Nifaku dhe tradhtia asnjëherë nuk kanë qenë cilësi tona

Religjion

Nifaku dhe tradhtia asnjëherë nuk kanë qenë cilësi tona

Nga: H. Sulejman ef. Rexhepi Më: 12 maj 2021 Në ora: 23:39
H. Sulejman ef. Rexhepi

"Edhe ata që patën durim (ndaj të këqijave) për të fituar kënaqësinë e Zotit të tyre dhe që e falën namazin, dhe nga ajo me çka Ne i furnizuam ata kanë dhënë fshehtas e haptas dhe me të mirë e largojnë të keqen. Të tillët kanë përfundim më të mirë. (Përfundimi i mirë është ) Xhennete të Adnit (vende të përjetshme) ku do të hynë ata, edhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre të cilët kanë qenë vepërmirë, ata do t’i vizitojnë melektë duke hyrë në secilën derë. (U thonë): Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend."  (Suretu Err-Rra’d, 22-24)

Vëllezër të nderuar, besimtarë të dashur!

Edhe një herë përcollëm Muajin e Bekuar të Ramazanit Sherifit, i cili ishte rast që sërish, të gjithë ne, bashkërisht, të shprehim dashurinë dhe respektin tonë të pakufishëm që e ndjejmë ndaj Krijuesit tonë, Allahut të Madhërishëm. Të gjitha ibadetet tona padyshim iu kushtuan Allahut dhe vetëm Atij. Andaj me të drejtë kemi arsye të shpresojmë se me devotshmërinë tonë që e shprehëm gjatë këtij Muaji të Bekuar kemi arritur që ta gëzojmë kënaqësinë e të Plotfuqishmit.

Natyrisht, ibadetet tona assesi nuk guxojnë të ndërpriten, por, përkundrazi, ato duhet të vazhdojnë edhe më tej me po këtë përkushtim, sepse në të kundërtën, do të ishim vetëm myslimanë të përkohshëm – sezonal.

Vëllezër të nderuar! Po jetojmë do kohëra në të cilat prej të gjitha anëve po drejtohen goditje në trungun e shëndoshë islam dhe po paraqiten tendenca për ta larguar besimtarin nga përkushtimi i tij ndaj fesë së vet. Janë absolutisht të kota këto tendenca për ta luhatur bindjen e besimtarit tonë, por, kam droje se, këto përpjekje antiislame në një fare forme po ia arrijnë qëllimit. Ndaj, kërkoj nga besimtarët e nënqiellit tonë që bindjen, pra, përkushtimin ndaj fesë, fuqimisht ta kenë të sinkronizuar me veprimet dhe me sjelljet e veta.

Nuk duhet harruar se populli ynë posedon dy virtyte që kanë peshë jashtëzakonisht të madhe: imanin dhe ruajtjen e amanetit, të cilat burojnë vetëm nga zemra dhe shpirti i shëndoshë e i pastërt. Nifaku dhe tradhëtia asnjëherë nuk kanë qenë cilësi tonat, sepse që të dyjat burojnë nga zemra e sëmurë dhe shpirti i ndyer. Pikërisht, lidhur me këtë, po e theksoj hadithin e Muhamedit a.s., i cili thotë: "Nuk ka iman-besim ai i cili nuk e ruan amanetin dhe, nuk ka fe ai që nuk ka besë."

Përndryshe, ky lloj njeriu, i cili nuk ka iman dhe që nuk e ruan amanetin, i takon kategorisë së mynafikut, të cilin Muhamedi a.s. e definon kështu: “Sa herë që flet gënjejnë, sa herë që premton nuk e realizon, e kur i lihet një gjë në besim – tradhton. Njeriu i këtillë, pa marrë parasysh se fal namaz, agjëron dhe mendon për vete se është mysliman, nuk është asgjë tjetër pos mynafik”.

I lutem të Plotfuqishmit, që në mesin e popullit tim të mos ketë njerëz të këtillë, sepse ata nuk janë bereqet për situatën tonë të përgjithshme, por vetëm një telash që do të na shkaktonte probleme edhe më të mëdha në këtë kohë kur jemi të preokupuar me çështje të tjera jetike.

Sido qoftë, të gjithë ne që i kryem ibadetet e këtij Muaji të shenjtë, i gëzohemi këtij Fitër Bajrami, i cili duhet të jetë festë madhështore ku do t’i harrojmë për një çast të gjitha brengat dhe të gjitha zënkat që i kemi mes vete, e ku do t’i kthehemi dashurisë së plotë si në familje ashtu edhe në rrethin tonë të ngushtë e më të gjërë. Festa është ditë në të cilën myslimani i vërtetë duke festuar duhet që fuqishëm ta shpreh edhe ndjenjën e solidaritetit që e ka urdhër prej Zotit Fuqiplotë. Pra, shtrijuani dorën njëri tjetrit dhe hapni zemrat ashtu siç i ka hije besimtarit. Sofra juaj le të jetë edhe sofër e mikut, fqinjit, bonjakut e varfanjakut. Megjithatë, nga begatitë e sofrës festive mos harroni ta ndani diç për vëllezërit tanë që jo fort larg prej këtu po vdesin nën plumbat e gjakatarëve që s’dinë për fe e për Zot. Të dëshmojmë se nuk kanë të drejtë ata që po na akuzojnë se ne, që jemi në rrugën e Zotit, i paskëshim harruar ndjenjat tona kombëtare. Sot e gjithë ditën, dëshmoj se, përherë e kemi ndarë dhembjen por edhe kafshatën e gojës me vëllezërit tanë, e kështu do të veprojmë.

Vëllezër të nderuar, besimtarë të dashur!

Ju qoftë i mbarë dhe i gëzuar ky Bajram i Ramazanit. Paçit shëndet dhe hare të gjithë ju dhe familjet e juaja, me një dëshirë që edhe më tej të qëndroni fuqishëm në rrugën e Allahut të Madhërishëm dhe jini të sigurt se mëshira e Tij do të jetë me ne.

Allahu ju bekoftë!

Esselamu alejkum ve rametullahu ve berekatuhu!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat