Kohë për lutje e bamirësi - Bota Sot
Kohë për lutje e bamirësi

Religjion

Kohë për lutje e bamirësi

Nga: Afrim Tahiri Më: 23 prill 2020 Në ora: 14:38
Afrim Tahiri

“...Ai e di se disa prej jush do të jenë të sëmurë, disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë) dhe disa të tjerë do të jenë duke luftuar në rrugën e Tij, prandaj lexoni sa keni mundësi nga Kurani! Faleni namazin, jepeni zeqatin dhe jepini Allahut një hua të mirë (që Ai t’jua kthejë shumëfish). Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer. Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.”

(El Muzzemmil, 20)

Të nderuar besimtarë! Vëllezër e motra! E premtja e datës 24 prill do të shënojë fillimin e agjërimit të Ramazanit të sivjemë! Pa dyshim, agjërimi është njëra prej pesë shtyllave kryesore të fesë Islame dhe kryhet përgjatë Muajit të Ramazanit, muajit të mëshirës, të faljeve, të lutjeve, të reflektimit, të pendimit e të bamirësisë. Si në asnjë muaj tjetër të vitit, gjatë Ramazanit myslimani i devotshëm e ndjenë kënaqësinë e Krijuesit, I Cili prej tij nuk kërkon asgjë tjetër përveç përkushtim ndaj Zotit të vet, familjes, shoqërisë! E ka përkyer kur e ka veçuar me virtytet më të larta që shprehin solidaritet, ndihmë e bamirësi. Me këto vlera të shenjta besimtari i qaset agjërimit, duke shtuar përkushtimin, vendosmërinë, devotshmërinë, sinqeritetin, unitetin, tolerancën e mirëkuptimin.

Motra e vëllezër, Ramazani njihet si muaj kur Allahu Fuqiplotë zbriti Shpalljen, ia afroi njerëzisë KONTRATËN duke porositur që, kushdo që i përmbahet kësaj të Vërtete Abdolute, do të jetë i mëshiruar, i vlerësuar, i shpëtuar, i nderuar e i garantuar me shpërblimet e pakufishme të Krijuesit të vet. Falë kësaj Porosie, ne si myslimanë e veçojmë këtë Muaj të bekuar, duke e përmbushur me sakrificë, me agjërim, me lutje e me iadete, duke u ndërmendur se nga ne kërkohet të jemi përherë vetëm bamirës. Zoti është Bamirës dhe ai i do vetëm bamirësit!

Fatkeqësisht, agjërimin e sivjemë do ta fillojmë nën kushtet aspak të kënaqshme për sa i përket kryerjes së ibadeteve në xhemat, veprim ky që më së shumti shton kënaqësinë te çdo mysliman që arrinë ta jetojë Muajin e Ramazanit. Janë përjetime që myslimani i pret plotë njëmbëdhjetë muaj të tjera. Pra, kjo është kënaqësia formale e besimtarit, ndërsa kënaqësia shpirtërore e tij, por edhe e Krijuesit të vet, është kryerja e ibadeteve dhe lutjeve në çdo vend të pastër, nëse jo në xhemat, në familje, nëse jo në familje, veç e veç, ashtu siç do të jenë kushtet dhe rrethanat.

Botën e ka kapluar një pandemi e panjohur më parë në historinë e njerëzimit, një virus që po cilësohet si armik i ri e i panjohur! Armik është vetëm ai që shpallë luftë! Covid-19 i ka shpallur luftë çdo njeriu, pavarësisht moshës, gjinisë, racës, etnisë, fesë, religjionit. Ka kapluar tërë botën! Dijetarët dhe shkencëtarët botërorë po vlerësojnë se, i vetmi vend paksa më i sigurtë është shtëpia, të rrimë sa më shumë brenda, t’ju shmangemi kontakteve, sepse, për fat të keq apo të mirë, virusi po përhapet vetëm përmes kontakteve dhe afërsisë në mes njerëzve.

Motra e vëllezër! Infektimi i tjetrit me sëmundjen tonë është po aq i mëkatshëm sa edhe infektimi ynë nga tjetri për shkak të pakujdesisë apo kryeneçësisë sonë. Në këto çaste, në kontekstin e dhënë, bamirësi është të ruhemi vetë që t’i ruajmë të tjerët. Për momentin, distancimi fizik, mbyllja brenda shtëpisë, është bamirësi që po na kërkohet. Ta gërshetojmë këtë bamirësi me shtimin e ibadeteve tona brenda familjes sonë, me prindër, më vëllezër e motra, në bashkëshortësi e me fëmijë.

Do të na mungojnë iftaret e përbashkëta, iftaret e hapura në natyrë, do të na mungojnë teravitë, dëgjimi kolektiv i vazeve. Le t’i perceptojmë këto përjetime vetëm si çaste të mira e të këndshme, si kujtime të bukura e të paharruara por, mos të harrojmë se nga ne kërkohet që të jemi vetëm bamirës, mos të bëhemi as pranues e as dhënës, sado të pavullnetshëm, të këtij virusi vdekatar.

Me këtë ndjenjë të bamirësisë, sipas të gjitha gjasave, do të na duhet të vazhdojmë edhe pas Muajit të Ramazanit, edhe gjatë kohë! Sipas të dhënave të institcioneve botërore, për shkak të kësaj katastrofe globale, njerëzimi po përgatitet ta përjetojë edhe atë efektin cunami pas kësaj goditje virusale! Mund të na ndodhë që të përballemi me një uri të tmerrshme. Le të përgatitemi dhe le të kalitemi shpirtërisht për t’u bërë pjesë e botës bamirëse për dhjetra e mijëra familje që do të goditen nga varfëria e uria në periudhën post-Covid-19! Varfëria veçmë po ndjehet dhe po kanos të shtrihet gjjithandej komunitetit tonë. Prandaj, le të zgjasim dorën aty ku ka nevojë për një iftar e për një syfyr të rëndomtë për të gjithë motrat dhe vëllzërit tanë, për fqinjët tanë, për të gjithë që kanë nevojë. Myslimani pa vlerën e bamirësisë është si trupi pa shpirt! Në ajetin 30 të sures Er-Rum, thuhet: “...kur të jepni si bamirësi, për të arritur kënaqësinë e Allahut, do t’ju shumëfishohen (të mirat).”

Duke dashur e uruar më të mirat e Allahu Mëshirëplotë për ju, motra e vëllezër, si dhe për mbarë myslimanët në botë, shpreh uratat e mia më të përzemërta për këtë Muaj të Ramazanit, duke u lutur për agjërim të lehtë, për pranim të ibadeteve, për shëndet e mbarësi.

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat