Presheva qytet me shpirt kulture, politika po e shkatërron

Reportazhe

Presheva qytet me shpirt kulture, politika po e shkatërron

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 6 mars 2019 Në ora: 09:07
Pamje nga Konkursi Ndërkombëtarë i Fotografisë në Preshevë

Përkundër vështirësive në të gjitha sferat e jetës, kultura në Preshevë gjithnjë ka qenë e para, arti në Preshevë gjithmonë ka pasur njerëz që i kanë shërbyer dinjitetshëm dhe kanë tentuar të bëjnë më të mirën e mundshme. Sidomos dy dekadat e fundit, së pari me luftën e vitit 2001, pastaj edhe me pavarësinë e Republikës së Kosovës, ku Presheva mbeti jashtë, qytetarët kanë pasur vështirësi të mëdha në organizimin e jetës dhe mirëqenies së tyre, por kulturën asnjëherë nuk e kanë lënë anash. Madje, duke organizuar festivale e konkurse jo vetëm mbarëkombëtare, por edhe ndërkombëtare, siç është konkursi i fotografisë i organizuar nga Edon Agushi.

Si rezultat i trazirave të llojllojshme e të njëpasnjëshme, deri edhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, pastaj diskriminimi i vazhdueshëm, duke mos kursyer asnjë sferë të jetës nga pushteti qendrorë serb, në një farë forme ia kanë dalë në qëllimin e tyre që të zbrazin qytetin e Preshevës. Një shumicë prej tyre, të cilët e kanë parë të pamundur vazhdimin e jetës në Preshevë, kanë vendosur të largohen drejt qyteteve të caktuara në Republikën e Kosovës, si rezultat edhe i presionit, pasi që kanë qenë pjesëtarë ose të UÇK-së ose të UÇPMB-së, e një pjesë tjetër më vonë, me rastin e liberalizimit të vizave, ku për shkak të kushteve të vështira sociale-ekonomike, kanë vendosur ta lënë Preshevën për të ikur në shtete të ndryshme perëndimore. Një pjesë e tyre janë akomoduar me dokumentacione e kohë pas kohe vijnë në Preshevë, ndërkohë ka shumë prej tyre që vazhdojnë të jetojnë nëpër ato shtete si azilantë, duke mos mundur që të kthehen më në vendlindje.

Gani Rashiti, drejtor i Qendrës për Avokim, i cili edhe ka qenë viteve të fundit afër këtyre zhvillimeve, për “Bota Sot” , ka thënë se janë ndër të tjera tri arsye pse qytetarët e Preshevës e kanë lënë vendlindjen, një pjesë duke shkuar në Kosovë, e të tjerët duke ikur në perëndim.

“Gjatë viteve 2000-2001 qytetarët në Luginë të Preshevës janë përballur me dy çështje. E para ka të bëj me mbarimin e luftës së Kosovës, ndërsa tjetra me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB). Pas përfundimi të luftës dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Konçulit, qytetarët e Luginës kishin një shpresë se do të jenë më të lirë dhe me të drejta më të avancuara. Pas përfundimit të luftës një pjesë e madhe e qytetarëve u larguan nga Lugina e Preshevës, sidomos ata që ishin pjesë e luftës dhe pjesa e malësisë u shpërngulën në Kosovë. Pas nënshkrimit filluan edhe negociatat në mes të Qeveris së Republikës së Serbisë dhe Përfaqësuesve të Shqiptarëve në Luginë, të cilat u bllokuan disa herë nga Qeveria Serbe. Viti 2007-2008 ishte një shpresë tjetër për qytetarët e Luginës duke shpresuar që pavarësia e Kosovës do të sjellë një frymë dhe shpresë të re, pasi që si shtet i pavarur do të kujdeset më tepër për qytetarët në Luginë. Periudha pas 2008 sjelli edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Serbisë, dhe të rinjtë nga Lugina përfituan nga kjo lëvizje e lirë. Zbrazja e Luginës po ndodhë për disa arsye. Elementi i parë ka qenë siguria, pastaj mos njohja e diplomave e deri tek krijimi i karrierës.

Tema tashmë shumë aktuale, ajo e ndryshimit të kufijve ka ngjallë prapë një shpresë tek qytetarët tanë. Qytetarët e Luginës qysh në vitin 1992 kanë deklaruar për bashkim me Kosovë. Ata ende jetojnë me ndjejë dhe shpresë që një ditë do të ndodhë bashkimi me Republikën e Kosovës. Këta banorë ndihen të rrezikuar në qoftë se vazhdojnë të mbeten nën Serbi, çdo tentim apo çdo lëvizje me qellim bashkangjitjen me Republikën e Kosovës ngjallë shpresë ndjenë më të madhe për këtë vend”, ka thënë Rashiti.

Edhe përkundër vështirësive politike, artistët preshevarë veprojnë pa përtesë

Tash e nëntë vite me radhë, i diplomuar në Tiranë në film pran fakultetit të arteve, Edon Agushi organizon Konkursin Ndërkombëtarë të Fotografisë, ku si drejtor i këtij konkursi na tregon se cilat kanë qenë rezultatet dhe të mirat nga ky konkurs, jo vetëm në rrafshin personal, por edhe për qytetarët e Preshevës, duke kontribuar në rritjen e nivelit të kulturës dhe artit.

“Në Komunën e Preshevës ka mungesë të aktiviteteve kulturore, kryesisht janë 3 aktivitete që janë tradicionale "Ditët e Komedisë" që është festival kombëtar, "Gëzimi ynë" është organizim lokal dhe Festivali Ndërkombëtar "PreFoto" që e organizojmë ne si shoqëri civile. Duke e ditur rëndësinë e organizimeve kulturore që ka në ndikimin e shoqërisë këto tri organizime janë tepër të pakta për ta pasuruar jetën kulturore në Qytetin e Preshevës. Në vitin 2018 patëm një goditje nga Shteti serb dhe Komuna e Preshevës i gjithë komuniteti artistik, neve si qytetar na dështoj Festivali Ditët e Komedisë, dështoj shfaqja e parë nga Teatri i Qytetit Preshevës që ishte e përgatitur e tëra nga aktorët dhe regjisorët nga Presheva dhe kishte tentim për të dështuar dhe Festivali Ndërkombëtar të fotografisë PreFoto, e gjitha kjo me pretekstin që ambientet e Shtëpisë Kulturës në Preshevë ishin të rrezikuara nga zjarri dhe nuk ishin masat e nevojshme kundër zjarrit”, ka thënë Edon Agushi.

Ky arsyetim nuk qëndron, sipas tij, pasi që 2 javë para se të hapet Festivali Ndërkombëtar në ato ambiente të Shtëpisë Kulturës në Preshevë ishte njësi zgjedhore që ishin kutitë për zgjedhjet e Këshillit Nacional Shqiptarë.

“Në ditën e zgjedhjeve ky ambient nuk ishte i rrezikshëm për personat që vinin për të votuar, por pas dy jave kur në këtë ambient do të hapej Festivali Ndërkombëtar u bë me rrezikshmëri të lartë kundër zjarrit dhe një dit para hapjes të ekspozitës ndodhi dhe mbyllja e Shtëpisë Kulturës Preshevë. Këto sulme nuk i sjellën asnjë të mirë jetës Kulturore dhe lanë një shije të keqe jo vetëm tek qytetar e Preshevës por dhe te mysafirët ndërkombëtarë që ishin prezent në Preshevë për ti prezantuar dhe debatuar me publikun për punimet e tyre që i kishin sjellë”, ka nënvizuar ai.

Organizimi i Festivalit Ndërkombëtar të fotografisë PreFoto filloi në vitin 2011 nga një grup artistesh nga Lugina e Preshevës. Qëllimi i këtij Festivali ishte për ta pasuruar jetën kulturore dhe për ta promovuar Qytetin e Preshevës në arenën ndërkombëtare nëpërmjet kulturës dhe jo gjithmonë që flitet për Luginë të ketë gjendje të jashtëzakonshme. Kuptohet që në fillimet e festivalit kishim dhe vështirësitë nga ana organizative dhe nga ana financiare.

“Këto 8 edicione që i kemi mbaruar ne kemi pasur bashkëpunime me shumë Ministri nga Shqipëria dhe Kosova që na kanë mbështetë dhe kemi arritur që Festivalin PreFoto ta fusin në mesin e shumë festivaleve të fotografisë që oranizohen në botë. Festivali PreFoto organizohet nën patronazhin e organizatës botërore të fotografisë me seli në Amerikë, PSA ( Photographic Society of America ). Dëshira e madhe dhe angazhimi që kemi pasur si ekip ka sjellë që Festivali PreFoto të bëhet organizim tradiconal në Luginë dhe tani kemi filluar dhe përgatitjet për edicionin e 9 që do të ketë dhe risi në koncept”, është shprehur Agushi.

Sipas tij, problemi më i madh është që politika nuk duhet të ketë dorë në organizimet e aktiviteteve kulturore por të bëjë politikat e veta duke i lënë personat e fushës së artit të vendosin për ecurinë e aktiviteteve që do të organizohen në Qytet.

“Komunës së Preshevës i mungon Drejtori për Kulturë dhe kjo detyrë që do ti jipet personit duhet që ta bëjë kalendarin e aktiviteteve Kulturore për Qytetin. Kjo do të ishte një zgjidhje duke investuar në aktivitete që kanë rëndësi dhe duke i larguar personat që nuk kanë lidhje për artin të vendosin në jetën kulturore në Qytet”, është përfunduar Agushi.

Politika t’i mbajë larg duart nga Shtëpia e Kulturës, ndryshe nuk ka hapësira për art

Përparësitë dhe vështirësitë në të bërit art në komunën e Preshevës, askush sikur aktori Gani Veseli nuk mund ti njohë. Ai për “Bota Sot” ka treguar për gjendjen e kulturës në Preshevë, gjatë viteve të 90-ta, por edhe pas vitit 2000, për përpjekjet e shumë individëve për të bërë art, por edhe për pengesave nga ana e politikës si qendrore, ashtu edhe lokale.

Image
Aktori dhe ish-drejtori i Shtëpisë së Kulturës "Abdullah Krashnica" në Preshevë, Gani Veseli

“Kam studiuar në Akademinë e Arteve dega Aktrim, pranë Universitetit të Tetovës i diplomuar në vitin 2004, po në këtë vitë jam kthyer në Preshevë si një nga aktorët e parë në vendin ku u rrita. Nga viti 1996 jam marrë edhe si amatorë deri sa ne vitin 99/2000 edhe u diplomova në degën e aktrimit. Aktivitete të rëndësishme në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë janë mbajtur që nga 94-ta, ku në atë kohë u patë organizuar “Ditët e Komedisë Shqiptare”, ku ka pas probleme politike që kanë ekzistuar, të kohës, ky festival që është parapa të mbahej në Ferizaj, atje nuk është mbajtë, pastaj kanë gjetur kushte më të volitshme që të mbahet në Preshevë, si më të qenë nga regjimi i atëhershme. Nga viti 94-97 kanë qenë aktivitetet kryesisht të cilat janë mbajtur duke e shty me zor, jo me vullnet aq të madh po as edhe mundësi. Ndërkohë në kohët pas asaj kohe, janë ndërruar shumë drejtor në Shtëpinë e Kulturës “Abdullah Krashnica, gjithnjë në bazë të interesave politike dhe ka pasur një funksionim jo kush e di se çfarë. Në 2004-tën, pasi jam kthyer në Preshevë, filluam që në start, që më 4 qershor pasi diplomova filluam kërkesën me ngulm ta kemi teatrin profesionist në Preshevë, që nga ajo kohë, do të thotë për rrjeshtë 15 vite pa ndalë, nëpër të gjithë mediat kemi bërë kërkesa. Në vitin 2009, si koordinatorë u angazhova në shtëpinë e kulturës”. ka rrëfyer ai.

Pikërisht në atë vit, sipas Veselit për herë të parë u transformua festivali ditët e Komedisë Shqiptare nga amatorë, në atë profesional, ku kishte trupa vetëm nga teatrot profesioniste, kishte juri profesioniste etj.

“Ishte një problem shumë i madh për të rikthyer atë festival në Preshevë, por me vullnet ia kemi dalur. Në vitin 2017, unë erdha si drejtor i Shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashnica” në Preshevë, në ndërkohë që kisha gjetë diku në arkivin tim, kur në vitin 2006-të, kisha dhënë një intervistë për një medium e ku kisha paralajmëruar që vetëm në momentin kur në krye të shtëpisë së Kulturës të vie një aktor profesionistë, atëherë do të shkojnë punët mbarë në këtë fushë, e gjithashtu vetëm në kohën kur me këtë institucion të udhëheq një aktor, do të themelohet teatri i qytetit në Preshevë. Pikërishtë kështu ka ndodhë, në vitin 2017 kur erdha si drejtor, së pari u themeluar teatri si njësi në kuadër të shtëpisë së kulturës. Për një vitë, kemi pasur rrethë 38 aktivitete, e kam rikthyer festivalin e këngëve dhe valleve, i cili dikur është mbajtur, një defile nëpër Preshevë, e kam kthyer pas 25 viteve, ku si rezultat i pritjes me entuziazëm nga qytetarët, atë ditë ishte paralizuar për të mirë i gjithë qyteti, pasi që i mungonin aktivitete të tilla. Qëllimi im deri sa kam qenë drejtor i shtëpisë së kulturës në Preshevë ka qenë, jo për të keq, por për ta motivuar vetën, gjithmonë kam thënë se do të bëjë sa më shumë punë, në mënyrë që drejtorët e tjerë të më kenë shembull dhe të tentojnë të arrinë të krahasohen me punën time, e që sa po e shohë, momentalishtë është vështirë të arrihet. Gjatë periudhës time si drejtor, kemi marrë pjesë nëpër disa festivale, ku shumicën e rasteve jemi kthyer me shpërblime”, ka nënvizuar ai.

Jo vetëm në Preshevë, por sidomos në Preshevë, sipas aktorit Veseli, politika është munduar në çdo formë që të ushtrojë dorë edhe në art, kulturë.

“Unë jam munduar maksimum që gjatë kohës time ta çrrënjos këtë logjikë, edhe sot në opinion njihem si i tillë. Sot në komunën e Preshevës, niveli i kulturës është në nivelin më të ult të mundshme, kjo për arsye se në pushtet e kemi një kryetari i cili jo që nuk e ndihmon kulturën në Preshevë, por të them ashtu, ai çdo lule që është mbjellë, jo që nuk e ujit, por shkon dhe e këput pa fije turpi. Këto që po i them, sigurisht se janë të bazuara në argumente, në fakte, pasi që shembull pikërisht ky kryetarë e humbi festivalin që kishte arritur kulmin e suksesit “Ditët e komedisë shqiptare”. Gjithashtu në kuadër të teatrit, e kemi përgatitur një shfaqje, ku premierën në Bujanoc e ka penguar pikërishtë ky kryetarë, vetëm e vetëm që Shaip Kamberi të mos lavdrohet, se ja unë ua mundësova, ky kryetarë e ka një mënyrë të të logjikuarit të tillë që, nuk do ta sheh askënd mirë, nëse vetë nuk është rehat. Prap se prap, unë mendoj që ky mandat do të jetë i pari dhe i fundit i këtij kryetari të komune, pasi që ky kryetarë një ditë të gjithë qytetarëve të Preshevës do të na dhimbset, për veprimet që i ka bërë. Dënimi dhe penalizimi më i madhë për gabimet e tij do të jetë nga vetë qytetarët të cilët janë të dëshpruar, pasi që cdo ditë e më tepër ky njeri e degradon jetën jo vetëm sociale por edhe kulturore në Preshevë”, ka thënë aktori Gani Veseli.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat