Jezusi dhe mëkatarët

Religjion

Jezusi dhe mëkatarët

Nga: Don Lush GJERGJI Më: 7 prill 2022 Në ora: 08:40
Nëna Terezë

“Jezusi mund të falë shumë, sepse ka shumë dashuri, mund ta falë një mëkat të madh. Siç është për Jezusin, ashtu duhet të jetë edhe për ne, nëse vërtet duam të falim, duhet vërtet të duam.

(Nëna Tereze)

Njeriu njëkohësisht është i mirë dhe i keq, i fortë dhe i dobët, i vdekshëm dhe i pavdekshëm, shpirtëror dhe trupor, i prirë kah e mira, por edhe e keqja. Dëshirat e tilla krijojnë në ne konflikte të brendshme: mundem apo nuk mundem, duhet apo nuk duhet, dua apo nuk dua, është mirë apo keq, është e dobishme apo e dëmshme, shërben apo nuk shërben?

Mirëpo, krenaria nuk na “lejon” që ta pranojmë paaftësinë tonë, kufizimet, edhe më pak që vetëm me të tjerët mund ta realizojmë vetveten; edhe më pak, të pranojmë se pa Zotin, njeriu është qenie e padefinuar: në kërkim, i tretur, i pakënaqur, i pasigurt, i dëshpëruar...

Një përvojë e ngjashme, është edhe mëkati, sidomos kur vjen në shprehje dobësia njerëzore, kufiri, paaftësia e njeriut për të zgjedhur e bërë mirë, si dhe evituar të keqen.

“Në të vërtetë, njeriu nëse vështron brenda zemrës së vet, zbulon se është i prirur edhe nga e keqja, dhe është i zhytur në shumë mjerime, që sigurisht nuk mund të vijnë prej Krijuesit, i cili është i mirë... Kështu, njeriu është i ndarë në vetvete. Prandaj e gjithë jeta njerëzore, si individuale ashtu edhe kolektive, paraqet karakteristikat e një lufte dramatike mes të mirës dhe të keqes, mes dritës dhe errësirë. Madje njeriu është i paaftë t’i kapërcejë siç duhet ai vetëm sulmet e të keqes, kështu që secili ndihet si i lidhur”. (GS 13)

Kjo përvojë e shtyri Shën Palit të shkruante kështu: “Dhe e di se e mira nuk banon në mua – dmth. në natyrën time trupore: sepse ta dua të mirën jam i zoti, por jo edhe të veproj të mirën, pasi nuk e bëj të mirën që dua, por të keqën që nuk e dëshiroj, atë e bëj.” (Rom 7, 18-19)

Në këtë luftë të brendshme, çdo njeri ka nevojë të përkrahet, ndihmohet dhe solidarizohet për të arritur në rritjen e së mirës dhe vetvetiu pakësimin e së keqes.

“Mëkati më i madh është mungesa e dashurisë, indiferenca e tmerrshme për të afërmin, që lëngon nëpër rrugët e botës, si viktimë e shfrytëzimit, korrupsionit, moskujdesit shëndetësor, padrejtësisë.” (Nëna Tereze)

Jezusi bëhet njeri për të na ndihmuar, përkrahur dhe lehtësuar në këtë luftë të brendshme mes të mirës dhe të keqes. Madje, me dashurinë e tij, me falje, me vdekje dhe ngjallje, na dhuron lirinë nga robëria e mëkatit dhe vdekjes. Mu për këtë, në jetën dhe veprimtarinë e tij Ai pati një parapëlqim të veçantë ndaj mëkatarëve, duke u munduar kështu ta përkrahte të mirën në çdo njeri, si dhe për ta mposhte të keqen.

Jezusi, haptas dhe qartas thotë: “Biri i njeriut erdhi ta kërkonte e ta shpëtonte atë që kishte humbur.” (Lk 19, 10)

Misteri i së mirës dhe së keqes në njeriun, varet nga shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, mbi të gjitha, nga përdorimi i lirisë.

“Njeriu, mund të drejtohet nga e mira vetëm në liri. Bashkëkohësit tanë e vlerësojnë së tepërmi dhe kërkojnë me afsh atë, e me të drejtë. Por shpesh e kultivojnë atë në mënyrë të gabuar, sikurse të ishte e lejueshme gjithçka që na pëlqen, përfshirë këtu edhe të keqen. Liria, te njeriu është një shenjë e privilegjuar e shëmbëlltyrës hyjnore... Njeriu, arrin në këtë dinjitet kur, duke u liruar prej çdo skllavërie pasionesh, priret nga qëllimi i vet nëpërmjet zgjidhjes së lirë të të mirës dhe me nismën e vet të zellshme gjen mjetet e përshtatshme për këtë. Këtë drejtim nga Hyji, liria e njeriut, realisht e plagosur prej mëkatit, nuk mund ta bëjë plotësisht efektive përveçse nëpërmjet ndihmës së hirit hyjnor”. (GS 17).

Çelësi i këtij ndërrimi dhe përmirësimi, është JEZUSI, hapja dhe bashkëpunimi me të. Mosdorëzimi para së keqes, besimi në Jezusin, në fitoren e tij, që bëhet liria, gëzimi dhe fitorja jonë. Vetëm Jezusi është liria jonë e plotë, që përkrahë të mirën në ne, e rritë atë, e bënë të pjekur dhe veprues, duke shtuar në ne aftësinë për bashkëpunim me të tjerët.

Është mrekulli dëshmia e kësaj lirie, edhe pse jemi të dobët dhe mëkatarë, sepse Zoti kurrë nuk na braktisë, dhe Ai kurrë nuk është dëshpëruar në njeriun dhe njerëzimin. Madje, mund të themi kështu: sa më të dobët jemi, aq më shumë na do dhe përkrahë, sepse e di se hiri i tij “ndikon në ju e të doni e të veproni.” (Fil 2,13)

Fatkeqësisht, edhe pas dymijëvjet, ende shumë njerëz nuk duan ta dinë dhe ta pranojnë të vërtetën bazë që Jezusi është e vetmja mundësi e vërtetë për të qenë njerëz të ri, të lirë, të aftë për të dashur dhe kërkuar dhe dhuruar falje, për t’u gëzuar dhe pikëlluar, për të besuar, dëshmuar dhe jetësuar humanizmin e ri, familjen e re, botën e re të përtërirë në Jezu Krishtin (krhs. GS 22).

Për shumë njerëz, Jezusi trajtohet ende vetë si kufizim, pengesë, ndalesë e lirisë dhe të realizimit, gati si një lloj rivali, madje edhe si dikush që dëshiron t’na detyrojë në robëri. Për ata që mendojnë dhe besojnë kështu, liria e vërtetë është e keqja, mëkati, liria për të bërë çka di, mundëm, më pëlqen mua, si arbitrarizëm i gjithçkahit.

Nëma Tereze dëshmon: “Mëkati na përndjek, është i pranishëm në ne. Mirëpo kurrë nuk duhet të dorëzohemi dhe dëshpërohemi. Nuk duhet të ndihemi dhe të jemi të pashpresë...Gjithë kjo nuk na nevojitet nëse e kemi kuptuar butësinë e dashurisë së Zotit. Ne jemi të çmuar për Atë, sepse Ai na do, na do aq përkushtim, sepse jemi të trajtuar me dorën e tij.. Kur zemra juaj është e shqetësuar, kur zemra juaj është në dhembje, kur zemra juaj duket se po thuhet... atëherë kujtojeni këtë: “Unë jam i çmueshëm për Atë, Ai më do. Më ka ftuar për emër. Jam i tij. Zoti më do. Për ta dëshmuar dashurinë e tij Jezusi ka vdekur në kryq.”

Në luftë kundër mëkatit, nuk jemi të vetmuar: me ne është gjithmonë Jezusi, bashkësia e krishterë, hiri i Zotit. Me përvujtëri dhe dashuri mund të shkojmë përpara në kërkim të së mirës dhe të lirisë, të përsosmërisë.

E vetmja fuqi që mund ta ndërrojë botën është DASHURIA – ZOTI. Nëse është e vërtetë gjendja e së keqes, mëkatit, edhe më e vërtetë është vepra e shëlbimit – Krishtit të mëshirshëm. Atëherë, pse të ndalemi te hapi i parë, i së keqes, dhe mos të ecim deri në fund, te Jezusi dhe me Jezusin, me të cilin edhe ne e mundim të keqen, robërinë, mëkatin.

Nëse është e rëndë dhe e dhembshme gjendja e mëkatit, aq më e bukur dhe ngushëlluese është ajo e faljes, dashurisë dhe mëshirës – JEZUSI!

Prishtinë, 6 prill 2022 Radio Maria – Kosovë Don Lush GJERGJ

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat