Vermoshi i turizmit, si një këngë e re majekrahu...

Reportazhe

Vermoshi i turizmit, si një këngë e re majekrahu...

Nga: Ndue Dedaj Më: 14 shtator 2017 Në ora: 09:02
Pamje nga Vermoshi

Nga skaji më i largët veriperëndimor i Shqipërisë lajmi është se Vermoshi tashmë është njëri nga destinacionet e reja turistike alpine që iu shtua që këtë vit Valbonës, Thethit, Razmës dhe Grykës së Rugovës, të gjitha porta hyrëse për në Alpe. Me rrugën e re Vermoshi nuk është si në legjenda nëntë ditë e net larg nga Shkodra, por më pak se dy orë me makinë nga Rozafa. Dikur autobusi që vinte dy herë në javë e bënte gjithë ditën njërën fille rrugë, bregut shkëmbor të Cemit e Gropave të Selcës. Rruga e re i ka sjellë dhe Plavën e Gucinë më pranë. Ato do të jenë dhe më shumë “shqiptare” se deri tash, pasi asfalti do të çojë atje grupe kulturore, abetare, koncerte, ekspozita, panaire, investime në infrastrukturë, turizëm etj.

Vermoshi 1060 metra mbi nivelin e detit është si një paradhomë për t’u ngjitur në majat e larta të Alpeve. Maja e Marlulës është kuota më e lartë e Vermoshit bashkë me Skrobotushën e djeshme të sharrëtarëve. Ende janë në këmbë, pa dyer e dritare, godinat e sekorit të shfrytëzimit pyjor. Aty ku pylli nuk ka qenë prerë, shpalos një pamje fantastike plot bimësi e gjelbërim, duke të shkaktuar një si ndjesi hyjnore. Njëri nga banorët na tregon se faqja e malit tej lumit është me dru çetine, që e hasim qysh në Eposin e Krshnikëve, teksa këndej ka dhe vajza me emrin e bukur Çetinë. Na tërheq gjithashtu vëmendjen një toponim i çuditshëm, “Kulla e Mbretit” në një shpatnajë të veshur me drurë në brezin kufitar me Malin e Zi, në të vërtetë me vise shqiptare përtej kufirit shtetëror. Nuk e dimë se cili nga mbretërit pati veruar atje? Ndoshta aty janë dhe rrënojat e asaj kulle, që me siguri kanë për ta zbuluar turistët e nesërm.

Lugina e Vermoshit është dhjetë kilometra e gjatë dhe lumi që rrjedh në krah të kundërt e derdhet në liqenin e Plavës, gjatë verës i ngjet një përroi të thatë. Vermoshi përbëhet nga pesë lagje, Velipojë, Maliaj, Pjetraj (qendra), Bashkim dhe Velan. Ai ka “humbur” jo pak banorët, por jo traditën e vet. Njerëzit këtu nuk e kanë vdarë virtytin e mikpritjes që shihet që nga përshëndetja gjithë stimë e vendasve si të jesh i njohur i tyre. Ky është dhe një tregues se bujtinat e para që kanë nisur të marrin jetë do të jenë të frekuentuara dhe nga mirësia e atyre që shërbejnë. Janë ngritur pesë bujtina deri tani dhe po hedh shtat një hotel turistik 5-6 katësh. Bujtinat kanë filluar të kenë punë që tani dhe vendasit po ia marrin dorën kësaj “zeje” të re mes pishash, ahesh e meshteknash mrekulluese.

Në qendër të Vermoshit takojmë një grup grash nga Tirana. Njëra prej tyre, mësuese në pension, thotë se kam ardhur këtu nga Durrësi në vitin 1968 si gjimnaziste vullnetare, kur po hapej me aksion rruga e Malësisë së Madhe dhe atëherë m’u duk se kisha dalë jashtë shtetit.

Nuk mund të shkosh në Vermosh e të mos ndalesh te shtëpia e Prekë Calit diku në zall. Në mediumet e Tiranës flitet sot e gjithë ditët për bëmat e të gjallëve, por pak kush e di se cili ka qenë ky burrë, me plot gojën legjendar, në dash krahasoje me Gjeto Basho Mujin, në dash me Oso Kukën, në dash me Ali Pashë Gucinë. Ishte ai me luftëtarët e tij, pa kufiri serbo-malazes u ndal pa zbritur në Tamarë a Koplik. Dhe si “shpërblim”, ky atdhetar i madh u pushkatua pas Luftës së Dytë dhe iu përdhos shtëpia, në vijën e parë të kufirit. Një histori ende e pashkruar dhe e lënë në harresë dhe nga historiografita zyrtare e kësaj kohe. Gjomarkajt, Previzët, Kaloshët, Muharrem Bajraktari, Prek Cali nuk mund të ishin komunistë, por ishin kombëtarë, bijë të flamurit. Duheshin shformuar nga regjimi komunist ato kulla të qëndresës shqiptare dhe zhbërë “miti” i tyre i gjallë që kishte frymuar atyre kreshtave epike. Kulla e Calit ka filluar të rindëtohet si muze, falë kontributit të një fondacioni të ngritur në emrin e tij nga emigrantët e Malësisë së Madhe në Amerikë.

Duke folur me vermoshasit, befas kujtohemi për një telefonatë, por mos u lodh, në Vermosh nuk ka valë. Asnjë operator telefonik nuk e ka zgjatur “dorën” deri atje. Dhe ky është një problem si për vendësit, ashtu dhe për turistët, që nuk venë deri atje për t’u izoluar. Ndërkohë që të thonë se cilët nga udhëheqësit nuk i kanë kaluar Leqet e Hotit, duke i përshëndetur veç me dorë malet e Kelmendit e cilët tash së voni janë ngjitur deri lart në Vermosh. Mark Naçaj, një djalosh i qeshur, student për letërsi në Shkodër, por dhe poet i ri, gjatë verës shërben në dyqan. Kur ne e pyesim për hollësi të Vermoshit, ai sheh nga një grua që është ulur në lokal dy tavolina më tej. Është Gjyste Mitaj “doktoresha” në pension, që ende vazhdon t’iu shërbejë banorëve, me një pagesë të vogël shtesë. “Qysh pesë vjeçe më ka lindur mendimi për t’u bërë mjeke”, thotë gruaja që i njeh me emra banorët e Vermoshit prej dyzet vitesh. Kanë qenë mbi 1300 vetë në 92-in dhe tani janë 400, më pak se një e treta. Nga 320 shtëpi gjithësej, në 100 nuk banon asnjë shpirt. Njerëzit kanë ikur në Amerikë, Itali dhe më pak në Greqi. Ndër të ikurit janë dhe fëmijët e saj, tre djem e dy vajza. Vendi shumë i bukur, por njerëzit e braktisën gjatë tranzicionit për mungesë infrastrukture. Shkolla e Vermoshit ka mbetur sa një klasë. Një problem ky gjithandej në malësitë shqiptare këto ditë që ka rifilluar shkolla.

Janë disa shenja të një vendi që duhet t’i prekësh për ta kuptuar atë së brendshmi. Gjystja thotë se e ka veshur xhubletën nëpër ceremoni dhe se e ka dhe sot në shtëpi si relike. “Vajzat dilnin nuse me xhubletë. Duheshin 6 muaj me e përgatit, aq shumë punë donte, se bëhej e gjitha me dorë në mënyrë artizanale”. Turizmi do ta rikthejë xhubletën dhe më shumë në mjediset mikpritëse apo etnokluturore. Ashtu siç ka për të gjallëruar shumë perla autentike të folkut, si kënga majekrahu e Malësisë së Madhe, me origjinë të hershme pagane. Ndër studiuesit e kësaj trashëgimie dhe zhvillimeve bashkëkohore kelmendasit, ndër të tjerë, përmendin dhe Rush Dragun, që ka qenë kryetar i Komunës e tash rron në Amerikë.

***

Një kafe, një drekë a një darkë në Tamarë, o në vajtje o në kthim, është si një lloji kushti për të shijuar prodhimet e Kelmendit, këtij emri të vjetër që e hasim si mbiemër që nga Papa Klementi i XI, te shkrimtari Ramiz Kelmendi në Kosovë e dy Majlindat, njëra piktore e talentuar e tjetra rekordmene ndërkombëtare e xhudios. Vetë Tamara është një emër njeriu. Ajo ishte bija e Vezirit të Shkodrës që ndërtoi një urë mbi lumin dy krahësh që rrjedh nga Alpet. Tamara turistike është një qendër e urbanizuar kohët e fundit, me pak banorë, por jo me pak turistë. Ndërtesat e saj janë të veshura me gurë dekorativë dhe tregtohen prodhimet bio të zonës. Në një dyqan shiten disa lloje rakie: molle, kumbulle, thane, rrushi, trëndafili të egër, sanze (një bimë rrënjore), apo vetëm nga boronica është prodhuar liker, lëng, shurup, reçel, çaji mali, sherbele, liker arre, djath i stazhionuar etj. Pa folur për troftën e Cemit, mishin e qingjit dhe të kecit që piqet sipas traditës dhe është tepër i shijshëm. Dikush ka sjellë aty për treg dhe disa “fytyra” humoristike të gdhendura në dru, një traditë e vjetër kjo, si dhe gdhendjet në gur. Shkurt kelmendasi ka filluar të mendojë që të bëjë të tregtueshme gjithçka që ofron natyra, gjer te manaferrat.

Stacion tjetër turistik është Qafa e Bordolecit, ku zhvillohet prej 9 vitesh festa popullore e Logut të Bjeshkës dhe shpallet Mis Bjeshka, të shtunën e dytë të gushtit, një traditë emancipuese që vjen nga kohët e hershme. Është rasti kur vijnë bijtë e emigruar prej shumë kohësh në Amerikë etj. Por ka dhe festa të tjera lokale të zonës së Alpeve që i mbledhin bashkë herë pas here shqiptarët e trojeve dhe të diasporës. Të gjithë të thonë se që kur është hapur rruga kanë vërshuar turistët. Një varg me turistë çek përshkoninte këtë gusht me biçikleta gjatësinë e rrugës nga Lëpusha në Hanin e Hotit. Kohët e fundit, duke përshkuar këtë rrugë, bëri një vizitë në Plavë e Guci dhe ambasadori i Austrisë në Tiranë me një grup miqsh shkodranë. Rruga e re është në standarde, por për ndokënd pjesa nga Tamara në Vermosh vende-vende është e ngushtë dhe me shumë kthesa, kur është fjala për autobusët turistikë.

Gjithsesi, Vermoshi nuk është më një ëndërr ekzotike, por një realitet i ri zhvillimor. Për gjysmë shekulli ajo gruaja tiranase kishte ndejtur me përshtypjen se “kishte qenë jashtë shtetit” dhe në një kuptim nuk e kishte patur keq, pasi Vermoshi nuk ishte i vizitueshëm, ai thjeshtë iu përkiste kufitarëve, piramidave, krismave të armëve që përshkonin klonin... edhe kur mbi të kalonte ndonjë ari, ujk a dhelpër.

Tungjatjeta Vermosh! Atje na ke dhe vitin tjetër... e përherë!

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat