Dobrosini, një nga zonat shqiptare më të militarizuara në rajon

Reportazhe

Dobrosini, një nga zonat shqiptare më të militarizuara në rajon

Nga: Rejhane Rexhepi Më: 1 nëntor 2021 Në ora: 10:05
Dobrosini

Në dalje të Dobrosinit për të shkuar në Gjilan- Kosovë, nga 31 maji 2001, është i vendosur Postblloku famëkeq serb, i cili 24 orë kontrollon hyrje – daljet në fshat! Pra, ky postbllok dhe militarizimi i kësaj pjese janë faktorë kryesor që njerëzit janë larguar nga fshati për në Kosovë, por pas liberalizimit të vizave në fund të vitit 2009, një pjesë e madhe kanë emigruar në shtetet perëndimore si refugjatë, thotë kryetari i Bashkësisë Lokale në Dobrosin.

Në zonën kufitare Kosovë-Serbi, shtrihet Dobrosini një nga zonat më të bukura shqiptare. Ky vendbanim i takon Komunës së Bujanocit, por që lidhje të ngushtë edhe me Gjilanin, një nga komunat më të mëdha të Anamoravës.

Dobrosini, ka një natyrë të mrekullueshme dhe shumë atraktive për vizitorë. Banorët e këtij vendbanimi, merren kryesisht me bujqësi dhe blegtori, si dhe dallohen për mikpritje, bujari, solidaritet dhe trimëri.

Mirëpo, mjerisht, ky vendbanim etnikisht i pastër shqiptar, po mbetet pa banorë, të cilët për shkak militarizimit të rajonit, varfërisë ekonomike, mosinvestimeve nga pushteti lokal dhe ai qendror dhe presioneve sistematike të Beogradit, po zbrazet në heshtje.

“Dikur, para luftës së fundit gjatë vitit 2000- 2001, në Dobrosin kanë kanë qenë 120 shtëpi, kurse tani kanë mbetur vetëm 50 shtëpi rezidente”, tha njeriu i parë i Bashkësisë Lokale Reshat Salihu.

Edhe këta pak banorë që kanë mbetur për të jetuar në këto shtëpi, nuk kanë ku të shkojnë gjetiu dhe rrinë këtu si thonë nga zori, thotë i zhgënjyer kryetari Salihu.

Sa i përket numrit të nxënësve, mund të themi lirisht se ai është duke u zvogëluar për arsye të shumta. Në Dobrosin ekziston shkolla e plotë fillore me mbi 30 nxënës, pra nga klasa e parë deri në të 8-tën.

Po ashtu, menjëherë pas luftës e kemi hapur edhe entin parashkollor, ku momentalisht janë diku10 nxënës kuptohet këtu janë 2 apo 3 gjenerata. Në mungesë të perspektivës për të rinjtë, fshati çdo ditë e më shumë, po braktiset nga ta, të cilët në mënyrë të heshtur po emigrojnë në shtetet perëndimore kryesisht në Gjermani e gjetiu, thotë me një shqetësim të hapur kryetari Salihu.

Kështu mendon edhe arsimtari i kësaj shkolle Halim Hasani, krijues i aforizmit dhe vepra të tjera letrare e publicistike, ai thotë se kur ishte nxënës i klasës së tetë të kësaj shkolle në vitin 1972, klasa e tetë numëronte 17 semimaturantë, kurse tani është vetëm 1 nxënës. Në vitin e ardhshëm gjenerata jonë do ta festoj 50 vjetorin, duke i evokuar kujtimet për brezin e parë të klasës së tetë. Edhe arsimtari i lëndës së historisë pajtohet se për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe problemeve të tjera, njerëzit po ikin nga ky vendbanim.

Sa i përket investimeve, kaluan shumë vite e nuk u punua në fshat asgjë deri në vitin 2016, kur filluam gati çdo vit të asfaltojmë nga disa rrugë. Ne si Bashkësi Lokale e konkretisht unë si kryetar nga viti 2017, gati tërë fokusimi ka qenë në shtrimin e kërkesave të vazhdueshme ndaj Elektrodistribucionit të rrymës në Vranjë dhe më gjerë për rekonstruimin- sanimin e rrymës elektrike. Rryma elektrike është një problem i madhe sepse nga viti 1965, kur u instaluar për herë të parë, EPS- i nuk ka bërë asnjë investim! Ekziston rreziku që gjatë periudhës së dimrit të mbesim pa rrymë për disa ditë.

Gjithashtu, Dobrosinin e karakterizon militarizimi i fshatit rreth e qark dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë, të cilët përballen me papunësinë dhe mosnostrifikimi i diplomave nga Serbia.

Në dalje të fshatit për të shkuar në Gjilan- Kosovë, nga 31 maji i 2001, është i vendosur postblloku famëkeq serb që 24 orë kontrollon hyrje daljet! Pra, ky postbllok dhe militarizimi i kësaj pjese janë faktorë kryesor që njerëzit janë larguar nga fshati për në Kosovë, por pas liberalizimit të vizave në fund të 2009, një pjesë e madhe kanë emigruar në shtetet perëndimore si refugjatë.

Serbia me prezencën e këtyre forcave ushtron dhe vazhdon të ushtroj presion psikologjik. Po ashtu edhe në dalje të fshatit për të shkuar në Bujanoc, është e pozicionuar me kazerma ushtria serbe.

Gjatë bisedës për Jetapress, kryetari Salihu, nuk la pa përmendur se Dobrosini ka qenë simboli i rezistencës kombëtare, ka qenë vendlindja e UCPMB-së, duke dhënë dëshmorë për të mirën e vendit.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat