Dekretet konciliare - “Inter Mirifica” – Mes Shpikjeve të Mrekullueshme

Religjion

Dekretet konciliare - “Inter Mirifica” – Mes Shpikjeve të Mrekullueshme

Nga: Don Lush GJERGJI Më: 5 korrik 2022 Në ora: 12:27
Don Lush Gjergji

Ky është Dekreti i parë i Kishës Katolike kushtuar mjeteve pamore-dëgjimore, të cilat kohëve të fundit kanë një zhvillim të hovshëm dhe të rëndësishëm në botën bashkëkohore. Kjo, pa dyshim, ka ndikuar dhe ndikon edhe në jetën e Kishës dhe të krishterëve.

Sot s’mund as të paramendohet më predikimi, ungjillëzimi, katekizimi pa këto mjete, të cilat janë bërë përditshmëri tashmë në komunikim.

Këto janë ato “shpikje të mrekullueshme” për të cilat na flet Dekreti IM, “prej të cilave ne s’duhet të kemi frikë”, thoshte Shën Gjon Pali II.

Papa Pali VI në mbarim të punimeve për aprovimin e dekretit IM ndër të tjera thotë: “Një fryt tjetër, jo me rëndësi të vogël, i Koncilit tonë është Dekreti mbi mjetet e komunikimit shoqëror, që vërteton haptazi që Kisha ka aftësi për ta lidhur jetën e jashtme me atë të brendshme, veprimtarinë me kontemplim, apostolatin me uratë”.

Sot flitet dhe shkruhet për “kulturën digjitale”, që sipas kardinalit Carlo Maria Martinit “nuk janë më ekrane për t’u shikuar, radio për t’u dëgjuar. Janë një atmosferë, një ambient në të cilin jemi thelluar, ai na përshkon dhe depërton në çdo anë. Ne jemi në botën e zërave, të fotografive, të ngjyrave, të impulseve dhe të dridhjeve, siç një primitiv është i thelluar në një pyell, siç një peshk në ujë. Ky është ambienti ynë, mediat janë një mënyrë e re e të qenunit gjallë” (Milano, 1991).

Papa Françesku thotë: “Kontinenti i madh digjital nuk është thjesht teknologji, por përbëhet prej burrave dhe grave reale që bartin në vete shqetësime, kërkimin e së vërtetës, të së bukurës dhe të së mirës” (21 shtator 2013).

Struktura e Dekretit konciliar IM

Hyrja (1-2);

Doktrina e Kishës (3-12);

Veprimi baritor i Kishës (13-22);

Përfundim (23-24).

Me një fjali mund të përmblidhet kështu porosia bazë e këtij Dekreti: Kisha katolike nuk ekskomunikon, përjashton, mallkon, por komunikon.

Risitë dhe të arriturat e IM

Mjetet e komunikimit janë të pranishme, të rëndësishme në botë, pra, edhe në Kishë, sidomos për shërbime baritore dhe ungjillëzuese.

IM jep një vlerësim etike-moral të këtyre mjeteve dhe mundësive të reja dhe në hov të madh të zhvillimit. Me këtë qëndrim dhe vlerësim Kisha katolike është i hapur ndaj zhvillimit të mëvonshëm.

Dialogu nëpër famulli dhe bashkësi të krishtera, nëpërmjet zyrave të veçante të cilat merren me këtë tematikë.

Bota si “fshat global” si areopagu modern për ungjillëzim.

Komunikimi më nuk është vetëm mjet, por edhe më tepër mënyrë e re e jetës dhe veprimit, risi kjo e madhe dhe domethënëse për Kishën dhe botën e sotme.

Ky qëndrim pozitiv dhe konstruktiv është hapja dhe hyrja e Kishës ndaj realitetit të ri, mjet i fuqishëm i ungjillëzimit, pa të cilin s’ka as Kishë të gjallë dhe vepruese.

Selia Shenjte i jep rëndësi të madhe mjeteve pamore-dëgjimore për informim dhe formim njerëzor dhe të krishterë. Këtë e dëshmon edhe me organet përkatëse:

Osservatore Romano, e përditshmja e Selisë së Shenjte;

Radio Vatikani, që transmeton programe të ndryshme në shumë gjuhë;

Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore;

Dita Botërore e Mass Mediave, e diela e parë para Rrëshajave, dhe shumë nisje tjera.

Papa Françesku, Desiderium desideravi (Kam pasur dëshirë të madhe), kushtuar reformës liturgjike, Vatikan, 29 qershor 2022, drejtuar Kishës katolike, n. 65.

“Me këtë letër - shkruan Papa Françesku - thjesht doja ta ftoja gjithë Kishën ta rizbulojë, ta ruajë dhe ta jetojë të vërtetën dhe forcën e kremtimit”.

Papa Françesku thekson se “rizbulimi i vazhdueshëm i bukurisë së Liturgjisë nuk është kërkimi i një estetizmi ritual, që kënaqet vetëm duke u kujdesur për formën e jashtme të një riti, ose me respektimin e përpiktë të rubrikës”.

Për Papën tani është "e nevojshme gjetja e kanaleve të formimit si studim i liturgjisë: nisur nga lëvizja liturgjike, është bërë shumë në këtë kuptim, me kontribute të çmuara nga shumë studiues dhe institucione akademike”.

Liturgjia duhet të shpjegohet dhe t’iu afrohet dhe ofrohet të gjithëve, si pjesëmarrje në veprën e shëlbimit.

Papa Françesku thekson se është e rëndësishme, para së gjithash, të jetosh në mister, sepse “artin e kremtimit nuk e mëson mbasi ndjek ndonjë kurs të të folurit publik ose teknikat e komunikimit bindës (unë nuk gjykoj qëllimet, shoh efektet). Çdo mjet mund të jetë i dobishëm, por gjithmonë duhet t’i nënshtrohet natyrës së Liturgjisë dhe veprimit të Shpirtit Shenjt. Ne kemi nevojë për përkushtim të zellshëm ndaj kremtimit, duke e lënë vetë kremtimin të na transmetojë artin e saj”.

Ai flet edhe për rëndësinë e kryesimit të festës. “Nëse është e vërtetë - shkruan ai - që ars celebrandi ka të bëjë me të gjithë asamblenë që kremton, është po aq e vërtetë se të shuguruarit duhet të kenë kujdes të veçantë për të. Në vizitat e bashkësive të krishtera kam vërejtur shpesh se mënyra e tyre e të jetuarit të kremtimit kushtëzohet - për të mirën dhe, për fat të keq, edhe për të keqen - nga mënyra sesi prifti i famullisë së tyre kryeson asamblenë e bashkësisë. Mund të themi se ka ‘modele’ të ndryshme të presidencës”.

Papa Françesku thekson se meshtari duhet t'i nënshtrohet gjithnjë natyrës së Liturgjisë dhe veprimit të Shpirtit Shenjt.

Ai komenton: “Që ky shërbim të bëhet mirë - me art - është themelore që meshtari të ketë, mbi të gjitha, vetëdijen e gjallë për të qenë, për mëshirë, prani e veçantë e të Ngjallurit”.

Sipas këtij udhëzimi dhe letra dy gjera janë vendimtare: nuk ka më liturgji sipas ritit parakoncilar dhe duhet të kultivohet dhe begatohet gjithnjë shpirti i kremtimit.

Prishtinë, 5 korrik 2022 Radio Maria – Kosovë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat