Në Iballe, duke medituar për agro-turizmin

Reportazhe

Në Iballe, duke medituar për agro-turizmin

Ndue Dedaj Nga Ndue Dedaj Më 1 korrik 2017 Në ora: 10:33
Fshati Iballe

Lëmë pas Fushë-Arrrësin dhe pas 31 kilometrash nëpër një rrugë të re të asfaltuar, ndërtuar vitet e fundit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kemi mbërritur në Iballe, një nga qendrat e përmendura të Shqipërisë së Veriut. Një panoramë e pazakontë, nga ku i kundron të gjitha bjeshkët deri në thellësi të Alpeve. Jemi ne ndër udhëtarët e paktë të kësaj të diele qershori. Këtë zonë nënalpine, që shtrihet në lartësinë 700-900 metra mbi nivelin e detit, e ndan Drini me Tropojën. Dikur shkohej e vihej brenda ditës në Gjakovë, me kuajt e ngarkuar me mallra, duke ndjekur rrugët e shkurtëra. Kthejmë kryet andej nga janë majat e maleve. Maja e Shllumit. Maja e Mërturit. Maja e Sharit. Maja e Bales (nga thuhet se vjen dhe emri Iballe - përballë Bales). Vendasit tregojnë me dorë fshtrat e largët që dukën e s’dukën, me emra me tingëllimë poetike, si të dalë nga xhubleta e Eposit të Kreshnikëve. Andej është Bugjoni. Andej Kokëdoda. Andej Apripa e Gurit. Andej Mërturi. Andej Berisha. Fierza, Mziu, Poravi etj. Edhe pse kohë moderne, është e pamundur që të vesh në Iballe e të mos dëgjosh për orën e malit të Shllumit, dikur si një hyjni me fronin në atë mal dy kaptinash: “Oj ora e Shllumit, më ndihmo!”…

Fashti Iballe shtrihet në “gropë”  dhe jo rastësisht quhet Fushë Gropë. Sipas gojëdhanave vendi ka qenë e gjithi i mbuluar me uji, pastaj diku mali u ça dhe uji iku andej nga Ludrica, ku në hershmëri “ankoroheshin lundrat”. Kaq shumë e kanë ëndërruar malësorët detin, sa i kanë “ngjitur” lundrat deri rrëzë Alpeve. Sigurisht jo për peshkun e shijshëm, se trofta e përrenjëve malorë është më e mira, por për daljen në det, lidhjen me qytetet. Përtej tisit të legjendave mrekulluese, Iballja ka plot faqe historie, që indentifikohen me tempujt kishtarë të Shën Sebastianit dhe Shën Gjergjit. Natën e Shnandojt me 13 qershor mblidhen rreth 500 vetë nga të gjitha fshatrat e ish- komunës, që ende nuk i është fshirë emri nga tabela në hyrje të godinës. Iballja është nismëtarja e arsimit në Pukë, pasi aty u hap shkolla e parë në vitin 1903 nga ipeshkvi i Sapës, Imzot Lazër Mjeda, me mbështetjen Austro-Hungareze. Pas Luftës së Dytë Botërore në Iballe ka patur shkollë të mesme por dhe një konvikt si ato të qyteteve për fëmijët e zonave të thella, që sot është shkretuar.

Familja Mirakaj është një tjetër identitetit i këtij vendi dhe ne, shoqëruar nga pasardhës të derës në zë, vizituam kullën e tyre, e shpërfytyruar për shkak të sekuestrimit dhe keqpërdorimit të saj nga regjimi i kaluar. Kol Bibë Mirakaj, më i përmenduri i fisit, ka qenë mësues në vitin 1917 në Iballe, një detaj i vogël në dukje, por që i vlen rishkrimit të historisë, t’ia përmendësh kontributin në lëmin e ABC-së njeriut, që historiografia e gjysmëshekullit monist e ka fshikulluar pa mëshirë, duke e parë vetëm si ministër i njërës nga qeveritë e kohës së pushtimit. Bashkë me të u errësua e gjithë gjenealogjia e Mirakajve, ashtu si dhe e familjeve të tjera në zë të trevave shqiptare, duke i ndjekur pasardhësit e tyre kolektivisht mallkimi i biografisë.

Të gjithë rrëfejnë për Iballen, nga Frang Bardhi katër shekuj më parë te banakieri i fshatit, Aleksi, që e bën mirë shpjeguesin e vendit të vet, pa teprime e mburrje. Fshati i Iballes ka patur 400 shtëpi e tani ato janë janë rrudhur në afro 100, edhe pse prej dy vitesh për në Iballe shkohet nëpër një rrugë të mirëfilltë turistike. Megjithatë rruga nuk ka “prodhuar” ende investime në fshatrat e zonës dhe kjo është ana tjetër e medaljes e një rruge të bukur, jo vetëm në këtë malësi - thënë ndryshe, ato rrezikojnë të kthehen në një stoli.

Banorët e Iballes janë të përmendur për urtësinë, mikpritjen dhe të tjera tipare të aristokracisë së maleve dhe fisnikërisë malësore. Ata dinë të festojnë dhe fushnaja para masivit të gështenjave, është njëri nga vendet ku ata mblidhëshin për të festuar e kuvenduar sipas traditës. E kanë ruajtur këtë pemëtore natyrore dhe kjo është dëshmi e vitalitetit të tyre në kohën e tranzicionit, pasi turizmi do të ishte i sakatuar pa këtë perlë. E jo vetëm kaq, por njëri nga banorët, Leka, tash ekonomist në Tiranë, vjen rregullisht në trojet e vjetra dhe e shton bashtinën e tij të geshtenjave me fidana të rinj. Megjithatë tash për tash nismat janë spontane. Ende nuk sheh stalla moderne, baxha bulmeti, resorte turistike, vetëm pak tufa delesh kullosin në mesditë livadheve. Është ngritur dhe një kamping për turistët, me disa bujtina të drunjta, por ato nuk mund të jenë efiçente aq sa duhet pa një agroturizëm të zhvilluar. Dihet që askush nuk mund t’i bëjë të gjitha, ndaj harmonizimi i investimeve private e publike do të ishte rruga e duhur. Dikush bujtinat, dikush blegtorinë, dikush prodhimet bujqësore, dikush zairet e dimrit e kështu me radhë.

Kthehemi prej Iballes, me dëshirën që kur të vemi prapë atje pas ca kohësh si turistë të mund të shijojmë gjithë gamën e prodhimeve të saj bio, duke filluar nga qumështi i shijshëm, kosi i trashë “me e pre me thikë”, djathrat e deles dhe të dhisë, gështenjat e pjekura, mjalti aromatik, lakrori e gatimet tradicionale, rakia e thanës, gjer bukëfiket e sa e sa prodhime të tjera vendase. Por siç thotë populli, sipas vendit bëhet kuvendi, edhe turizmi lypet i gërshetuar veror dhe dimëror. Se Iballja është si një hirushë e bukur gjatë verës, por ajo vjen e bëhet “bishë” gjatë dimrit, i cili në këto anë nuk është një shaka. Specialistët e fushës me të drejtë ngrenë problemin e studimeve paraprake për turizmin, llojshmërinë, tipologjinë, pasi ndryshe e kërkon një rajon e ndryshe një tjetër. Klima, lagështia, nxehtësia ndërrojnë nga një vend në një tjetër, ani se në dukje të ngjashëm.

Iballasit besojnë se një ditë fshati i tyre do të lidhet me rrugë të re në standarde dhe në krahun verior, me Fierzën, aq më tepër që turistët nuk duan të “ngujohen” vetëm në një vend. Fundja një “qafë” mali është ajo që duhet kapërcyer me asfalt për të mbërritur te diga dhe liqeni i dritës. Kujtohemi për njerëzit e Iballes dhe ja tek na vjen ndërmend Dedë Maluta në Lezhë, njëri nga biznesmenët më të suksesshëm të ndërtimit jo vetëm në qytetin bregdetar, por dhe në Shkodër, Tiranë etj., me dëshirën që njerëz si ai të nxisin ide dhe projekte për zhvillimin agro-turistik të zonës dhe krejt malësive të Pukës e Fushë-Arrëzit.

Image
Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat