Reflektim në të mirë të shtimit të kujdesit shëndetësor për qytetarët

Religjion

Reflektim në të mirë të shtimit të kujdesit shëndetësor për qytetarët

Nga: Xhavit Çitaku Më: 27 qershor 2021 Në ora: 10:44
Xhavit Çitaku

Liria e fesë është e garantuar me Kushtetutë. Secilit i është dhënë mundësia që në kuadër të rregullave dhe ligjeve të përcaktuara të manifestoj dëshirën për t’iu përkushtuar religjionit, përkatësisht fesë secilës i përkëtë. Pos në shtëpi, por edhe gjetiu, vendi ku me së shumti tubohen të besuarit e zotit janë kultet fetare, apo thënë më mirë xhamiat, kishat, teqet apo ndonjë objekt tjetër i përafërt me sektin fetar. Në Kosovë mbi 95 për qind i takojnë fesë islame. Situatë e njëjtë është edhe në pjesën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Pjesa dërmuese e besimtarëve respektojnë me devotshmeri rregullat kuranore dhe të mjedisit ku jetojnë e punojnë, ndërkaq një pjesë e vogël e indoktrinuar nga ISIS kishte devijuar rrugën e drejt të trasuar nga allahu i madherishëm. Me një fjalë, ata kishin rënë pre e disa individëve ekstremist që u munduan të përlyenin fenë e tyre aq të pastër e të respektuar edhe nga besimtarë e qytetarë të përkatësive të tjera fetare. Kjo histori e dhimbshme është një kapitulli i veçantë analize që i takon studiusëve kompetent, mirëpo kësaj radhe në fokus të këtij shkrimi do të jetë një reflektim interesant dhe i shëndosh qytetar i hoxhës Qazmedin Shaqiri nga fshati Matec, komuna e Kumanovës.

Kërkesë për ndërtimin e spitaleve e jo të xhamive

Hoxhë Qazmedin Shaqiri me një deklaratë të tij të para ditëve dha një shembull mjaft pozitiv, i cili nëse dëgjohet, përkrahet dhe realizohet mund të këtë një peshë të rëndësishme në dobi të qytetarit dhe të ardhmes së tij më të shëndetshme e më të begatë për familjet shqiptare. Deklarata e tij ishte aq e thjeshtë, aq e qartë, e pastër si loti, me përmbajtje të pasur, e njerëzishme. Ai tha troç lëreni më ndërtimin e xhamive, mjaft më. Në vend të tyre, tha ai, ndërtoni spitale, ndërtoni foshnjore, siguroni pajisje moderne për të dy këto kategori, që janë jetike për komunitetin. Ai nuk ngurroi të thotë edhe këtë se sikur bëhen gara se cili fshat po ndërton xhamia më shumë, të cilat hëpërhë nuk mund të jenë në funksion të plotë për shkak se nuk ka xhemat.

Ka fshat, përkujton ai, në të cilin janë ndërtuar edhe katër xhami. Shpenzime të mëdha të panevojshme. Vërtetë me ato mjete aq të mëdha do të mund të ndërtohej spital modern që do t’iu shërbente shtimin e kujdesit për shëndetin e popullatës. Po ashtu, ndihet nevojë e madhe edhe për foshnjore sepse ka shumë qifte bashkëshortore që janë të punësuar dhe e kanë problem për të siguruar kujdesin ndaj fëmijëve të tyre. Së këndejmi, të gjithë ata që kanë ndërmend të investojnë për ndërtimin e xhamive, duhet të kenë parasysh kërkesën e hoxhë Qazmedinit, sepse çfarëdo që të ndihmosh dhe që është në dobi të komunitetit është e njëjta gjë sikur të ndërtosh një objekt fetar. Shëndeti është mbi të gjitha, ndërsa kujdesi ndaj fëmijëve duhet të këtë prioritet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat