Papa Françesku - Homelia e Meshës për shenjtërimin e Nënë Terezës

Religjion

Papa Françesku - Homelia e Meshës për shenjtërimin e Nënë Terezës

Më: 4 shtator 2016 Në ora: 12:08
ilustrim

Papa Françesku ka shenjtëruar sot në Vatikan Nënën Terezën, e respektuar për punën e saj me të varfrit në Indi.

“E kush mund ta përfytyrojë se çka do Zoti? (Ur. 9,13). Kjo pyetje nga Libri i Urtisë, që e dëgjuam në leximin e parë, na e paraqet jetën tonë si mister, çelësin e shpjegimit të të cilit nuk e kemi ne. Protagonistët e historisë janë gjithnjë dy: Zoti në njerën anë, njeriu, në tjetrën. Detyra jonë është ta perceptojmë thirrjen e Zotit e, më pas, ta pranojmë vullnetin e tij. Por, për ta pranuar pa ngurrim, duhet të pyesim: Cili është vullneti i Zotit në jetën time?

Në të njëjtin fragment të Librit të Urtisë, gjejmë edhe përgjigjen: “Vetëm kështu njerëzit mësuan çfarë të pëlqen”(v 18). Për ta vërtetuar thirrjen e Zotit, duhet të pyesim e të kuptojmë ç’i pëlqen Atij. Shpesh herë profetët kumtojnë ç’i pëlqen Zotit. Mesazhi i tyre përmblidhet mrekullisht në shprehjen: “Mëshirë dua, jo fli!”(Os.6,6); Mt 9,13). Zotit i pëlqen çdo vepër mëshire, sepse në vllain, që ndihmojmë, shikojmë fytyrën e Zotit, që nuk mund ta shikojë askush (cfr Gjn 1,18). Sa herë përkulemi mbi vëllezërit nevojtarë, i japim të hajë e të pijë vetë Jezusit: e veshim, e ndihmojmë, e vizitojmë Birin e Zotit (krh Mt 25,40).

Jemi, prandaj, të thirrur ta jetojmë konkretisht, atë që themi në lutje e që e shpallim në fe. Nuk ka rrugë tjetër, përveç dashurisë së krishterë: gjithsa vihen në shërbim të vëllezërve, edhe pa e ditur, janë ata që e duan Zotin (khr 1 Gjn 3,16-18; Gc 2,14-18). Jeta e krishterë, gjithsesi, nuk është ndihmë e thjeshtë, që jepet në çastin e nevojës. Po të ishte kështu, do të qe sigurisht një ndjenjë solidariteti njerëzor, që sjell dobi të menjëhershme, por do të ishte shterpë, sepse pa rrënjë. Angazhimi që kërkon Zoti, përkundrazi, është ai i thirrjes për atë bamirësi, me të cilën çdo dishepull i Krishtit vë në shërbim jetën e vet, për t’u rritur çdo ditë në dashuri.

Dëgjuam në Ungjill se “një turmë e shumënumërt shkonte me Jezusin” (Lk 14,25), Sot, kjo “turmë e shumënumërt” përfaqësohet nga bota e gjerë e vullnetariatit, që u mblodh tani këtu, me rastin e Jubileut të Mëshirës. Jeni ju, kjo turmë, që ndjek pas Mësuesin dhe e bën të dukshme dashurinë e Tij konkrete për çdo njeri. Po jua përsëris fjalët e Shën Palit Apostull: “Dashuria jote ka qenë për mua gëzim i madh dhe ngushëllim, sepse i ke përforcuar zërat e shenjtorëve”(Fm 7). Sa zemra ngushëllojnë vullnetarët! Sa duar ndihmojnë; sa lot terin; sa dashuri ka në shërbimin e fshehur, të përvuajtur, pa pikën e interesit! Ky shërbim i lavdërueshëm i jep zë fesë e shpreh mëshirën e Atit, që bëhet i afërt me të gjithë nevojtarët.

Ndjekja e Krishtit është angazhim serioz e njëkohësisht, i gëzueshëm; kërkon radikalitet e guxim për ta njohur Mësuesin Hyjnor në më të varfërin e për t’u vënë në shërbim të Tij. Prandaj vullentarët, që u shërbejnë të fundmëve e nevojtarëve për dashuri të Krishtit, nuk presin kurrfarë falënderimi, kurrfarë shpërblimi, por heqin dorë nga të gjitha këto, sepse kanë zbuluar dashurinë e vërtetë. Ashtu si Zoti erdhi tek unë e u përkul mbi mua në çastin e nevojës, ashtu edhe unë shkoj tek Ai e përkulem mbi ata, që e kanë humbur fenë ose jetojnë sikur të mos kishte Zot, mbi të rinjtë pa vlera e ideale, mbi familjet në krizë, mbi të sëmurët, mbi të burgosurit, mbi refugjatët, mbi emigrantët, mbi të ligshtit e të pambrojturit në korp e në shpirt, mbi të miturit e të lënët në mëshirën e vetvetes, ashtu si mbi pleqtë e braktisur.

Kudo shtrihet një dorë, që kërkon ndihmë për t’u ngritur përsëri në këmbë, atje duhet të jetë edhe prania jonë e prania e Kishës, që mbështet e jep shpresë!Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse e mëshirës hyjnore, duke qenë gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje. U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ua njohur dinjitetin, që ua jep vetë Zoti; e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre. Mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.

Misioni i saj në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër. Sot po ia dorëzoj këtë figurë simbolike gruaje e rregulltareje mbarë botës së vullnetariatit; le të jetë Ajo modeli juaj i shenjtërisë! Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”.

Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë. Do të hapim, kështu, horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat