Përshpirtëria e Nënës Terezë

Religjion

Përshpirtëria e Nënës Terezë

Nga: Don Lush GJERGJI Më: 24 mars 2022 Në ora: 16:45
Foto ilustrim

“Lini të fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni, sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit. Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.” (Mk 10, 14-15) “Nëse sot, ka kaq shumë vuajtje në botë, kaq shumë dhembje, sepse fëmija ende i palindur, fëmija i pafajshëm dhe i pambrojtur, dëbohet, anashkalohet, pengohet...Fëmija është dhurata më e madhe e Zotit, familjes, kombit, botës; fëmija është jeta e Zotit, i krijuar për gjëra të mëdha, në përngjasim të Hyjit, për të dashur dhe për të qenë i dashur.” (Nëna Tereze) Jezusi, së shpejti ishte i nderuar dhe i dashur nga njerëzit.

Vazhdimisht ishte i rrethuar me popull, të sëmurë, të djallosur, miq, gra, shpesh edhe me fëmijë. Ishte i përzemërt me të gjithë, sidomos me fëmijë: i përqafonte, i afronte, bisedonte me ta dhe i donte. Ky qëndrim, apostujve u dukej sadopak i çuditshëm, si diçka jo serioze dhe e padenjë, si humbje kohe, apo si diçka që do të mund ta komprometonte Mësuesin, apostujt, tërë misionin e tyre. “Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. Jezusi, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha: “Lini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit! Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.” Atëherë i mori fëmijët ngrykë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.” (Mk 10, 13-16) Jezusi, jo vetëm i donte fëmijët, por kishte bërë edhe më shumë, duke propozuar qëndrimin e fëmijëve si kusht për hyrje në Mbretërinë e Hyjit, pra, për shëlbim për të gjithë.

Shprehja “porsi fëmija i vogël” në këtë rast domethënë mbi të gjitha pafajësia, thjeshtësia, sinqeriteti, çiltëria, mirësia, natyrshmëria. Në një rast tjetër, Jezusi i kishte befasuar edhe më tepër nxënësit e tij, publikun, mbarë popullin që ishin përreth tij, por edhe armiqtë e tij, me një gjest edhe më të “bujshëm.” Duke dashur të përgjigjej në pyetje të nxënësve: kush është më i madh në Mbretërinë e Hyjit, Ai bëri kështu: “Thirri një fëmijë, e vuri para tyre e u tha: “Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.” (Mt 18, 2-3) Me këtë sjellje kaq befasuese, do të thosha gjeniale, Jezusi ka çmuar atë që ishte e nënçmuar, fëmijën, duke vlerësuar atë që kishte pak vlerë, thjeshtësinë e fëmijës, ishte identifikuar me fëmijë, duke treguar kështu rrugën – horizontin tërësisht të ri për jetë, për Mbretërinë e Hyjit.

Fatkeqësisht edhe sot në shumë vende dhe shoqëri fëmija konsiderohet si barrë, peshë, “i tepërt”, pengesë për të jetuar dhe shijuar jetën, punën, fitimin, për të qenë të lirë dhe të pavarur, pa brenga dhe shqetësime. Shoqëria industriale dhe pas-industriale mbëshetet mbi disa “vlera” që fyejnë, lëndojnë, dëbojnë, vrasin jetën e re, fëmijën, nëpërmjet abortit – dështimit; anëson të moshuarit nga familja duke i strehuar në vende të paracaktuara për ata... Pëlqehet vetëm pjesa më e mirë e jetës, rinia dhe pjekuria, dhe kërkohet eliminimi i lindjeve dhe fëmijëve, si dhe anësimi dhe largimi e pleqve.

Kemi arritura absurdin e egoizmit që vret dhe rrënon çdo gjë që nuk është në shërbim të kënaqësisë, pasurisë, mirëqenies, dëfrimit, argëtimit... Kështu, jeta “seleksionohet”, copëtohet, në disa raste fatkeqësisht edhe keqtrajtohet dhe rrënohet. Dhuna e tillë shkon kundër atyre që janë të pafajshëm dhe të pambrojtur: fëmijët dhe të moshuarit, dhe dëshmon frikën nga jeta dhe nga vdekja! Nëna Tereze, me rastin e pranimit të Shpërblimit Nobel për Paqe në Oslo, më 10 dhjetor 1979, ndër të tjera tha: “Dështimi është rreziku më i madh për paqe. Mendoj që asnjë dorë njerëzore nuk do të duhej ta vriste jetën. Çdo jetë është jeta e Zotit në ne. Edhe fëmija i palindur, e ka në vetvete jetën e Zotit. S’kemi kurrfarë të drejte ta rrënojmë këtë jetë me çfarëdo mjeti që mund të përdorim ne... Fëmija është gjithmonë dhuratë e Zotit...”

Absurdi është edhe më i madh: në vendet materialisht të pasura më shumë praktikohet dështimi. “Për mua, nëse lejohet dështimi në vendet e pasura, që kanë të gjitha mjetet dhe pasuritë që mund të sigurohen me para, këto shtete janë të varfëritë ndër më të varfër... Shumë fëmijë sot janë të padëshiruar, të padashur... Gjëra e mrekullueshme është që fëmija ka arritur t’i ikë vdekjes nëpërmjet duarve të prindërve të vet, kur ata e kanë pranuar...

Kjo është një ndër veçoritë e mrekullueshme të popullit tonë, gatishmëria për t’i pranuar fëmijët, për t’i birësuar dhe dhuruar atyre një vatër dhe dashuri për fëmijët e padëshiruar, Krishtit në trajtën e këtyre fëmijëve.” (Nëna Tereze) Sot, bota e të pasurve rrezikon vetëshkatërrimin, për shkak të dështimit, luftës kundër jetës dhe dashurisë, martesës, familjes, jetës së shfrenuar dhe të pamoralshme. “Fëmijëve dhe të sëmurëve, të gjithë atyre që vuajnë dhe janë të vetmuar, dhurojuni buzëqeshjen tuaj: jo vetëm vëmendjen tuaj, por edhe zemrën tuaj...

Është shumë gjë e veçantë që Zoti ka zgjedhur një fëmijë ende të palindur për ta dëshmuar para të gjithëve ardhjen e Jezusit; por është shumë e dhimbshme të mendojmë për shumë fëmijë të palindur, sot, me vullnetin e prindërve të tyre... Rreziku më i madh për paqe është dështimi, sepse nëse mund ta shkatërrojmë jetën që e dhuron Zoti, dhe nëse nëna mund të bëhet vrastare e fëmijëve të saj, çka të themi atëherë për vrasjet tjera, luftërat në botë? Sot njerëzit nuk e duan më njëri-tjetrin, dhe shi këtu është zanafilla e rrezikut për paqe. Dështimi është nisja e të këqijave në botë.” (Nëna Tereze) Të kthehemi në pikënisjen tonë. Jezusi kërkon që të jemi së fëmijët dhe ta pranojmë çdo fëmijë sikur të ishte vetë Ai! Ky është parakushti i Mbretërisë së Hyjit, pra, i shëlbimit tonë.

Si mund të pranohet Jezusi Foshnje, nëse nuk pranohet fryti i dashurisë, jeta e re, ajo e fëmijëve ende të palindur? Shterpësia e jetës, dështimi, pa dyshim, është edhe shterpësia e dashurisë, fesë-ose është pasojë e mungesës së tyre. Zoti na ka krijuar për të qenë bartësit e jetës, dashurisë, gëzimit, haresë, lumturisë, për të qenë shenjë të pranisë së tij në botë. Kush është burim i vdekjes nëpërmjet dështimit, ose anësimit të të moshuarve, në asnjë mënyrë nuk mund të jetë dëshmitar i JETËS – JEZUSIT, sepse është pjesë e Herodit, djallit, e jo Zotit.

Nëpërmjet qëndrimit ndaj jetës vërtetojmë qëndrimin ndaj fesë, marrëdhënien me Zotin dhe me të afërmin. “Ka uri për bukën e përditshme, për mirësi, dashuri, për jetë dhe për kujdes. Sot kjo varfëri e madhe i mundon shumë njerëz...O Zot, na jep këtë hir që të ndërpritet vrasja e fëmijëve në kraharorin e nënave në botë. Virgjëra tejet e Shenjtë, ti që e ke pranuar me aq dashuri Jezusin, ndihmo dhe mbro të gjitha nënat e botës nga mëkati i dështimit.” (Nëna Tereze) Disa statistika: sot janë në botë më se 6000 motra Misionare të Dashurisë, në më se 130 shtete.

Në Itali janë 129 murgesha në 18 bashkësi rregulltare. Sipas disa studiuesve dhe kronistëve Nëna Tereze është kujdesur për 160. 000 fëmijë të varfër, bonjakë apo të rrezikuar nga aborti – dështimi. Disa thënie të Nënës Tereze për fëmijë dhe jetë: “Fëmijët janë dhurata më e bukur e Zotit... Nëse do ta ndërrosh botën, shko në shtëpi tënde dhe duaje atë, sidomos fëmijët. Jepe pjesën më të mirë të vetvetes – dashurinë. Fëmija është bekimi i provanisë së Zotit dhe dhurata më e bukur për familje. Fëmija nuk shikon me sy por me zemër. Ata na mësojnë artin e pafajësisë dhe dashurisë. Kur nuk ke asgjë jep gjithçka, vetveten. Përvujtëria është fillimi i shenjtërisë Sëmundja më e keqe është mungesa e dashurisë.” Prishtinë, 23 mars 2022 Radio Maria – Kosovë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat