Dhuna e burrit në veten e parë

Reportazhe

Dhuna e burrit në veten e parë

Nga: Beqir Elshani Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 11:33
Ilustrim

Unë jam një nga burrat e njohur në fshat, jo për të mirë, por për të keq. Pi alkool dhe konsumoj drogë, me anën e së cilës i keqtrajtoj bashkëshorten dhe fëmijët e mi. Ndërkohë vijnë miqtë dhe fqinjët, më këshillojnë të mos i torturoj gruan dhe fëmijët, të heq dorë prej alkoolit dhe drogës. Mirëpo unë si zot shtëpie që jam, këshillën e tyre nuk e marrë parasysh. Kuptohet, jam patriark i panënshtruar. Shkurt, nuk pranoj që të tjerët të ndërhyjnë në punët e mia, sepse shtëpia ka zot, dhe ky jam unë. Prandaj organet policore më kanë burgosur. Quhem Ardit, mirëpo edhe pse emrin e kam të bukur, që do të thotë ditë e artë, megjithatë gruaja kurrë nuk më thërret Ardit, por Ditëzi. Familja ime jeton në kushte… në kushte shumë të këqija. Banojmë në shtëpinë e vjetër që është ndërtuar qysh në kohën e babagjyshit, të mbuluar jo me rrasa guri, as me llamarinë, por me kashtën e thekrës.

Pastaj në vend se të blej bukë e kripë, si dhe libra e fletore për fëmijë, unë marrë raki veresie në shitoren ushqimore. Në vend se të sjellë ndonjë dru për ngrohje apo të punoj kopshtin, tërë kohën e kaloj nëpër pijetore. Kështu me shishe të venës e harroj fuqinë dhe dashurinë familjare. Dehem dhe bëhem tapë, përbaltem në rrugë dhe sapo kthehem në shtëpi, gruan dhe fëmijët i zhdëpi në dru dhe i shaj me fjalë të ndyta; i poshtëroj në sy e faqe. Këtë mund ta shihni se si trupi gruas sime është bërë pleh nga dajaku im i përditshëm. Për shkak se muajin e kaluar prej zemërimit e kam rrahur gruan, ajo nuk mundi të shkonte me fëmijët në dasmë për martesën e vëllait. Po të shikohet trupi i fëmijëve të mi: të Sokolit, të Meritës dhe të Mimozës, do të gjenden gjurmët e dajakut që një kohë të gjatë i kam rrahur. Jo vetëm që i kam rrahur, por edhe ua kam ndaluar që trupin e tyre të nxirë nga shkopinjtë t’ua tregojnë të tjerëve.

Po e morën veshë fqinjët, sidomos organet sociale, që i kam rrahur, atëherë pasojat do t’i kenë më të mëdha. Vitin e kaluar më vdiq nëna e dyfishtë. Them e dyfishtë, sepse më shkoi me gjithë pension. Një vit e mbajta fshehtë vdekjen e nënës, sa për të vazhduar të marrë pensionin e saj, mirëpo sigurimi social e mori vesh mungesën e nënës sime, prandaj paratë m’i ndalën. Ma ndalën pensionin e nënës, he i marrtë Drini! Tezja ime përgojon kinse unë ia kam plasur zemrën nënës. Derisa unë mërzitem për vdekjen e nënës, fqinjët më përgojojnë se ime më është rehatuar.

Tani në derë të oborrit, në vend të pensionit të nënës, vjen tagrambledhësi. Pastaj në vend se në oborr të hyjnë lara me viçin, trokasin organet komunale që kërkojnë llogaritë e tyre. Edhe tregtari për blerjen e vajit dhe kripës veresie më kërkon borxhin. Deri vonë e kisha një dhi, më jepte pak qumësht dhe ndonjë kec, derisa më në fund të gjitha i thera. Tani kam mbetur pa to. Sa ishte nëna gjallë, vinte daja dhe na sillte ndonjë thes miell. Më sillte fasule dhe patate. Po e shoh se më lehtë e ka pasur tregtari të më shet mallin veresie se të më kërkojë borxhin. Asnjë pulë nuk më ka mbetur në oborr, të gjitha i kam ngrënë me meze së bashku me shokët e mi, me të cilët më ka lidhë rakia. Pronarit të kafenesë vitin e kaluar ia kam thyer xhamin, jo një pëllëmbë, por katër metra të madh, prandaj edhe atij i kam mbetur borxh. Kuku, sa herë më sheh, si gjyle topi ma tregon grushtin. Natyrisht që gruaja dhe fëmijët janë të veshur me rroba të leckosur, as çezme nuk kanë në oborr, jo më në kuzhinë; të gjithë po lahen në govatën plastike.

Së shpejti do të lirohem prej vuajtjes në burg, mirëpo gruaja dhe fëmijët në vend se të gëzohen për kthimin tim në mesin e tyre, qajnë e më mallkojnë. Nuk e mallkojnë vetëm zotin, edhe barkun e nënës e mallkojnë që i ka lindur. Shkurt, dëshirojnë vdekjen time. Nuk dihet, vërtet fëmijët po vuajnë prej meje, mirëpo një ditë kur të rriten, mbase do t’i ngjanë gjyshit të tyre, mund të bëhen burra dhe gra të mira, pastaj djemtë mund të kenë fat dhe të martohen me nuse të vyeshme e të sjellshme, kurse vajzat të martohen me burra të mirë, po ashtu të vyeshëm. Kështu nuk shkon, prandaj jam i detyruar të shes arën që ndodhet skaj xhadesë për të paguar borxhet që më kanë mbetur. Jo, borxhet e kripës dhe sheqerit, por borxhet e duhanit dhe të rakisë. Përqafime, fëmijë të dashur, ju do babai me shishe në dorë!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat