Propozime konkrete për Bashkësinë Islame të Kosovës(BIK-un)

Religjion

Propozime konkrete për Bashkësinë Islame të Kosovës(BIK-un)

Nga: Av. Faik Miftari Më: 8 maj 2022 Në ora: 18:11
Av. Faik Miftari

Në fund të Ramazanit të këtij viti, pata shkruar një vështrim me titull” Netët e Ramazanit në Prizren, 2022”. Një shok pas kësaj pat postuar në Facebook një koment me këtë përmbajtje:”Shumë shkrimi interesant, por duhet të japësh edhe një ide për zgjidhjen e këtij problemi, e jo vetëm parashtrimin e problemit”.

Kjo më nxiti që të shkruaj këtë vështrim se si e shoh unë zgjidhjen e këtij problemi që ka të bëjë me zbehjen e ritualeve fetare nga ana e besimtarëve mysliman në Kosovë, me propozime konkrete se si do të duhej të veprojë Bashkësia Islame e Kosovës (BIK-u) për zgjidhjen e këtij problemi.

Një kohë të gjatë është duke qëndruar e ndezur drita e kuqe në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe se është koha e fundit që BIK-u të veprojë në drejtim të fikjes së kësaj drite, pikësëpari duke u nisur nga shtrirja vertikale, stafi udhëheqës në nivelin qendror të BIK-ut(myftiu, kryemami dhe kryesia) si dhe stafi udhëheqës në nivelin lokal ( kryetari, kryemami dhe këshilli), duke vazhduar me shtrirjen horizontale të saj,tek imamët(hoxhallarët) anekënd Republikës së Kosovës.

Bashkësia Islame e Kosovës është çasti i fundit që të këndellet dhe të merr veten, për të rikthyer misionin e saj drejt objektivit primar, organizimin dhe mbarëvajtjen e jetës fetare, nga objektivi sekondar dhe terciar që tani është duke ushtruar, ofrimi i shërbimeve të funeraleve të xhenazeve, dhe të shpërndarjes së ndihmave humanitare për të varfrit dhe skamnorët.

Botërisht është e ditur se feja Islame nuk njeh institucionin e klerit, andaj Bashkësia Islame e Kosovës duhet ndërruar diskursin e tanishëm klerikalist që është duke mbajtur, me ç’rast ka përjashtuar tërësisht nga pjesëmarrja dhe vendimmarrja aktive besimtarët mysliman , të cilët me idetë e tyre kreative, mendore, intelektuale dhe organizative në fushat e caktuara sikurse asaj ekonomike, juridike, financiare, informative, teknologjike,etj., do të do mund të japin kontributin e çmuar dhe aq të nevojshëm dhe të domosdoshëm për BIK-un.

Qëndrimet klerikaliste të BIK-ut dhe përjashtuese ndaj besimtarëve mysliman, kanë arritur gjer në atë shkallë sa që nga personat e caktuar udhëheqës, qoftë të nivelit lokal apo qendror iu pamundësohet jo vetëm pjesëmarrja dhe përfshirja e besimtarëve mysliman në organet e saja, por edhe e drejta e të shprehurit dhe të shkruarit, pasi që, gjithnjë sipas tyre, besimtarët mysliman nuk kanë të drejtë të flasin dhe të shkruajnë për çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me institucionet e Bashkësisë Islame të Kosovës. Kjo praktikë e tanishme duhet ndërprerë dhe lejuar kyçjen e besimtarëve mysliman në fushat e lartcekura, për të cilat besoj se Bashkësia Islame e Kosovës do të ishte më e avancuar dhe në një stad më të lartë organizativ të jetës fetare në Kosovë .

Po të ishin kyçur disa besimtar mysliman nga xhematet anekënd Kosovës, anëtar të kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe këshilltar pranë myftiut dhe kryeimamit të Kosovës, apo anëtar të këshillave lokale dhe këshilltar të kryetarëve dhe kryeimamëve të Këshillave të Bashkësive Islame, puna organizative do të ishte më e suksesshme dhe më shpresëdhënëse për BIK-un.

Poashtu duhet të ndryshojë perceptimi i gjertanishëm Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila në vend të investimeve ” kryesisht në ndërtimin e xhamive”, tani do të duhej përqendruar në zgjerimin e botimit të revistave, librave dhe punimeve fetare shkencore, përmirësimin dhe pasurimin e ueb portaleve të saja me materiale aktuale konform aktualitetit kohor, me të cilin do të mundësojë besimtarët mysliman të kenë qasje drejt zgjerimit të njohurive të tyre jo vetëm fetare, por edhe kulturore, politike, shoqërore, historike, sociale, etj.

Kjo do të duhej të ishte sfida me të cilin Bashkësia Islame e Kosovës do të duhej të ballafaqohet gjatë shekullit XXI-të duke u marrë sa më shumë me ”ilmin”- dijen, e cila shpesh është e përmendur në Kur’an, si dhe thënien e të dërguarit të Zotit fuqiplotë, profetit tonë të dashur Muhamedit a.s, se: ” ngjyra e lapsit të dijetarit është me e vlefshmja se gjaku i dëshmorit” .

Edhe pse ka kaluar një dekadë nga premtimi i dhënë i myftisë për themelimin e një Instituti shkencor brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, më në fund kjo gjatë vitit të kaluar u realizua, të cilin duhet përgëzuar si një hap i rëndësishëm në jetësimin e këtij instituti tejet të nevojshëm për ngritjen e cilësisë së nivelit arsimor e shkencor për të gjithë kuadrot, qofshin ata nxënës, studentë, imam, profesor apo ligjërues që të kenë mundësi të merren me studime dhe hulumtime shkencore në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovë.

Ngritja e cilësisë së ligjërimit, të shkruarit dhe të lexuarit nga ana e nxënësve, studentëve, imamëve, profesorëve dhe ligjëruesve, kuadrove të Bashkësisë Islame të Kosovës do të ishte propozimi i radhës për Bashkësinë Islame të Kosovës. Profesorët që japin mësim në medresetë dhe pedagogët në fakultet duhet të jenë të ngritur në nivelin sa më të lartë mësimor e shkencor, me virtyte të larta morale dhe njerëzore, pikësëpari duke pas parasysh aftësitë e tyre intelektuale, kreative dhe pedagogjike që t’i edukojnë dhe arsimojnë imamët (hoxhallarët) e ardhshëm në Kosovë që të mund të përballen me sfidat me të cilët do të ballafaqohen gjatë punës së tyre me xhemat në xhamitë në Kosovë. Nuk mjafton vetëm diploma e medresesë, fakultetit, masterit apo doktoraturës si kusht për punësim në xhami, medrese, fakultet, apo organe tjera të Bashkësisë Islame të Kosovës, por duhet të posedojnë vullnet të përhershëm ndaj leximit, t studimit dhe ligjërimit. Përveç aftësisë së oratorisë,imamët, profesorët dhe ligjëruesit duhet të posedojë edhe aftësinë e të shkruarit, pasi që fjala e “shqiptuar harrohet por fjala e shkruar mbetet përherë e shënuar”

Bashkësia Islame e Kosovës duhet të zë hapin me aktualitetin kohor për t’u përballur me sukses me trendet dhe risitë e reja teknologjike dhe informative të shek. XXI-të të cilët sollën përveç tjerash një “revolucion kulturor global “i cili i ka prekur apo i ka goditur të gjitha popujt, religjionet, kulturat, anembanë globit. Reflektimi i këtij “revolucioni kulturor” është prezent në masë të madhe edhe në shoqërinë tonë kosovare, duke mos anashkaluar edhe besimtarët mysliman. Në rast se BIK-u nuk do të përballet me kohën dhe risi të reja që aktualitetit kohor i sjell, gjatë periudhës së ardhshme kohore do të ketë zbehje të mëtutjeshme të besimtarëve mysliman nga pjesëmarrja në namazet(faljet) në xhamitë.

Shpikja e internetit, smartfonave të mençur, rrjeteve sociale, përveç revolucionit informativ ka shkaktuar edhe revolucion kulturor në shoqëritë e kulturave të ndryshme në botë. Këto shpikje kanë bërë impakt radikal në shoqëri, duke larguar takimin“live” të besimtarëve mysliman në xhamia, me takimin në “distancë” të besimtarëve në rrjete sociale, si pasojë e së cilës është edhe largimi i tyre nga xhamia, dhe zhvendosja drejt rrjeteve sociale.

Imamët(hoxhallarët) e Bashkësisë Islame të Kosovës duhet të përqendrohen tek këto sfidat e reja kohore me të cilat po përballen gjatë këtij shekulli. Për të pasur sukses duhet ndryshuar qasja e gjertanishme e punës së BIK-ut me xhemat, ashtu që do të ishte parësore dhe urgjente që Bashkësia Islame e Kosovës të hartojë një platformë të organizimit, të veprimit dhe të punës së imamëve në raport me xhematet e tyre, me ide të reja, forma të reja, metoda të reja, që do të mundësonte mbajtjen gjallë të aktivitetit fetar dhe parandalimin e largimit të xhematit nga xhamitë e Kosovës.

Se si duhet të jetë kjo platformë, dhe çfarë duhet të përmbajë ajo, për t’u ballafaquar me sukses me këto risi teknologjike dhe informative, i mbetet Bashkësisë Islame të Kosovës të hartojë strategji afatgjate të veprimtarisë së vet kundruall sfidave aktuale kohore. Se sa do të jetë e suksesshme dhe a do të mund të arrijë këtë të bëjë Bashkësia Islame e Kosovës do të mbetet të shohim, pasi që është detyrë dhe amaneti i saj, si udhëheqëse, dhe organizatore e mbarëvajtjes së jetës fetare të besimtarëve mysliman në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat