Dekreti mbi ripërtëritjen e jetës rregulltare “Perfectae Caritatis” Përsosmëria e Dashurisë

Religjion

Dekreti mbi ripërtëritjen e jetës rregulltare “Perfectae Caritatis” Përsosmëria e Dashurisë

Nga: Dom Lush Gjergji Më: 26 korrik 2022 Në ora: 12:27
Autori Dom Lush Gjergji

Dekreti mbi ripërtëritjen e jetës rregulltare “Perfectae Caritatis”, i KDV është përpunuar gjashtë herë nga këshillat, komisionet, grupet e punës, ekspertët e kësaj lëmie, deri te forma përfundimtare që është aprovuar nga Etërit e Koncilit më 28 tetor 1965 me 1324 votime Po, 4 kundër.

Dekreti mbi Jetën e kushtuar apo rregulltare ka këtë përbërje:

Parathënie nr. 1;

Ripërtëritje dhe përshtatje nr. 2-11;

Tre kushtet rregulltare nr. 12-24;

Përfundimi nr. 25.

Jeta rregulltare ka dy burime themelore, Zotin, si frymëzimin dhe ftuesin kryesor, dhe themeluesin apo themeluesen e bashkësive rregulltare, gjithnjë në bazë të këshillave ungjillore. Dekreti PC kërkon së pari plleshmërinë shpirtërore të Shpirtit Shenjt, pastaj dimensionin teologjik të thirrjes, natyrën e jetës rregulltare, kushtet e jetës rregulltare si dhe dëshminë praktike dhe eskatologjike mbi vlerat e jetës së kushtuar.

KDV kërkon “accomodata renovatio” që ne mund ta themi shqip përtëritjen e përshtatshme, e cila mund të shprehet dhe përshkruhet kështu:

çmon dhe përkrah traditën kishtare shekullore (khs. PC 2);

kërkon ripërtëritjen e jetës rregulltare;

parësinë e jetës shpirtërore, soditjen (khs. PC 6, 7);

jetën aktive (PC 8);

jetën rregulltare laike (PC 10).

Shtyllat kryesore të përtëritjes së jetës rregulltare sipas PC janë:

Reforma, si kthim te burimet dhe përgjigje e nevojave të Kishës dhe të botës, si proces në vazhdimësi apo permanent dhe në zhvillim, e jo më si ndonjë akt i kryer apo i përfunduar.

Përditësimi apo aggiornamento i bashkësive rregulltare, që duhet të jetë i frymëzuar dhe i përcjell nga Shpirti Shenjt.

Hapja ndaj Zotit, Kishës dhe botës, por me parime të shëndosha dhe të qarta: së pari të jetosh e vetëm pastaj të veprosh.

Përditësimi dhe besnikëria na ndihmojnë që t’i ikim formalizmit, sa për sy e faqe, si dhe modernizmit, si të tjerët, me bindje dhe përcaktim: si do, kërkon, pret Jezusi, Kisha, pastaj edhe bota (khs. PC 11-16).

Kjo kërkon prej bashkësive rregulltare pjesëmarrjen në jetën e Kishës, si dhe njohjen dhe ndarjen e nevojave të botës. Kështu arrijmë të zemra e “reformës shpirtërore”, pa të cilën çdo gjë do të ishte e kotë dhe pa fryte (khs. PC 2 e).

Ndoshta është humbur shumë kohë, energji, mjete financiare në kërkimin dhe zbatimin e reformave e formave, ligjeve, kushtetutave, rregulloreve, uniformës apo veshjes rregulltare, duke lënë anash kryesoren, shpirtëroren, ungjilloren, me synim për një jetë më të lehtë, me veprimtari të ndryshme, por shpesh ndoshta pa Krishtin, pa Kishën, pa jetën shpirtërore, uratën, flijimin, dhurimin, dëshminë e krishterë.

Përditësimi nuk është vetëm ndërrim, pa motivet e thella të ndërrimit të brendshëm, pa karizma, jetën e kushtuar që mund ta shprehim edhe kështu: lex credendi dhe lex orandi, si parakusht për lex vivendi, ligji i fesë, ligji i uratës, për ligjin e jetës.

Në vitin 1994 ishte Sinodi Ipeshkvor mbi jetën e kushtuar, ku ishte shqyrtuar natyra e kësaj jete, bashkësia, dërgimi, që më vonë Papa Gjon Pali II e kishte përmbledhur në Nxitoren Apostolike “Vita Consacrata” me këto pika kryesore:

Burimi i jetës së krishterë është gjithnjë Krishti, Ungjilli, Kisha katolike.

Ajo kërkon një besnikëri dinamike ndaj Zotit, Kishës dhe Njeriut.

Identiteti i ri i jetës së kushtuar është kërkim i vazhdueshëm i Krishtit në Kishë dhe në çdo njeri, për t’iu shmangur klerikalizmit, mbylljen në vetvete, në qarqe të ngushta, si dhe shekullarizmit, shkrirjes sonë në përngjasim të botës.

Përtëritja është fryt i Shpirtit Shenjt, nëpërmjet vlerave dhe këshillave ungjillore, shenjtërisë.

Këtë e ka kërkuar dhe përpunuar shumë mirë LG, në dimensionin kristologjik dhe kristocentrik, për ta zbërthyer në dëshminë e krishterë.

PC kërkon shpirtin e Zotit, atë të Kishës, të traditës shekullore, që mund të jetë vetëm me anë të ndërrimit të jetës, identitetin e Kishës dhe të ungjillit dhe frymëzimit parësor.

PC është i vetmi dokument i KDV që haptas synon dhe kërkon pëtrirje të domosdoshme prej: të jesh tek të veprosh, ne besnikëri Zotit dhe kohës me orientime të qarta: Sequella Christi, përditësim, jetë të kushtuar sipas karizmave për jetësim dhe dëshmi.

Gjendja aktuale e bashkësive rregulltare sot mund të paraqitet kështu:

Humanizmi i jetës në kuvende dhe bashkësi;

Përtëritja karizmatike dhe kishtare e bashkësive, si dhe lulëzimi i bashkësive laike dhe i lëvizjeve kishtare;

Ka mjaft anë pozitive, por edhe sjellje pa përgjegjësi, do të thosha edhe naive, sepse janë hapur dyer dhe dritare, është krijuar huti dhe tollovi;

Sot ka më tepër përparësi cilësia se sasia apo numri i rregulltarëve apo rregulltareve;

Është vështirë të jepet vlerësimi i tërësishëm, por ka shenja pozitive në intensitetin e jetës së kushtuar, si dhe shenja negative në pakësimin e numrit dhe në ndarje mes jetës aktive dhe jetës kontemplative;

Dhurimi i plotë për Zotin, Kishën, Njeriun është shtegu më i mirë drejt reformës dhe amshimit, sepse “kthimi” është i vazhdueshëm kah burimet dhe frymëzimet, si dhe ndjekja e Krishtit dhe nevojave të kohës dhe njeriut të sotshëm.

Prishtinë, 26 korrik 2922 Don Lush GJERGJI

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat