Juda tradhtar dhe tridhjetë monedhat e argjendit

Religjion

Juda tradhtar dhe tridhjetë monedhat e argjendit

Dedë Palokaj Nga Dedë Palokaj Më 2 prill 2021 Në ora: 07:33
Ilustrim

Çdo festë e ka origjinën, historinë dhe traditën e vet. Festa që kremtohet dymijë vjet më parë në historinë e krishterimit është festa e Pashkëve të cilës i paraprinë e Premtja e Madh, dita kur përkujtohen vuajtjet, mundimet dhe vdekja e Jezu Krishtit në kryq që u tradhtua nga nxënësi i tij Judë Iskarioti i cili u bë simbol i tradhtisë, lakmisë dhe zilisë së turpshme për të përvetësuar atë që nuk i takon. Juda një nga 12 apostujt, spiun i pabesë e tradhtoi Jezusin për 30 monedha argjendi - aq sa ishte çmimi i blerjes së një skllavi në tregun e lirë romak ku skllavi (servus) konsiderohej pronë private i cili blihej me para, përvetësohej, edukohej ose edhe vritej - një dukuri antinjerëzore, patologjike e pabarazisë - një biznes antihuman me njerëz të kohës së skllavopronarisë romake. Veprimi i shëmtuar i Judës ishte me paramendim të hollësishëm, madje edhe shenja e tradhtisë, puthja e Jezusit në një natë të errët dramatike. Kë unë të puthi - u kishte thënë Juda - ai është Jezusi, atë kapni (Mt.26:48).

Si u bë Juda tradhtar i cili ishte i thirrur nga Jezusi kur një thirrje tillë nuk ishte e detyrueshme për ta shtrënguar vullnetin e tij? Çfarë janë arsyet e tradhtisë së tij? Çfarë kishte ndodhur me Judën? Në fillim, Jezusi kishte besim të plotë në Judën dhe mu për këtë ia kishte besuar qesen e parave dhe kujdesin për bashkësinë. Në postin drejtues, Juda ishte i lirë të dal jashtë rrethit të apostujve pa kurrfarë kontrolle dhe kufizimi. Me daljet e shpeshta e të lira, me detyrën e besimit dhe sipas detyrës zyrtare, Juda kishte mundësi të kontaktoj me njerëz të kategorive të ndryshme, madje edhe në vende të dyshimta. Mirëpo Juda e keqpërdori detyrën e tij deri në tradhti ndaj Jezu Krishtit. Në keqpërdorimin e besimit qëndron gjithë shkaku i tradhtisë. Me dalje të shpeshta e të panevojshme, kushedi sa e sa herë, Juda nuk ishte i pranishëm aq sa duhet për të parë, për të dëgjuar dhe për të mësuar prej Jezusit atë që ishte e nevojshme për veprimtari apostolike.

Edhe pse për Judën ka pak të dhëna, mirëpo në bazë të atyre shkrimeve që kemi (Mt.26:14-16; Mt.26:47-50; Mk.14:43-45; Lk.22:47-48; Gjn.18:2-5), del se tradhtia e asaj nate ka një histori dhe një vazhdimësi më të gjatë. Juda edhe pse qëndroi në shoqëri me Jezusin, veprimet e tija dëshmojnë se ai më tepër kishte qëndrim formalist për të qenë një apostull i denjë. Humbja pak nga pak e besimit, kujdesit dhe thirrjes, ndikoj që ai gradualisht të largohet nga Mësuesi vet - Jezu Krishti duke pakësuar interesimin për gjërat më të nevojshme dhe më të rëndësishme që predikonte Jezusi. Duke mos i përcjellur me kujdes mësimet e Jezusit ashtu siç i përcillnin apostujt tjerë, Juda edhe pasi kishte dëgjuar fjalët: “Biri të njeriut i duhet të pësojë shumë, do të vritet dhe do të ngjallet pas tri ditësh” (Mk. 8:31), ai në mënyrë të habitshme dhe krejt të pakuptueshme ndërron qëndrimin e vet duke kaluar përfundimisht nga dashuria në tradhti dhe në përfundim tragjik me pasoja të pallogaritshme.

Zakonisht figura e Judës paraqitet si sakrificë e lakmisë për para të cilat janë burim i gjitha të këqijave (1Tim. 6:10). Juda bëri marrëveshje me kryepriftërinjtë hebrenjë për të realizuar tradhtinë duke u thënë: “Çka po më jepni e unë po ua dorëzoj Jezusin? Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjenta. Qysh atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar” (Mt.26:14-15).

Mirëpo kjo nuk është arsyeja e vetme. Krahas lakmisë për para, tek Juda bie në sy rënia e tij në formalizëm, indiferentizëm dhe lënia pas dore e thirrjes së tij për shërbim të ri. Nga jashtë Juda dukej çdo gjë është në rregull, por në shpirtë nuk ishte i tillë. Kjo shihet tek qortimi i tij kur reagon që të mos harxhohet vaji erëmirë (ekstrakt i lules së ëmbël, erëmirë dhe freskues e Jasmines) e cila mund të shitej e t’ju ndahet skamnorëve: “Foli kështu, jo pse ishte fort në kujdes për skamnorë, por pse ishte vjedhës e mbasi ai e mbante qesen, vidhte çka qitej brenda saj“ (Gjn.12:6). Qysh atëherë e deri sot e kësaj dite emri i Judës u bë simbol i tradhtisë dhe lakmisë njerëzore.

Tradhtia zbulohet në shumë mënyra: nga zëri, shikimi i dyshuar, mohimi i së vërtetës etj. Juda e zbuloi tradhtinë me një puthje të rrejshme, të habitshme dhe tradhtare që ia dhuroi Jezusit. “Kë unë e puth - ai është! Atë kapni!” (Mt.26:48). Një puthje e tillë nuk ishte shenjë e dashurisë, por e tradhtisë, një sinjal për të arrestuar Jezusin. Pse Juda nuk qëndroj besnik deri në fund ndaj Jezusit siç ishin nxënësit tjerë? Sepse ai ishte egoist, hipokrit dhe lakmiçarë që donte më shumë paranë se sa mësuesin e vet.  

Tradhtia është një dukuri e lashtë e përhapur kudo në botë, gjëja më e shëmtuar dhe më e turpshme e njeriut. Tradhtia pa themele të forta siç është respekti, besnikëria dhe dashuria është një nga shkaqet kryesore dhe më të zakonshme për t’i dhënë fund marrëdhënieve miqësore, vëllazërore dhe bashkëshortore. Disa tradhtojnë për ideale, disa për para, disa për politikë, disa shtrembërojnë historinë, disa tradhtojnë vendin, miqtë, familjen dhe fenë e tyre duke ndryshuar rrjedhën e zhvillimit të historisë. Njerëz të shitur e tradhtar kishte gjithmonë.

Judë Iskarioti është shembull tipik i tradhtarit që jetoj para dymijë vjetësh në një kohë të veçantë. Mbiemri i tij, “Iskariot”, konsiderohet si një bastardizim i fjalës latine “sikarius”, që do të thotë “vrasës”. Ungjijtë, shkruajnë se Ai bëri vetëvrasje sapo e tradhtoi Jezusin. “Atëherë Juda - ai që e tradhtoi, kur pa se e dënuan Jezusin, i brejtur nga ndërgjegjja, ua ktheu kryepriftërinjve e pleqve të popullit tridhjetë siklat e argjendta e tha: “Mëkatova që dorëzova gjakun e pafaj! Ç’na lypet neve! - i përgjigjën ata. Punë për ty! Juda i hodhi siklat e argjendta në Tempull, shkoi e u var në litarë. Kryepriftërinjtë i mblodhën siklat e argjendta e thanë: “S’është e lejueshme të shtihen në arkë të Tempullit, sepse janë çmim gjaku.” Dhe, pasi u këshilluan, blenë me to arën e një vorbëtari për varreza të shtegtarëve. Prandaj ajo arë quhet deri më sot: ‘Ara e Gjakut’ (Mt.27.3-9).

A është Juda i vetmi tradhtar nga ajo kohë e deri me sot e kësaj dite? Jo, nuk është i vetmi. Ka shumë tradhtar tjerë që u rreshtuan në anën e tradhtisë gjatë historisë. Madje në kohën e sotme edhe ne mund të jemi pjesëmarrës në tradhtinë e Judës, nëse nuk e kemi mohuar qesen e kepërdorur të Judës, dmth. lakmin e sëmuar për para, për serfilizëm dhe pushtet. Rrënja i kësaj së keqe është egoizmi që kufizon dhe shkatërron interesat e të tjerëve për hir të vetvetes. Sepse njeriu është i krijuar të jetojë në botën e marrëdhënieve me njerëz tjerë. Jashtë marrëdhënieve me të tjerët ai e ka vështirë të jetojë mirë, sepse humaniteti i tij është fryt i të jetuarit mes njerëzve. Bota e marrëdhënieve me të tjerët është kusht për ekzistencën e individit. Njeriu rritet, zhvillohet, edukohet dhe formon personalitetin e vet në marrëdhënie me të tjerët. Njeriu nuk është krijuar të jetojë vetëm për veten e vet.

Çdo e keqe që e bënë njeriu është tradhti. Andaj duhet t’i zbulojmë gjurmët e tradhtisë, intrigat e Judës brenda shpirtit dhe vetëbesimit tonë të luhatshëm, shpesh edhe të rrejshëm. Tradhtia e Judës na bën të qartë shembullin e keqpërdorimit të besimit, të parasë dhe të detyrës së keqpërdorur. Çdo e keqe është besim i keqpërdorur, shans i humbur dhe tradhti si e Judës! Bjerrja e Judës dhe tradhtisë së tij, sikur në çdo bjerrje, deri në tradhti, shkaktari kryesorë është besimi, pozita dhe detyra e keqpërdorur. Pastaj kjo të shpie deri të lakmia, jeta dyfytyrëshe, skllavërimi, gënjeshtra, vjedhja dhe shpërdorimi e deri të aferat korruptive - rruga pa krye, e së fundi deri në rrënim të tërësishëm. Ai që tradhton ndërgjegjen e vet, parimet e shëndosha, familjen, popullin dhe vendin e vet, ai tradhton të gjithë dhe bëhët “bir i bjerrjes” (Gjn.17:12).

Juda e filloi tradhtinë me kujdes të shtuar që të mos zbulohet dinakria e tij nga të tjerët, mirëpo përfundon botërisht duke tradhtuar vetveten. Duke mos e njohur mësuesin e vet, Juda më shumë i bëri dëm vetes sesa atij që e tradhtoi - Jezu Krishtit. Gjëja më e trishtuar për tradhtinë është se ajo kurrë nuk vjen nga armiqtë por nga miqtë. Akti i tradhtisë së Judës njëherit është edhe fati i të gjithë njerëzve tradhtar të cilët përfundojnë si të pabesë në errësirën e së keqes si armiq të vetvetes dhe të tjerëve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat