Prejardhja e vendbanimit Artanë (Noumonte, Novobërdë)

Reportazhe

Prejardhja e vendbanimit Artanë (Noumonte, Novobërdë)

Nga: Prof. Dr. Rexhep Doçi Më: 13 korrik 2019 Në ora: 10:52
Prof. Dr. Rexhep Doçi

Gjasët janë se Artana ka një jetëgjatësi mijëvjeçare. Kjo lashtësi sikur dëshmohet më së miri me disa të dhëna mesjetare, të cilat janë hallka të lidhshmërisë antikë-kohë e sotme. Të dhënat mesjetare për Artanën janë sidomos nga dy burime historike, një latin, që bën fjalë për Artanën  gjatë viteve 1411-1444, dhe një defter osmano-turk “Oblast Brankovića” i vitit 1455, i përkthyer prej tre orientalistëve nga Sarajeva. Në defterin në fjalë (v.1455, thuhet se është bërë regjistrimi turk i popullsisë së Kosovës nën mbikqyrjen e një administratori serb të kohës së Brankajve), bëhet fjalë në dy faqe për banorët më tepër apo krykëput shqiptarë në Kalanë e Novobërdës, si dhe për jetën dhe veprimtaritë me të cilat merreshin ata brenda mureve të vjetra të fortifikatës së atëhershme të banueshme, sot rrenojë misterioze.

Image
Kështjella e Artanës

Artana kujtoj se shfaqet 6 herë më 1437 në regjistrin e lartpërmendur latin me emrin latin Nouomonte, atëherë kur edhe përmenden sa e sa banorë e fshatra shqiptare të rrethit të Artanës, qoftë me prejardhje shqipe ose si emra tipikë të shqiptarëve, për shembull emrat e fshatrave Chatun (katund, nga fjala shqipe katun); Guraseuzi (Gjurishefci i sotën i Gurashit, nga fj. shq. guri, nga emri i të cilit u përkthye në sllavishte-srbishte Kamenica); Tupallë, Suirz (Svircë), mandej antroponimet dhe patronimet shqipe apo të shqiptarëve: Nichola Gonchouich (Nikolla Gjonoviqi); Radosau Gonovich; Gon Arbanexo (Gjon Arbaneshko-Shqiptari më 1440); Andria Arbanexo de Matia; Gon Maly e Gon Miralyn (për Gjon Mali dhe Gjon Miralini) etj. Këta emra të fshatrave, si dhe këta emra dhe mbiemra të xehtarëve të atëhershëm të Artanës me rrethinë, si dhe shumë emra vetjakë hebraikë apo krishterë, mund të themi se atëherë i përdornin shqiptarët, dhe se edhe atëherë, para rënies së Artanës nën sundimin osmano-turk ishte qendër shqiptare. Si qendër të madhe politike, ushtarake, ekonomike  dhe fetare tregojnë të dhënat e paraqitura  në Kështjellën e Novobërdës, që paraqiten në tetë tituj për: Armët prej 31 llojesh; Hambaret me grurë e elbë jashtë kështjellës; Topxhinjët e përdoruesit e pushkëve, krejtësisht 1o prej tyre;Mjeshtrit e Kështjellës, si farkatarë (8), muratorë (4);49 banorët e kështjellës, si dhe 1o Xhematë janiçerë – tufekxhinj në Kështjllën e Novobërdës, etj.  Në Kështjellën e Artanës (Novobërdës) atëherë (v. 1455) kishte pjesëmarrës apo përfaqsues borxhlinj nga pjesët e një pjese të madhe të Ballkanit, p. sh.: Vardarije (dmth. nga ana e Vardarit); Atmaxha, Bosna; Hamza, Vranja; Shahin, Belgradija; Ali, Nikopoljac (mbase nga Nikopoja në Epir-Çamëri?); Timurhan, Kostadinija, Shahin, Kostadinija  dhe Shirmerd, Kostadinija (nuk dimë saktësisht se a kemi të bëjmë me Konstantinopolin>Stambollin), etj.  

Për xehetarët që punonin në xeheroren e madhe të Artanës, të cilët ishin banorë të fshatrave përreth Artanës, kuptojmë nga Regjistri latin i  vitit 1411-1444, ku përmenden vendbankimet: Vragne (Vranja);  Topolica (Toplica); Chatun in Vragne; Clinovain in Vragne (pra në Vranjë); Kmetouzi (Kmetovci i sotëm I Gjilanit); Guraseuzi (Gjyrishefci i Gurashit-Kamenilcës); Hajnovci, Hogoshti i Vitisë, Lab (Llapi-krahinë); Lopastiza (Llapashtica e Llapit); Makedonize ( katund i Toplicës), Mogila dhe Muhovci (katunde të Gjilanit), Negri Monti (Mali i Zi i Shkupit, në majën e të cilit, sipas një njoftimi me gojë nga kolegu i punës, Akademik Mehmet Halimi, ndodhet oronimi Maja e Zezë, e që quhet edhe në turqisht Karadaku); Nouomonte (Novoberda); Osttouzi (Statovci i Sanxhakut të Nishit); Prapatniza (Prapashtica e Prishtinës); Pristina (Prishtina);  Sirze (Svirca e Gurashit-Kamenicës); Stimla (Shtimja e sotme-qytezë); Tupalla e Tulari (katunde të Kosovës Lindore – Medvegjë); Smedereva (qytezë e Serbisë Lindore); Sofja (kryqyteti i Bullgarisë); Vaganex (katund i Gurashit) etj.

Në burimet historike mesjetare për Artanën përmenden banorë shqiptarë si

Arbanexo e Arnaut e asnjë si serb, bullgar, romak, grek, vllah, turk

Kur është fjala për banorët e këtyre fshatrave të Artanës me rrethinë, që përmenden në këto dy dokumente historike mesjetare, njëri më i hershëm latin (v.1411-1444) dhe tjetri osmano-turk (v. 1455), vlen t’i krahasojlmë emrat dhe mbiemrat e disa banorëve tipikë shqiptarë me përcaktimet Arbanexo e Arnaut  për shqiptar. Kështu, në regjistrin latin janë regjistruar banorët “Gonaz Arbanexo de Hropnizi  dhe Andria Nicholich Arbanexo de Matia foxer”, kurse në defterin osmano-turk janë shënuar banorët banorët e Artanës (Novobërdës): “Timurtash, Arnaut; Shahin, Arnaut; Dogan, Arnaut”. Pra, Arbanash e Arnaut janë si dy sinonime në dy gjuhët laltine e osmane-turke për shqiptar. Mirëpo, ç’është me rëndësi se në këto dy burime historike asnjë banorë nuk përcaktohet me termin përcaktues etnik si grek, romak, sllav, serb, bullgar, vllah, turk etj., nga të cilat të dhëna duhet kuptuar se edhe banorët të tjerë të Artanës (Novobërdës) me emra krishterë hebraikë (me etimologji greke, romake, sllavë) e oriental ishin me përkatësi kombëtare shqiptare. Madje, banorët me përcaktuesit arbanesh e arnaut sikur kuptojmë se ishin të besimit katolik, kurse të tjerët me emra hebraikë krishterë ishin banorë shqitarë të ritit ortodoks, kurse ata të burimit oriental gjithashtu ishin shqiptarë, të cilët sa e kishin filluar ta pranojnë myslmimanizmin (islamizimin).

Po kështu edhe banorët e Artanës me emrat: Atmaxha, Bosna dhe Atmaxha, Vardarije  (gjasët janë se antroponimi Atmaxha përbëhet prej fjalëve shqipe Ati i Madh), mbase ishin përfaqsues apo udhëheqës në Kalanë e Artanës (Novobërdës) më 1455 për tërë Bosnjën ose Vardarjen (Maqedoninë-Iliridën) kah kalon lumi Vardar. Për antroponimin Atmaxhe, që është edhe emri i një katundi të Perzerenit, pra është me bazë antroponimike Ati i Madh, do të flas në projektin afatgjatë “Etimologjia e vendbanimeve të Kosovës”, që e kam në realizim e sipër në disa vëllime, porsi këtu për etimologjinë e Artanës.

Martin Segoni i Artanës prijatar i njohur si shkrimtar dhe prift shqiptar i shek. XV

Edhe një e dhënë dëshmon për një civilizim të hershëm politik, ekonomik,kulturor e krishter shqiptar në Artanë, dhe kjo çështje argumentohet me anë të shkrimtarit dhe priftit katolik shqiptar Martin Segonit, i shek. XV, i cili ka lindur në Artanë e vdes në Ulqin. Për historinë e Martin Segonit mësojmë nga studiuesit Noel Malcolm-i dhe Sima Qirkoviq-i. N. Malcolm-i shkruan për Martin Segonin: “Një autor humanist, Martino Segono, nga qyteti kosovar: Novobërdës, kishte shërbyer si ipeshkv i Ulqinit në fund të shekullit XV...”. Ndërkaq, S. Qirkoviqi për Martin Segonin e Artanës, pos tjerash ofron edhe këto të dhëna: “Martin Segoni nga Novobërda, kanonik i kishës katolike në Novobërdë, studiues në Padovë, ku edhe doktoron, si dhe peshkop në Ulqin, ku edhe vdes në v. 1485”.  Autori serb, S. Qirkoviq flet bukur gjerësisht për shkrimtarin dhe klerikun katolik shqiptar (sepse vetë thotë kanonik i kishës katolike në Novobërdë), dhe vijon se e ka shkruar edhe një vepër për Skënderbeun, që mendon se ka shkruar për strategun Skënderbe më mirë se Marin Barleti. Dhe, kur jemi të Kisha Katolike në Novobërdë (Artanë), që e thekson S. Qirkoviqi, edhe në ditët tona për rrënojën e sotme të kësaj kishe katolike shqiptare  rrjedhin lotë krokodili serbët, se kinse ishte  kishë serbe, që si këtë kishë ashtu edhe shumë kisha të tjera me zanafillë ilire-shqiptare në Kosovë, i kanë uzurpuar dhe përavetësuar se kinse janë kisha orthodokse sllave (serbe). Unë kam shkruar gjerësisht në një punim prej 47 faqesh libri në gjuhën shqipe dhe frengjishte “Kosova ilire-shqiptare sipas zanafillës së kishave”, porse studiuesit shqiptarë dhe të tjerë nuk e kanë parasysh, se kur e pushtuan turqit Kosovën kishat katolike shqiptare i prishën (p.sh. Kishën e Shën Mhillit e Arhangjellit në Perzeren, Kishën e Dollcit të Klinës, Kishën e Petrovicës në Ujmirë të Klinës, Kishën e Deviqit në Skënderaj, Kishën e Banjskës në Mitrovicë, ku janë varrosur bashkëshortët shqiptarë-Shqiptarja Marta dhe Shtjefni i Parë i Kurorëzuar, ose shumë kisha katolike shqiptare turqit i shndërruan në xhami-siç është Kisha e Shën Premtës në Perzeren, e cila njëherë u shndërrua në Sveti Petka, pastaj në Bogorodica Levishnja, mandej në Xhuma Xhamia, dhe prap e sot në Bogorodica Levishnja). Kurse manastiret dhe kishat shqiptare të Kosovës të ritit orthodoks, që u përvetësuan dhe u uzurpuan si serbe në fillim të pushtimit turk, i mbronte Qendra Orthodokse e Stambollit, ku gjendet edhe sot kjo qendër kishtare orthodokse, dhe turqit s’i rrëxuan këto kisha e manastire (të Deçanit, të Pejës, të Graçanicës etj.) Po kështu përreth këtyre manastireve dhe kishave orthodokse, disa banorë shqiptarë, duke e ruajtur orthodoksizmin, që mbrohej nga turqit e Stambollit, nuk u islamiuan po mbetën orthodoks, dhe me kohë u përcaktuan edhe si serbë ose, siç thonë në traditën shqipare kosovare si shkije rajë, të cilët e flisnin  dhe e flasin (pleqtë tyre shqipen si shqiptarët), dhe kanë fise si shqiptarët Shliq, Krasniq, Kastratoviq, po edhe ruajnë disa tipare etnografike, sidomos të martesave, porsi shqiptarët. Në këtë punim të mëhershëm, në bazë të të dhënave të terrenit, si dhe të burimeve historike mesjetare latine, sllave, osmane-turke kam konstatuar se, kur turqit i pushtuan tokat shqiptare, kishat e ritit katolik i prishën, ose i rrafshuan me tokë (pra, Manastiri i Perzerenit i v. 1348, Kisha e Petrovicës në Ujmirë e v. 1330, Kisha e Dollcit e v. 1455, Kisha e Deviqit në Drenicë, Kisha e Banjskës së Mitrovicës e v. 1313, etj. dhe shumë kisha të tjera më të vogla në Kosovë). Ndërkaq disa kisha ose manastire orthodokse në zanafillë shqiptare, si Manastiri i Deçanit i v. 1330, Manastiri i Pejës i v. 1201, si qendër në vend të Kishës së Zhiçës në Rashkë, Kisha ose Manastiri i Graçanicës i v. 1321 etj., nuk i nguci, s’i prishën pushtuesi turq, sepse, pra, po e përsëris qendër e tyre ishte Stambolli Orthodoks. Këtu po shtoj edhe se nëpër disa vendbanime shqiptare kishat katolike shqiptare u shndërruan në xhami në Kosovë, p. sh. Kisha e Banjskës e Mitrovicës, Kisha e Novobërdës, si dhe si më karaktkeristike është, pra, Kisha e Perzerenit, e cila gjatë historisë së saj ishte herë katolike e herë orthodokse, dhe u quajt me emra të ndryshëm, p. sh. Kisha e Shën Prenës (Premtës), Sveti Petka, Xhuma Xhamia, dhe më në fund dhe sot me imponim Bogorodica Levishnja.

Shkimtari dhe prifti i vjetër shqiptar Martin Segoni i lindur në Artanë e dëshmon   bindshëm Artanën Shqiptare

Pseudoautori serb Sima Qirkoviq, në punimin në librin “Ilirët dhe Serbët” (bashkë me 4 akademikë të tjerë serbë shovinistë më 1988, kur e përgatitnin luftën gjakatare në Kosovë) me porosi apo imponim nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, i shtrembëron dhe keqpërdor të dhënat objektive shkencore për shkrimtarin dhe priftin shqiptar Martin Segonin, sepse thotë se gjoja ky veprimtar nga Artana i shek. XV ishte shkrimtar serb, pra me qëllim përpiqet që t’ia mohojë përkatësinë etnike shqiptare. Porse, të dhënat onomastike-gjuhësore shqipe e qesin M. Segonin shkrimtar dhe prift i pastër si loti shqiptar, i përkushtuar si kombëtar shqiptar, gjykim që kuptohet edhe nga të dhëna e pa kontestuara, që i ofron vetë S. Qirkoviq. a) Pra, S. Qirkoviqi e përmend Kishën katolike në Novobërdë, që si kishë e tillë katolike e jo orthodokse, nuk ka mundur të jetë kishë serbe. b) Edhe emri i shkrimtarit-klerikut Martin dhe mbiemri apo patronimi Segoni bëjnë për të kuptuar se ishte shqiptar i kulluar në mesin e bashkëqytetarëve të vet si prift katolik në Artanën shqiptare. Edhe sot emri vetjak Martin është emër i zakonshëm në përdorim, sidomos ndër shqiptarët katolikë të Kosovës dhe Shqipërisë Veriore. Ndërsa te patronimi Segoni (Martin Segoni) mund të kërkojmë  fjalën e protoshqipes shegë, për të cilën E. Çabej thoshte se në shqipe është shumë e lashtë paraindoevropiane. Gjithashtu edhe sot e gjithë ditën përdoren dendur si matronimi Shegë ashtu edhe antroponimi  Shegoi. Porse, si  emër i trashëgimisë popullore shqiptare flet edhe e dhëna se në Kosovë lopët me qime si të kuqe, si ngjyra e kuqrremtë e frutit të pemës së shegës, emrohen me emrin shegë, kurse qetë emërohen me emrin shegoj. E, sa i përket nistores së sotme sh- te fjala e protoshqipes shegë, kjo fonemë buron nga një s- paraprirëse, që dëshmohet me mendimin e Henrik Bariqit, i cili e sheh “shndërrimin –s- në –z- si dukuri fonetike nga ilirishtja në shqipe”, ndërsa Enzo Gatti paraqet zhvillimin fonetik: c:s:sh. Këto të dhëna fonetike të përafërta të zhvillimit s>sh, dhe me anë të sonorizimit apo administratave të kohës të sh > zh, sikur na ndihmojnë që edhe tek emrat e fshatrave të Artanës (Novobërdës), përkatësisht Gjilanit Zhegër dhe Zhegovc të kërkojmë fjalën paraindoevropiane pellasde-ilire-shqiptare shegë. c) Edhe të dhënat e S. Qirkoviqit që Martin Segoni ishte kanonik në kishën katolike të Novobërdës dhe peshkop në Ulqin ku edhe vdes në vitin 1485 (në Ulqinin shqipar ku gjithmonë ka pasur dhe ka vetëm  shqiptarë autoktonë të besimit katolik dhe mysliman) flasin qartë se Martin Segoni ishte krykëput shqiptar, dhe se ne shqiptarët e Kosovës kemi arsye të forta të mburremi dhe të jemi krenar për një veprimtar të tillë shqiptar në mesin tonë, gjatë një periudhe të errtë kohore.Më në fund po përpiqem t’i ndriçoj emrat Nouomonte, Novobërdë dhe Artanë për të njëjtin vendbanim, siç po shihet, me histori të bujshme.

Emrat Nouomonte e Novobërdë për Artanën kalke nga pellasdo-iliro-shqipja mal(?)   

Image

Tek oikonimi Nouomonte, që u pa më sipër se shfaqet më 1437 më së 7 herë për Novobërdën, kujtoj se si kompozitë e tillë është emërtim i përbërë prej dy fjalëve latine: Nouo- “e re” dhe –monte “mal, kodër”. Kjo fjalë latine mont haset në patronime e oikonime të shumta të Kosovës e më gjerë gjatë sundimit romak e është shtanguar deri me sot me trajtat si: mont > munt > muç, p. sh. patronimet Muçolli, Muçiqi, si dhe emrat e katundeve të Gjilanit me bazë antroponimike Muçiverc e Muçibabë, për të cilat onoma kam shkruar gjerësisht në një vepër time. Mandej, në të njëjtin dokument latin më 1437 shfaqet tri herë oronimi Monte Negro (Montenegro). Ka gjasë që ky oronim Montenegro të identifikohet apo ubikohet me Malin e Zi të Shkupit të sotëm jo forte larg Artanës, në majën e të cilit mal gjallëron oronimi Maja e Zezë. Mali i Zi i Shkupit mbase është përkthyer më vonë në latinishte Monte Negro, e më pastaj edhe është përkthyer edhe në serbishte Skopska Crna Gora, si dhe më në fund edhe në turqishte Karadak, që shihet qartë se janë kalke nga pellasdo-iliro-shqipja Mali i Zi i Shkupit. Pra, gjasët janë se fjala latine si kompozitë Nouomonte për Artanën mbase është kalk i formuar nga fjala pellasde-ilire-shqipe paraprake mal “i madh, kodër”, sepse edhe fjala mal  përmendet po në këtë dokument, p. sh.: më 1437 hasen dy patronime me kuptime antipode, i vogël dhe mal për i madh, që iu kanë ngjitur emrit karakteristik shqiptar Gon (Gjon), siç shkruan në këtë burim: “Iuan Vranaich frar de Gon Vogoli piergo per Gon Mali foxer in posta de Gon; Mali Gon foxer (për Mal Gjoni xehtar); Mali, Nicha; Maluxat foxer” etj. Pra, kuptimi i zanafillës së mirëfilltë është mal “i madh, i lartë, kodër”, pastaj në latinishte monte “mal”, dhe më në fund në sllavishte (serbishte) berdo “mal, kodër”, pra kalk edhe në serbishte Novobërdë edhe nga shqipja dhe latinishtja. Këtu shihet se si administrata e kohëve ka ndikuar për të krijuar derivacione kuptimore sinonimike nëpër tri gjuhë, nga protoshqipja mal në lat. mont – Nouomonte, dhe më në fund sllavishte prej latinishtes Novobërdë. Për fjalën e mirëfilltë pellasde-ilire-shqipe mol -mal në onomastikën e Kosovës, të cilën si të tillë e shohin shumë dijetarë, dëshmojnë bindshëm edhe emrat e sotëm në Kosovë: Mollopolc (Shtime), Malaj (Rugovë-Pejë), Malishevë (Llapushë-komunë), Makërmal (Drenicë-Skendëraj), etj., për të cilat oikonime kam shkruar edhe më parë, po do t’i përimtoj etimologjikisht edhe në projektin që e kam paraparë ta realizoj sipas abecesë.

 Oikonimi Artanë mbase me zanafillë shumë të moçme të mirëfilltë

-Tashti po i them disa fjalë për të njëjtin vendbanim Nouomonte e Novobërdë me emrin Artanë, që si Artanë kujtoj se është emërtim me origjinë shumë të lashtë, sepse u tha më sipër se ishte xeherore e njohur  ballkanike mbase që nga paraantika e antika, ku janë nxjerrë xehe të njohura me emrat shqip ar, argjend, flori, dukat etj., si dhe këtë vjetërsi e përforcon kështjella e saj madheshtore, fantastike dhe misterioze me rëndësi për gërmime, gjurmime dhe zbulime arkeologjike pelasde-ilire-shqiptare. Për historinë e ndritshme mesjetare të Artanës, si një xeherore e pasur me xehe, kuptojmë edhe nga Parathënia e librit, ku thuhet: “Nga Arkivi i Dubrovnikut”, si p. sh. se ky libër është “libri i katërt i Monumenta Ragusina..., si Arkiv shtetëror i Dubrovnikut, i këshillit për vitin 1365, që Novobërda ishte koloni e Dubrovnikut, por që vërtetohet se xehetaria ka qenë krykëput në duart e njerëzve të vendit”. Prandaj, Artana gjatë fundit të shek. XIV (1365) dhe fillimi i shek XV (1411-1444) ishte pothuajse Qendra më e Madhe Xehtare Ballkanike, në duart e udhëheqësve apo sundimtarëve shqiptarë, në të cilën punonin me qindëra xehetarë shqiptarë. Kjo pasqyrë u dëshmua edhe më vonë, kur Artana ra në duart e pushtuesve turq, që kemi një paqartësi e mjegullirë e madhe, sa i përket islamizimit të popullatës shqiptare në Artanë dhe rrethinë të saj nga katolike e orthodokse në myslimane, siç u tha edhe më lartë, se sipas defterit në fjalë në kalanë e Artanës (Novobërdës) më 1455, prodhoheshin dhe përdoreshin llojlloj armësh, siç i përshkruam gjerësisht edhe më sipër nga defteri: 47 shpata, 6 hanxharë, 8 tuba me shigjeta, 3 topa të mdhenj, 55 pushkë, 25000 shigjeta, 45 mburoja, 3 buri ushtarake, 5 fuqi me kripë, 200 gurë me kripë, 6 hambare me grurë etj., si dhe 86 punonjës dhe përdorues të këtyre objekteve brenda Kështjellës së Novobërdës.

Të dhëna për banorët e kështjellës së Artanës (Novobërdës) nga defter i vitit 1455:

“Oblast Brankovića”, Sarajevo, 1972, f. 209.

Këto të dhëna materiale mesjetare të pamohuara për Artanën, si duket, me zanafillë pellasde-ilire-shqipe, kështjellë me një histori të bujshme, sot rrënojë misterioze,  me kanë nxitur që ta shtroj hipotezën  se gjurmët e Artanës të ubikohen ose identifikohen me njërën prej dy kështjellave ilire të vitit 560, që përmenden në veprën e Prokopit të Cezares (sipas veprës “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” ku ceken 360 kështjella në Siujdhesën Ilire), të cilat i rindërtoi dhe ndërtoi mbreti ilir Justiniani i Parë, i lindur në rrethin e Shkupit, si themelues i perandorisë botërore, siç shkruan: “Në Dardani i ndërtoi këto fortifikata...Arsa dhe Aria”. Dhe pikërisht te këto dy fortifikata ose kështjella ilire Arsa dhe Ariai, po edhe te topogërmadha e sotme Artana mund ta kërkojmë fjalën ilire-shqipe ar-i “metal i çmuar”, që tek Artana, pra është strukur nëpër kohë fjala ari (nga mbiemri i, e artë) dhe fjala ilire-shqipe –anë “krah, anë”, ose prapashtesa ilire-shqipe an (?). Për prejardhjen e mundëshme të Artanës nga fjala ari, sikur bëjnë me dije edhe disa fortifikata të v. 560, të cilat përmenden në veprën  “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” të formuara nga fjala gjithashtu e protoshqipes argjendi, si sinonim i fjalës ari, p. sh. kështjellat ilire: “Në Epirin (e Ri) fortesa e re Argos; Rindërtoi Argyas në Epirin (e Ri); në Argue Timathioim (mbase lumi Timok-R.D.) ndërtoi Arganokili, Argantores”. Po shtoj edhe se te Hans Krahe i gjejmë disa toponime ilire, të cilat mund të kenë të bëjnë me fjalët ilire-shqiptrare argjend e ari, p. sh.: “Argya, Argya flumine; Argyruntu, Ptol.: Arinistae; Αρίων, Aronia; Artatus, Liv.”, etj. Edhe ilirologu Anton Mayer-i i cek disa emërtime ilire me rrënjën ar- p.sh.: Arantius, Aravisci, Αρáξαι Steph. Byz.”, dhe, ç’është kujtoj me rendësi, ky autor  e përmend emrin e qytetit të madh ilir dhe të sotëm shqiptar në jug të Çamërisë Arta në Epirin iliro-shqiptar me disa trajta: “Αραθoς, Ptol., Aratus; Fluβ in Epirus, heute Arta”. Përkitazi me lidhshmërinë e fjalës së mundëshme  ari kronologjikisht antikë-mesjetë-kohë e sotme, që mund të jetë prej kësaj fjale jo vetëm Artana e Kosovës, po edhe Arta e Epirit, sikur pëforcohet edhe me emrin e luftëtarit të Kohës së Skënderbeut Araniti, për të cilin thuhet në një dokument historik mesjetar: “Ka të dhëna të detajuara se Araniti në vjeshtën e vitit 1432 rrethoi Gjirokastën”. Si bashkëluftar të Skënderbeut Aranitin e cilëson edhe Fan Noli, si e paraqet: “E shoqja e Aranitit dhe Venediku. 3 shtator 1463...Marrëveshja ndërmjet të madhërueshmit  zot Skënderbe dhe zotit Arenit në ushtri...”. Gjithashtu, pos që sot pagëzohen fëmijët me emrin bashkëkohor (modern) Aranit, gjallëron si përdorim mbase mesjetar me përtërirje në patronimin Aranitasi (Ramiz Aranitasi) në Tiranë.     

-Të gjitha këto onoma ilire, që mund të kenë të bëjnë me metalin e çmuar ari dhe argjend tregojnë se ilirët kanë qenë të njohur  për zbulimin e xeheroreve dhe përpunimin e metaleve. Në një mënyrë a tjetër edhe tek antroponimet e matronimet, që i gjejmë në veprat e Homerit me rrënjën  ar “argjend, dukat, flori”, sikur bëjnë për të kuptuar se kanë të bëjnë me fjalën pellasde-ilire-shqipe ar (ngase Homeri njëmend i përmend dendur pellasdët), dhe se njëmend sikur del se këto personazhe homerike në një mënyrë a tjetër kanë të bëjnë me armë metali, konkretisht me fjalën ar, siç thuhet në“Iliadë”: “me armë t’Arejtit mbret; Arejt Hyjnorit; E i zhveshi armët që i kish dhuratë prej t’pamëshirshmit Ares; i pari Ares që dermon mburojat;  Leonteu, biri i luftarit Ares; Artemis”, etjj. Kurse në veprën “Odiseja” shfaqen matronimet, antroponimet e toponimet me fjalën ar: “Aretë, ti bijë e fisnikut e Reksononit trim, grua e nderuar e Alkinout, luftetar; mbretëresha Aretë;  Pashë Fedrën, t’bukurën Ariadnë; nga Argu u drejtua, n’ato kullota;. Quhej Arne”, etj. Të gjitha këto onoma në dy veprat e njohura botërore “Iliada” dhe “Odiseja” të Homerit (i lindur në katundin Smirë të Azisë së Vogël): Arejti, Aresi, Artemisi, Areti, Aretë, Ariadë, Argu, Arne etj. sikur flasin se u pagëzuan në bazë të metalit më të çmuar arit, dhe kjo bën për të kuptuar se sa i pasur dhe thesar i pakrahasuar është fjalori ynë pellasdo-iliro-shqiptar, po të studiohet sa e si duhet si në pikëpamje krahasimtare diakronike ashtu dhe sinkronike, si dhe për nga fonetika e morfologjia historike.

 Përafërsisht porsi Homeri e paraqesin Zotin Ares edhe studiuesit e tjerë, po ne po i theksojmë disa cilësi të tij, që kanë të bëjnë me armët, madje edhe me metalin e çmuar të arit.  Për shembull Vojtche Zamarovskij e përshkruan: “Aresi (greq. Ares, lat. Mars), i biri i zotit suprem, Zeusit dhe gruas së tij Herës...Aresi, pra, ishte zoti i luftës. E gëzonte britma luftarake, tollovija e betejës, vringëllima e armëve dhe era e gjakut. Me ndihmën e Athenës nën Trojë Diomedi, udhëheqësi i argeasve (mbase nga argjend?) e plagosi  me shtizë. Skulptura e Aresit, e të ashtuquajturit Ares Borghese, prej viteve 420-410 para e. s., gjendet në Luver të Parizit...”. Duhet t’i eliminojmë dhe t’i hedhim poshtë njëherë e përgjithmonë mendimet e studiuesve, si ky i V. Zamrovskit se kinse, siç kuptohet Aresi është grek, po me të dhëna bindëse shkencore t’ia kthejmë fondin gjuhësor gjuhës sonë të njohur dhe më të lashtë botërore pellasde-ilire-shqipe, sidomos me të dhënat gjuhësore-onomastike të vepraave të Homerit. Bie në sy edhe e dhëna se W. Zamarowskij i thekson me fjalën ar personazhet dhe hyjneshat e shquara: Areta, grua; Aretuza, anëtare e shoqërisë së gjuhëtarëve  të hyjneshës Artemida, si dhe janë Argonautët, që i pari i tyre “Argu, u largua rrjedhës së kundërt të Istrit (Danubi i sotëm në krahun e Artanës-R. D.)”. Ndërkaq, bashkautorët J. Chevalier e A. Gheerbrant zotin Ares e përshkruajnë me këto fjalë: “Ares (Mars). 1. Zoti Ares është i biri i Zeusit dhe Herës. I ati i tij thotë se është më i pamëshirshmi prej të pavdeksheve. Është i armatosur për mrekulli me shigjetë, mburojë, hark shigjete dhe shpatë”. Vetë këto 4 armë klasike antike, mbase prej ari, sikur na bëjnë me dije se edhe vetë Aresi, Zoti i luftës e kishte marrë emrin pikërisht prej fjalës pellasde-ilire-shqipe ari, ngase njerëzit në lashtësi shumë të hershme emroheshin me epitete (atribute), pra, në bazë të cilësive të tyre, për të cilët boshnjaku Ismet Smailoviqi thotë: “Ata në fakt nuk kanë qenë emra vetjakë si i kuptojmë ne sot, por kanë qenë ofiqe (nofka), që më së shumti janë përcaktuar në mënyrë përshkruese”. Koautorët J. Chevalier-A. Gheerbrant i kanë vështruar me fjalën ari edhe antroponimet Ara e Ariš, që thonë: “Arishi është i pavdekshëm..., që simbolizon diellin e hënën si zogj të arit dhe të argjendit”. Pra, gjasët janë se emrat Ara e Arish kanë zanafillë prej fjalës shqipe ari, fjalë që mbetet vulë e pashlyer dhe me rëndësi nëpër motmote në traditën tonë të pasur popullore shqiptare.

Si përmbyllje për prejardhjen e mundshme të emrit të qytezës Artanë nga fjala pellasde-ilire-shqipe ar-i “dukat, argjend, flori” (quhet kështu në bazë të lashtësisë, shtrirjes gjeografike dhe përkatësisë etnike), na thotë mendja se këtë etimologji e përforcon edhe e dhëna se edhe sot e gjithë ditën përdoren ndër ne shqiptarët nga kjo fjalë antroponime e matronime në një mënyrë a tjetër të trashëguara nga të parët tanë stërgjyshërit pellasdë dhe gjyshërit ilirë, p. sh.: Ari - Are, Artan - Artanë, Arion - Arione, Aris – Arisë, Arjon - Arjonë, Armend - Armende, Arlind - Arlinde, Ardit - Arditë, Arjet - Arjetë, Besar - Besare, Besart - Besartë, Arjol – Arjolë,Diar – Diare, Diart – Diartë, etj.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat