Jezusi dhe të sëmurët

Religjion

Jezusi dhe të sëmurët

Nga: Don Lush GJERGJI Më: 31 mars 2022 Në ora: 10:36
Nëna Terezë

“Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e hirit të Zotit.”(Lk 4, 18-19)

“Bashkësia ime janë të varfëritë, siguria e tyre është e imja, shëndeti i tyre është i imi... Shtëpia ime është shtëpia e të varfërve ndër më të varfër, atyre që askush nuk u afrohet, sepse janë me sëmundje ngjitëse. Atyre që nuk shkojnë në lutje, sepse nuk mund të dalin nga shtëpia të zdeshur. Atyre që nuk hanë, sepse nuk kanë më fuqi. Atyre që nuk plandosën në trotuare, sepse e dinë se janë duke vdekur dhe pranë tyre kalojnë kalimtarët pa ua lëshuar sytë. Atyre që nuk qajnë, sepse nuk kanë më lot.” (Nëna Tereze)

Sëmundja, është pjesë e jetës dhe mund të jetë e pranishme në çdo periudhë apo moshë të jetës: në fëmijëri, rini, pjekuri dhe në pleqëri. Përpos dhembjes, i sëmuri vuan edhe nga vetmia, për ndjenë që është i “padobishëm” në familje dhe në shoqëri, dhe fatkeqësisht shpesh edhe trajtohet si barrë.

Nëna Tereze një herë tha kështu: “Sot, në botë ka shumë spitale dhe mjekime, por ka pak kujdes dhe dashuri për të sëmurë. Të sëmurët kanë nevojë për gjithçka, në veçanti për kujdes dhe dashuri. Ne, nëpërmjet kujdesit, iu dhurojmë vetveten, edhe më shumë, duam t’u ndihmojmë që ta njohin dhe duan në ne Burimin e Dashurisë, vetë Zotin.”

Edhe pse mjekësia ka përparuar shumë në kohën e fundit, spitalet pothuaj gjithnjë janë plotë me të sëmurë. Disa prej tyre qëndrojnë në spital për një kohë të caktuar dhe pastaj me gëzim kthehem në shtëpi, në rrethin familjar, sepse janë shëruar. Disa, me vite janë nëpër spitale, pa ditur fatin e tyre... Disa vdesin nëpër spitale.Të shëndoshët aty-këtu mendojnë: një ditë edhe unë do të përfundoj në spital, do ta humbi shëndetin...Tashmë, sëmundja konsiderohet si një e keqe e paevitueshme për të gjithë. Shi për këtë njerëzit thonë: Shëndeti më së pari, pastaj të tjerat!

Sëmundja, në kohën e Jezusit trajtohej vetëm në anën negative, si ndëshkim i Zotit për mëkatet e personit apo të paraardhësve të tij. Ky botëkuptimi, e ngarkonte edhe më shumë të sëmurin; ishte gjendje vërtet e rëndë.

Jezusi, pati qëndrim tërësisht tjetër ndaj sëmundjes, duke pasur kujdes të veçantë, vëmendje dhe dashuri ndaj tyre, ndaj të varfërve, mëkatarëve, fëmijëve, domethënë atyre që ishin të nënçmuar dhe të përjashtuar.

Ja një sjellje tipike e Jezusit ndaj të sëmurit: “Pastaj doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinën e Dekapolit. Ia sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. Ai e ndau prej popullit veçmas, ia shtiu gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, i drejtoi sytë kah qielli, pshërtiti dhe i tha: “Effatha – që do të thotë: “Çelu!”. E menjëherë iu çelën veshtë e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.” ( Mk 7, 31-35)Shërimi kishte shkaktuar te populli admirim të madh duke bërë këtë përfundim: “Gjithçka bëri mirë. Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!”((Mk 7, 37)

Çfarë dëshmie e mrekullueshme: gjithçka të bësh mirë! Duke vrojtuar dhe analizuar jetën tonë, veprat tona, gjithçka, çka do të mund të thonë njerëzit?Ungjilli na tregon për shumë gjeste, shenja, të cilat Jezusi i bënte për mëshirë dhe pjesëmarrje me vuajtjen e të sëmurëve, me kujdesin dhe dashurinë që kishte ndaj tyre. Në disa raste, ndërhyri me mrekulli, duke zgjuar në popull fenë. Kështu, shërimi bëhej shenjë e pranisë dhe veprës së Zotit: të shëlbimit, të lirisë së humbur që Ai e solli.

“Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë.” (Mt 9, 35: krhs. Vap 10, 38)

Qëndrim të njëjtë duhet të ketë Kisha ndaj të sëmurëve, ne të gjitha rastet, duke qenë afër tyre që vuajnë, për t’u kujdesur nëpërmjet solidaritetit dhe dashurisë.

Jezusi tha edhe këtë: “Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimi të botës! Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e më erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë!... Për të vërtetë po ju them: çkado bërë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.” (Mt 25, 35-36. 40)

Prandaj Jezusi është identifikuar me çdo njeri që vuan dhe kërkon prej nesh ta duam dhe ta shërbejmë Atë në të afërmin nevojtar, për të pasur mundësi të hyjmë në Mbretërinë e qiellit, për ta arritur shëlbim. Kriteri i gjyqit të përgjithshëm dhe përfundimtar do të jetë ky: nëse e kemi njohur, dashur, shërbye Krishtin në të afërmin tonë në vuajtje!

Shi kjo porosi e Jeusit kishte frymëzuar tërë jetën dhe veprën e Nënës Tereze. Ajo thotë: “Nëse motrat tona, në këta njerëz nuk do ta shihnin fytyrën e Krishtit, puna e tillë do të ishte e pamundshme (ajo mendonte sidomos për punë me ata që janë në buzë të vdekjes dhe të gërbulurve, vr. ime). Ne duam që të bindën se janë njerëz që meritojnë dashurinë e vërtetë - edhe më tepër, që Zoti i do pa masë. Këtu, ata e gjejnë dinjitetin e tyre njerëzor dhe vdesin në heshtje mbresëlënëse... Zoti e do heshtjen...E tërë koha ime është e të tjerëve, sepse duke u kushtuar me tërë zemrën time të varfërve, të sëmurëve, të vuajturve, ne shërbejmë Krishtin në fytyrën e tij të shëmtuar, sepse vetë ai na thotë: “Më keni bërë mua”. Dhe vazhdon: “Kriteri i kujdesit tonë nuk janë besimet, por nevojat e tyre. Të gjithë janë Korpi i Krishtit, janë Krishti nën trajtën e nevojës për ndihmë dhe dashurisë. Ata kanë të drejtë ta përjetojnë dhe pranojnë këtë prej nesh”.

Kisha Katolike kujdeset për të sëmurë, ka shumë spitale, strehimore, ambulanca, që janë në shërbim të sëmurëve, shkas dhe rast për dëshmimin e dashurisë së krishterë.

“Kisha i rrethon me kujdes dhe dashuri të gjithë ata që janë të mundur prej dobësisë njerëzore, madje njeh në të varfrit dhe të vuajtur, kujdesin për t’i plotësuar nevojat e tyre dhe në ta mundohet t’i shërbejë Krishtit.” (LG 10)

Ky dërgim dhe mision i madh nuk duhet të tretët, nënçmohet, por me përkushtim, fe dhe dashuri të plotësohet dhe zbatohet, sepse vuajtja pa dashuri është vrastare.

“Sot ka shumë mjekime gati për çdo lloj sëmundje. Mirëpo s’ka duar të mira për shërbim, zemra bujare për flijim dhe dhurim. Mendoj që kurrë s’do të mund të shërohet sëmundja e mos-dashurisë...Asnjë sëmundje, as gërbula, s’mund ta shëmtojë fytyrën njerëzore, që mos ta njoh në të fytyrën e vëllait apo motrës, edhe më shumë, vetë fytyrën e Krishtit që vuan.” (Nëna Tereze).

Prishtinë, 30 mars 2022 Radio Maria – Kosovë Don Lush GJERGJI

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat