Kisha e Shën Gjergjit në fshatin Korie të Divjakës - Bota Sot
Kisha e Shën Gjergjit në fshatin Korie të Divjakës

Religjion

E enjte, 18 tetor 2018

Kisha e Shën Gjergjit në fshatin Korie të Divjakës

Nga: Dr Niko Ferro Më: 9 maj 2017 Në ora: 17:35
Kisha në fshatin Korie të Divjakës

Kisha për të cilën do flasim më poshtë nuk është bërë asnjëherë objekt studimi, hulumtimi apo gërmimi arkeologjikë. Për këto arsye përshkrimi i saj paraqet një interes të veçantë.

Rrënojat e kishës së Shën Gjergjit ndeshen në një kodër të butë pranë fshatit Korie. Dikur kjo mëhallë njihej me emrin Shëngjergj ndërsa sot Korie është një lagjje e vogël e fshatit Mërtish.

Territori ku ndodhen rrënojat është i mbuluar nga bimësia madje në brendësi të kishës kanë mbirë edhe pemë. Nga rrënojat e kishës ruhen disi muri veriorë bashkë me absidën e protezisit, dallohet qartë forma e absidës dhe pjesërisht muri jugor i naosit ndërsa dyshemeja përveç gjelbërimit dhe dheut është e mbuluar me mbeturina të rrëzuara të mureve.

Në gjendje e sotme kisha përbëhet nga naosi dhe ndoshta hajati në anën jugore. Duke ndjekur formën e rrënojave, zbulojmë se kjo kishë ka qenë një nefëshe, me orientim lindje-perëndim. Në këndvështrimin arkitektonik forma e kishës është e veçantë në krahasim me kishat e Myzeqesë. Planimetria e saj është drejtkëndëshe, me përmasa të brendshme 6.30  x 7.2 m dhe me trashësi muri 0.70 m.

Hyrja për në kishë ka qënë në anën veriore mundet të ketë pasur një hyrje të dytë në anën jugore për të cilën mund të flitet vetëm pas gërmimeve arkeologjike. Gjithë muri perëndimorë i kishës ruhet i rrënuar ne një lartësi të vogël.

Muri verior ruhet pjesërisht i tëri në lartësinë e dikurshme, i ndërtuar me gurë të çrregullt ranor dhe me tulla të lidhura sëbashku me llaç gëlqereje. Muri jugor dallohet vetëm forma pjesa tjetër është e mbuluar nga bimësia dhe nga dheu.  Murit lindor i kishës ruhet vetëm absida e diakonit e cila është e pajisur me një nike. Ana e jashtme e absides është 3 faqe, përbën pjesën e vetme të mbetur prej kishes. Absida ka formë gjysmë rrethore. Prej saj kanë ngelur vetëm pak gurë të skalitur të mjaftueshëm për të dalluar formën gjysmë rrethore. Sipas dëshmive naosi rrethohej nga ana jugore nga një hajat? I cili kryente funksionin e një naterksi. Nëse do bënim një krahasim me kishat e tjera të Myzeqesë, kisha e Shën Gjergjit ka formë të veçantë dhe është e vetme në lloj e saj.

Në mungesë të të dhënave historike apo mbishkrimore datimi i këtij monumenti paraqitet i vështirë. Mbështetur edhe në gojëdhënat e banorëve të këtij fshati mendojmë se i përket gjysmës së dytë të shek. XVIII.

Në vend të përfundimit vëzhgimi jonë shtyhet edhe më tej.

A mos vallë ka ardhur momenti që këto vlera të kësaj treve të ruhen madje dhe të restaurohen pse jo  të bëhen edhe të vizitueshme nga turist vendas apo të huaj? Shpresojmë në një zgjidhje në të ardhmen.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test