​Israel Hayom: Izraeli po i krijon lidhjet me Kosovën

Religjion

​Israel Hayom: Izraeli po i krijon lidhjet me Kosovën

Më: 13 prill 2016 Në ora: 15:26

Deklaratat e presidentit Hashim Thaçi, se ai dëshiron të jetë presidenti i parë që do të vizitojë shtetin e Izraelit, kanë ngjallur debat të madh në këtë shtet.

Gazeta izraelite me tirazhin numër një në vend, “Israel Hayom”, ka botuar një opinion mbi marrëdhëniet aktuale mes Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit.

Gazetarja Lital Shemesh në një analizë, duke iu referuar ceremonisë së inaugurimit të presidentit Thaçi në Prishtinë, ka shkruar se Kosova duket të jetë ndër vendet e pakta, ku izraelitet janë të mirëseardhur.

“Ceremonia, të cilën isha me fat ta ndjek nga afër, e ulur në rreshtin e dytë, menjëherë prapa presidentëve evropianë – nuk qe i vetmi vend ku u mbulova nga dashuria dhe mirënjohja për faktin që isha izraelite. Ky shtet i vogël dhe i ri është plot respekt për Izraelin dhe është i etur për të qenë pranë tij, pavarësisht nga fakti se Kosova është një vend me shumicë myslimane”, shkruan ajo.

Sipas kolumnës së gazetës “Israel Hayom”, në takimet me deputetët e Kuvendit dhe me sipërmarrë sit, të gjithë e bënë të qartë se ata po prisnin ditën kur Izraeli do të bëhej një mik i vërtetë dhe të njihte shtetin e Kosovës.

“Harta diplomatike vendos Izraelin në një gjendje të ndërlikuar, në të cilën ai nuk e njeh Kosovën për shkak të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, gjë që do të mund të krijojë një precedent për palestinezët. Ndërkohë, jashtë arenës formale diplomatike, lidhjet po krijohen”, shkruan ajo.

Sipas saj, Qendra për Diplomaci Publike në Izrael (një trup private, joqeveritare) pret delegacione të njerëzve të biznesit dhe studentë nga Kosova, si dhe delegacione të Izraelit shkojnë në Kosovë për të mësuar për rajonin.

“Ky shtet i vogël shikon nga Izraeli me zili dhe admirim për mënyrën sesi vetëm për disa dekada arriti të shndërrohej nga një shkretëtirë në një superfuqi. Zyrtarë të lartë në Kosovë më thanë se po e presin ditën kur ekspertë të ekonomisë dhe bujqësisë nga Izraeli do të vizitojnë Kosovën për të ndarë njohuritë e tyre”, shkruan ajo.

Në fund, ajo përshkruan ceremoninë e inaugurimit të presidentit Thaçi, ku u performua kënga e John Lennonit, “Imagine”, dhe me atë mesazh pozitiv të paqes, “ne vetëm mund të shpresojmë se do të arrijmë të forcojmë lidhjet me ata që duan të jenë më afër nesh”, shkruan ajo.

Ditëve të fundit, në Izrael ka filluar një debat i gjerë për mundësinë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, pas deklaratave të presidentit Thaçi për njërën nga gazetat më me ndikim në Izrael, që ky shtet duhet ta njeh pavarësinë e Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat