi” « i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e popullit shqiptar ». 2 Gjon Pali i II e kishte përjetur dhe ndjekur me vemendje mbylljen e kishave në teritoret Shqiptare, por sipas tij, ndihma që Shpirti i Shenjtë i siguron kurdoherë Kishës së Krishtit, bën që kjo të kapërcejë gjithfarëlloj vështirësish, të cilat njeriu i vetëm nuk mund t'i kapërcejë kurrsesi pa u mujtë, duke i dhanë njikohësisht dritën e forcën për të cilën ka nevojë gjatë udhës së vet historike, të kryeme në errësinë e në pasigurí. 4Në ketë frymë Ati i Shenjtë vjen në Shqipní në 25 Prillin e 1993- shit.

Udhëtimin në Shqipni e paraprin nji vizitë, të cilën e sheh të domosdoshme, sepse kishte të bante me traditën e lashtë të lidhjeve të popullit shqiptar me Zojën e Këshillit të Mirë, ose Zojën e Shkodrës, Pajtore e Shqipnisë. Me 1467 figurja e Zojës, e shoqnueme prej dy shtegtarësh shkodranë, kishte kapërcyer detin dhe zanë vend në Gjenacan, duke u bër ky qytet i vogël, në ketë mënyrë, ndër shekuj, simbol i divocionit të shkodranëve. 5 Papa në vizitën që bani, në mbasditën e s'enjtes, me 22 prill, në Shenjtënoren e Zojës në Gjenacan, duke folur për arsyet që e shtynte shkonte aty, shprehet « Kam ardhë te kambët e Zojës së Këshillit të Mirë të thërras, së bashku me ju, mbrojtjen amënore të Mërisë për udhëtimin apostolik që, nëse Zotit do t' i pëlqejë, do ta baj të dielën e ardhshme. ...Do të shkoj në Shqipni, Vend që ka pësue vite të gjata shtypjeje dhe përndjekjeje të vërtetë fetare ». 6 Papa Gjon Pali i II-të do të ulej në gjunjë të puthte tokën shqiptare për ta bekuar për të parën herë një Papë zyrtarisht duke qënë prezent ai do të shihte demokracinë si një vlerë të madhe: « sekreti i një demokracie, realizimi i saj, qendrimi i saj, nuk mbështeten vetëm te funksionimi i mirë i strukturave dhe i rregullave, por në vlerat e mëdha që do të jenë themeli e shpirti i saj. Shqipnia, që ka vuejtur peshën e nji diktature mbytëse, është e thirrun që të ndërtojë të ardhmen e vet duke vlerësuar edhe disa përvojë jo përherë nxitëse të botës, të ashtuquajtun të lirë e demokratike ».

Në fjalën e tij nuk ka me harrue as praninë e vet, para 13 vjetëve, në Otranto për të kujtuar mbas pesë shekujsh martirët e për tu shprehur në lidhje me kuptimin që kanë këta për vetë Kishën. Dhe, n'atë vizitë, kur spjegon kuptimin e martirit sigurisht që mendja e tij shkon te martirët e rij të Kishës shqiptare. « Na quejmë si martirë ata të krishtenë që, për të gjatë historisë, kanë pësue vuejtje, shpesh të tmershme, për mizorinë e tyne.... Edhe Krishti ka qenë dënue me vdekje në dukje për ketë arsye: sepse pohonte se ishte mbret. Të mos harrojmë, prandej, martirët e kohëve tona. Të mos sillemi sikurse ata të mos ishin. Të falënderojmë Hyjin që ata e kanë kapërcye fitimtarë sprovën ».

Papa i cilëson vitet e regjimit ateist si:« Vite të një mundimi të vërtetë, pasojat e të cilit, koha me vështirësi do të arrijë t' i fshijë dhe që, sidoqoftë, Europa dhe mbarë bota nuk duhet t' i harrojnë». 13 Papa nuk heziton të kërkoj prej Europës që të mos harrojë: «Drama juej, shqiptarë të dashun, zgjon interesimin e krejt Kontinentit evropian dhe ështtë e domosdoshme që Europa të mos harrojë. Kjo, në fakt, duket se âsht prirja sot: të kthehet fleta shpejt, tue harrue atê që ka qenë, për me shikue përpara ».

 Por nuk len, megjithatê asnji rasë në fjalimet e mbajtuna gjatë vizitës së tij në Shqipni pa e theksue këtë anë pozitive të bashkësive fetare shqiptare. Vizita e Atit të Shenjtë, Papës Gjon Palit i II, ka qenë nji gur i ri themeli për Kishën në Shqipni, nji rasë e randësishme dhe e veçantë për bashkësinë katolike, mbas travajëve që kaloi në gjysëshekullin e pushtimit komunist. Tue pasë qenë ky i fundit nji vijim i gati pesë shekujve të pushtimit turk. E pra Papa do të vërë në dukje se: « Kisha heroike në Shqipni, e tronditun nga përndjekja e ashpër dhe e zgjatun, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj... ka ndarë së bashku deri në fund dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtë gjallë, edhe nëpërmjet flijimit personal të shumë gjymtyrëve të saja, traditën shumë të lashtë të krishtenë, me bindjen se ajo paraqet një vlerë të identitetit autentik shqiptar, prej së cilës nuk mund të hiqet dorë ».

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat