Netët e Ramazanit në Prizren, 2022

Religjion

Netët e Ramazanit në Prizren, 2022

Nga: Faik Miftari Më: 30 prill 2022 Në ora: 22:50
Faik Miftari

Para 25 vitesh pata shkruar shkrimin” Netët e Ramazanit në Prizren”, tani një çerek shekull pas kësaj, netët e Ramazanit në Prizren kanë pësuar ndryshime drastike që nuk kisha menduar se do të mund të ndodhnin gjatë kësaj periudhe kohore.

Edhe pse tani Ramazani është i pranishëm në mediat televizive dhe portale si kurrë më parë, Ramazani në praktik tek besimtarët mysliman në Prizren është zbehur në masë të madhe, në krahasim me periudhën para një çerek shekulli.

Në qytetin e Prizrenit me 40 xhami dhe 44 minare dhe 2 mesxhide(objekt fetar faljeje pa minare), sivjet namazi i teravisë( falet vetëm gjatë netëve të Ramazanit), është falur në 38 xhami dhe 2 mesxhide. Prania e xhematit gjatë faljes së teravisë ka qenë më e ultë se kurrë më parë. Pata rast të falem në 20 xhami gjatë këtij Ramazani, si në xhamitë në qendër të Prizrenit ashtu edhe në xhamitë në lagjet periferike të qytetit si dhe në 2 xhamitë në fshatrat e Prizrenit .

Pas një çerek shekulli dallimi ishte aq i madh, sa që nuk kisha mundur të paramendoj në teori e lere të përjetojë në praktik se do të mund të ndodh një gjë të tillë në Prizrenin e 40 xhamive me 44 minare. Pothuajse të gjitha xhamitë që i vizitova, ishin gjysmë të zbrazura, ndërsa pas faljes së 8 reqateve të teravive ato edhe më shumë zbrazeshin. Vetëm në dy xhamit që fala teravitë, në xhamin e Ahmet beut(Tabakhanes) dhe në xhamin e Antaljas(Ortakoll) ishin përplot të mbushura. Mbeta pa fjalë, kur vizitova xhamin e Jenimahallës dhe xhaminë e parë në lagjen e Tususit, të cilët para një çerek shekulli ishin përplot të mbushura me xhemat, me nga 400-500 xhematlinjë(falës), tani për habinë time hasa vetëm në 40-50 xhematlinjë në teravi. Në zonat rurale, gjendja ishte edhe më alarmante, në të dy xhamit që fala në dy fshatra ishin prezent vetëm 30-40 xhematlinjë(falësit).

Në rast se do të vazhdojë ky trend i zbrazjes së xhamive dhe mos frekuentimit të tyre nga besimtarët mysliman, gjatë një periudhe të shkurtër kohore xhamitë do të mbyllen, dhe do të hapen vetëm gjatë namazit javor të xhumasë(ditë e premte), si dhe 2 namazeve vjetore, të Fitër dhe Kurban Bajramit.

Në zonat rurale, situata do të jetë edhe më vështir, edhe për shkak të migrimit të madh nga zonat rurale në zonën urbane të qytetit, si dhe të largimit enorm të të rinjve drejt Perëndimit për një vend pune. Xhamitë në fshatra do të mbesin si relikte fetare, në të cilin më nuk do të ketë xhemat për të falur as namazin javor të xhumasë. Krahas xhamive që do të mbesin pa xhemat, njëjtë do të përjetojnë edhe shkollat, që do të mbesin të zbrazura pa nxënës dhe ambulanca pa pacient, edhe pse pas luftës në Kosovë, pothuajse në të gjitha fshatrat janë ndërtuar apo rindërtuar xhamit, shkollat dhe ambulancat.

Para një çerek shekulli besimtarët në Prizren, organizonin iftare në shtëpitë e tyre me ç’rast ftonin familjar, miqtë, shokë dhe dashamirë, tani edhe pse shtëpitë janë të reja, ato kanë mbet pa mysafir, pasi që tani iftaret po organizohen nëpër restorante dhe shtëpitë kanë mbet boshe pa mysafirë për Ramazan. Para një çerek shekulli, çdo natë pas iftarit shkohej në vizita tek familjarët,miqtë dhe shokë, tani sivjet pothuajse askush më nuk shkon më për vizita familjarëve, miqve, shokëve porse e urojnë Ramazanin nëpërmes rrjetave sociale. Kulminacion i gjithë kësaj ishte edhe pandemia që zgjati dy vjet e që ja vëri kapakun mbylljes, distancimit dhe largimit nga familjarët, miqtë, shokë dhe kolegë.

Dikur, para një çerek shekulli, organizimi përmbyllës i Ramazanit organizohej në natën e madhe të Kadrit, në natën e 27 të Ramazanit, në xhaminë qendrore të Bajraklisë(Gazi Mehmet Pashë), në të cilin xhami natën deri vonë frekuentonin mijëra besimtarë nga të gjitha xhamitë e qytetit e besa edhe nga fshatrat e Prizrenit. Sivjet, as që pati organizim fetar përmbyllës në xhaminë e Bajraklisë, nuk e di a kanë harruar përgjegjësit e Bashkësisë Islame të Prizrenit se për nder të natës së 27 organizohej programi enkas në xhaminë e Bajraklisë, apo ndoshta akoma nuk po mund të këndellen nga pandemia.

Në përmbyllje të këtij vështrimi, do të kisha shtuar se Bashkësia Islame e Kosovës, do të ishte mirë të mendojë, tani e tutje që namazin e teravisë të shkurtojë në 8 reqate, pasi në praktik çdo vit më shumë besimtarët pas faljes së 8 reqateve të teravisë po braktisin xhamitë, dhe neve të tjerëve po na lenë në një situatë jo të këndshme, të vazhdimit të faljes edhe të 12 reqateve të mbetura të teravisë.

P.S. Një satisfakcion për mua ishte, përjetimi i një jubileu personal, 50 vjet të falurit të namazit dhe agjërimit të Ramazanit, si dhe 5 vite të kryerjes së Haxhit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat