Iku dhe një nga Kulla e madhe e Berishajve, Ahmet Xhem Berisha - Bota Sot
Iku dhe një nga Kulla e madhe e Berishajve, Ahmet Xhem Berisha

Reportazhe

Iku dhe një nga Kulla e madhe e Berishajve, Ahmet Xhem Berisha

Nga: Ramiz Lushaj Më: 13 qershor 2019 Në ora: 07:30
Kulla e Berishajve

Dje ka ndrrue jetë në moshë 93-vjeçare Ahmet Xhemë Berisha i Kullës së Madhe etno-historike të Berishajve, “njeriu i dy luftërave”: i Luftës së Parë Botërore – prej të cilës mban një plagë në trup dhe i Luftës së fundit të Kosovës – prej të cilës mban në shpirtin e tij edhe në amshim andrren-realitet, Lirinë e Pavarësinë e Kosovës. E thonë dhe vargjet për Kullën e Berishajve: “Te kjo kullë shkoi Pashko Vaso plot krenari / Me vargjet: “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” /... / Kjo kullë priti Ahmet Beg Koronicën.../ Aty ndejtën Shota me Azem Galicën / Hasan Beg Prishtina u prit si burrë shteti / Aty ndejti Ramush Hajredini e Ali Ahmeti /”...

Ahmet Xhemë Berisha i Kullës së Madhe të Berishajve ishte dhe mbetet njeri i sakrificave të mëdha, i punëve të mira, i kontributeve dinjitare, që edhe në kohë të vështira la emër të nderuem të mendjes,hapit, djersës e lapsit të tij. Dhe emri i tij ka domethënien shpjegimore e me realitet jetësor të tij: “i falënderuar”, ndër “ma të falënderuarit”...Ndaj dhe Ai po ikën në ditën e sodit për në amshim i falënderuar për të mirat e mirësitë e tij në këtë botë, në të gjitha kohërat, në të gjithë jetën e veprimtarinë e tij.

Ahmet Xhemë Berisha e ka pasë babagjyshin e tij, Isuf Rexhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e të Pejës pjesmarrës në luftëra për liri e pavarësi kombëtare nga beteja e Plavë-Gucisë kundër 7 krajlive të mëdha të kohës në dhjetor 1879-janar 1880, ishte në Lidhjen e Pejës të Haxhi Zekë Byberit dhe në Kuvendin e Junikut, ishte në Kryengritjen e Përgjithshme të Kosovës (nga Tropoja në Shkup) në vitin 1912, i cili mori dhe plagë në trup në Gjakovë në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si e thotë dhe kanga popullore: - Kush qet pushkë midis Çarshisë / Dy bijtë e  Rexhë Alisë.../. Edhe Zeqir Halil Isuf Rexha i Berishajve ishte njeri i kuvendeve e luftërave, i dijes e pushkës, zotni e me pasuni, që iku nga kjo botë me tri plagë të luftërave, në kambë e në gjoksin e tij.

Ahmet Xhemë Berisha është i një brezi me prof. dr. Sali Berishën – ish President e ish-kryeministër i Shqipërisë, njeri i themeltë e i shtylltë i Demokracisë në Shqipëri dhe i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës, i integrimeve euroatlantike të Shqipërisë në NATO, BE, etj. dhe i Rrugës së Kombit. Ahmeti shkon në 4 breza me liderin historik të Shqiptarëve, prof. dr. Sali Berisha (Ahmet-Xhemë-Col-Isuf-Rexha dhe Sali-Ram-Halil-Isuf Rexha), janë kushërinj të afërt ndërveti, të një kulmi, të një pragu, të një trualli.

Sot, më 13 qershor 2019, do të përcillet në ora 4.00 për në banesën e fundit, për në amshim, në vendlindjen e tij, në Prifç të Viçidolit të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në moshë 93 vjeçare., se Berishajt janë jetëgjatë:  Isuf Rexha i Berishajve ka pasë jetue 120 vjet (1793-1913), Zeqir Halil Berisha (axha i Sali Berishës) 97 vjeç, Ramë Halil Berisha (baba i Sali Berishës) 94 vjeç, etj.

Sot iku dhe një lis nga Kulla e Madhe e Berishajve, iku Ahmet Xhemë Berisha...!

I koftë i lehtë Dheu i Tokës së Vet, i Vendlindjes së Tij...!

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...