Religjioni - Bota Sot
Religjioni

Religjion

Religjioni

Nga: Lis Bukuroca Më: 14 prill 2020 Në ora: 16:28
Lis Bukuroca

Perëndia ose perënditë janë dukuri shumë komplekse,tejet të vështira për t’u marrë me mend, dhe me atë zot ose me ato perëndi, nuk mund të merren klerikët, por vetëm shkencëtarët. Ata do të mund të shpjegonin atë fenomen eventualedhe pastaj filozofët do të kishin arsyetuar ekzistencën eventualetë perëndisë, apo perëndive, tok me ta, edhe kuptimin e jetës, si dhe motivin pse ne jemi këtu ku jemi sot!

Unë nuk di pse ekzistojmë, por di se nuk ka zot që vështron njeriun dhe shkruan mëkatet në defter. Kina, India, Japonia dhe krejt Lindja e Largët, do t‘i kishin mbushur të gjitha fletoret!

Një njeri nuk mund të bëhet i pafe pa lejen dhe dëshirën e zotit!

Klerikët e dinë çfarë është e drejta dhe e moralshmja, por kurrë nuk kanë udhëhequr popullin kundër diktaturave, kundër shteteve të padrejta, edhe pse veten konsideronin njerëz të zotit! Në çdo rend ishin miq të pushteteve dhe pengonin ose denonconin rebelimin kundër padrejtësive me predikime se „kjo jetë nuk është me rëndësi, është e përkohshme, nuk ia vlen…derri shkon në ferr dhe se ti shkon në parajsë pse duron…“

Në botë vdesin edhe mijëra fëmijë nga uria, por asnjë klerik!

Në tokë kemi shumë religjione dhe perëndi, sepse zotit apo perëndive kurrë nuk u ka interesuar se kush shpall veten profet e kush shkruan libra fetarë. Arsyeja? Ai nuk ekziston, sepse do t’ishte në kundërshtim të madh me evolucionin dhe zhvillimin, nëse po, atëherë ai nuk është fetar!

Profetët bazohen në ëndrra. Ëndrrat për shkencën nuk kanë asnjë domethënie. Me ëndrrat janë krijuar religjionet dhe ua kanë prishur njerëzve ëndrrat reale, sepse patën ndaluar dhe shpallur mëkat çdo formë të ndryshimit dhe përparimit, madje edhe shkrim-leximin! Kush përparonte quhej i prishur dhe ekzekutohej!

Religjionet kanë dëmtuar përparimin sepse kanë predikuar besimin, jo mësimin! Zhvillimi industrial dhe i teknologjisë, u bë i mundur, kur religjioni u dëbua nga shteti, në objektet e veta, ku e ka vendin!

Religjioni nuk bën pjesë te nevojat themelore të njeriut, që mundësojnë mbijetesën. Me të domosdoshmet lindet, të tjerat janë mësime, ideologji, manipulime dhe pushtet i huaj. Vetëm njeriu ka aq shumë fantazi, sa të shpresojë se pas vdekjes, si shpirt, si energji, kënaqet diku!

Njëri i lutet zotit të fitojë në futboll, tjetri të fitojë në luftë, i treti i lutet për bukë! Sikur të ekzistonte ai zot, që ndihmon, futbollistin do ta kishte shqelmuar derisa të mos mund më të përdorë bythën për t‘u ulur, të dytin do ta rrihte me pushkë kokës, të tretit do t‘i falte bukë dhe urdhëronte të mos i besoj atij që lejon dhe arsyeton vrasjen e njeriut dhe as atij që kërkon ndihmë për të fituar vetë dhe për të humbur tjetri.

„Nëse i jep lëmoshë të varfrit, zoti të shpërblen.“ Kleriku

Domethënë zoti krijon të varfrit për t‘i mundësuar të pasurit parajsën edhe pas vdekjes! Zoti i gjithëdijshëm do të kishte thënë: „Ndalohet rreptësisht varfëria!“, siç e ka ndaluar Shteti Social! Mirëpo, nga një zot, që lejon shitjen e njeriut (skllavit), nuk është e mundur të pritet më shumë! Ai dinte, aq shumë sa dinin njerëzit e atëhershëm!

"Zot, mos na braktis!“ Papa në sheshin bosh në Vatikan.

Ah, i dashuri Papë, ai zot braktisi djalin dhe lejoi të gozhdohet. Pse paskemi ne më shumë vlerë se i biri i tij në kryq!?  Si mund të presim ndihmë prej tij kur nuk ia doli të ndihmojë të birin? Ai që braktis fëmijën e vet në gozhdim e sipër, mund të bëjë çdo gjë të ligë!

Shkencëtarë, mos na braktisni, se për zotin, na ha dreqi, si gjithmonë…

E falënderuan zotin pse gjetën kufomën pranë lumit, por nuk e gjykuan pse nuk ua tregonte vendin se ku fshihej vrasësi. E as pse lejoi kriminelin të vrasë qenien e tij më të dobët.

Nëse ti thua religjioni duhet ndaluar, sepse kleri ekziston dhe zhvillohet në bazë të rrenave globale, atëherë ata do të bënin kryengritje, jo pse tmerrohen, pse njerëzit nuk do të shkonin në parajsë, por sepse dëmtohet parajsa e tyre në tokë!

Për të dëshmuar vërtetësinë e religjionit, për të vërtetuar se janë të autorizuar për të folur në emër perëndisë, klerikët duhet të prezantojë një autorizim me dy rreshta, të shkruar nga zoti, me nënshkrim të zotit, ku ai i kalon plotfuqishmërinë e fjalës së vet!

Më shumë nuk nevojitet për t‘u hequr bazën luftërave të sotshme dhe të nesërme!

Klerikët predikojnë për një zot, që nuk e njohin dhe nuk e dinë ku gjendet, e as si duket.

Për një parajsë për të vdekurit, të cilin nuk e dinë se ku gjendet dhe si duket!

Për një furrë gjigante ku piqen shpirtrat, që e njohin vetëm si zjarr, si grill, apo si kazan për ata që besojnë gabimisht dhe për ata që nuk besojnë! 

(Trupat nuk vijnë me ne sepse mbeten këtu për riciklim, për t’u rilindur në diçka tjetër, sipas Budës.)

I „asimiluari i shumëfishtë“ është njeriu që ndryshon me çdo dije të re, që intervenon çdo ditë në personalitetin e tij. Ai ka përparësi sepse çdo fenomen, mund ta shqyrtojnë nga distanca dhe me gjakftohtësi. Kjo do të ndikojë që ai të ketë rolin udhëheqës, për ta shprehur me fjalor të Camus, ai do të jetë i „mallkuar për të qenë i lirë“ dhe për të udhëhequr apo „ndriçuar rrugën“ sipas Hugos.

Lumturia si shpirt, si energji, në qiell, por tragjedia si trup nën dhe, në varr, bën të mbyten së qeshuri hindusët, budistët, shintuistët, konfucianistët, zenbudistët, taoistët dhe njerëzit që dinë të mendojnë vet…

Institucionet fetare  janë gjithmonë qendra në shërbim të financuesve. Janë asimiluar shume gjuhë, janë asimiluar shumë kombe gjersa kleri u mbushte mendjen se gjuha e tyre dhe kultura, ishin primitive e barbare, por e pushtuesit, ishte hyjnore dhe se me asimilimin, fitonin parajsën!

Sikur zoti të mos ishte i aspakfuqishëm, njeriu nuk do t‘ishte i gjithëfuqishëm, sa të mund t‘ i marrë jetën njeriut, të cilin e ka krijuar zoti! Atij që i ka dhënë zoti shpirtin, nuk do të mund t‘ia merrte njeriu, edhe nëse pushkatohet!  Thjesht, zoti nuk do të bëhej shërbëtor, nuk do t‘i nxirrte shpirtin, sepse do të ndihmonte kriminelin.

Nëse themi se zoti vendos për vdekjen e njeriut, atëherë, ose zoti ngarkon kriminelin me vrasje, ose nuk mund ta pengojë, ose nuk dëshiron ta bëjë! Nëse ai ndikon në vrasje, është kriminel, nëse nuk mund ta pengojë, atëherë nuk është i gjithëfuqishëm. Nëse nuk dëshiron ta bëjë, atëherë nuk i intereson njeriu, si edhe majmuni. Po pse atëherë bëhet shërbëtor i kriminelit dhe i merr shpirtin, si dëshiron vrasësi? Nëse vrasësi e bën me vullnetin djallit, atëherë ai paska më shumë pushtet se zoti.

Sikur të ishte zemërmirë, ose, sikur të dinte ardhmërinë, do t‘ia merrte kriminelit jetën, para se të kryente krimin! Nëse ai sheh çdo gjë dhe nuk reagon, por vetëm vështron, nuk mund të jetë zot me intelekt! Domethënë nuk e sheh, nuk e ndihmon, nuk ekziston!

Ai zot që ndihmon pas vdekjes, është tallje dhe manipulim, sepse këtu në tokë, fiton vetëm i forti dhe kurrë i drejti! Edhe në mal nuk fiton lepuri, që nuk han kafshë, por ujku, luani, që han lepurin për mbijetesë. Njëri tjetrin hamë edhe ne, me leje të zotit!

Në fillim bëri një sfilatë papa në Tiranë, ku ai gati qau për krimet e Enverit. Pas tij në Tiranë lotoi Erdogani me shoqen e vet për vargjet „...mos e lër pa luftëtarë sheshin e xhihadit o Allah...“, edhe atë, në kohën kur sheshi i xhihadit kishte shkulur dhe zhbërë një komb! Sapo mbaroi poezia,  u shfaq popi serb me flamur serb në Tiranë, pas tij, nga popi grek i shqiptarëve, u ftua kryepopi rus…

Tirana nga ateizmi, në qendër të mashtruesve global!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat