Nëpër rrebeshet e luftërave, k’tu e kem pas emnin HESHT - Bota Sot
Nëpër rrebeshet e luftërave, k’tu e kem pas emnin HESHT

Reportazhe

E enjte, 18 tetor 2018

Nëpër rrebeshet e luftërave, k’tu e kem pas emnin HESHT

Nga: Binak Ulaj, Vuthaj Më: 28 dhjetor 2017 Në ora: 16:45
Ilustrim

Krahina e Plavës e Gucisë shtrihet në juglindje të Malit të Zi dhe ka një sipërfaqe prej 486 km2. Është vazhdimësi  territoriale e krahinës së Kelmendit, që shtrihet në veri të Shqipërisë shtetërore. Lugina e lumit Luça i lidhë këto dy qyteza, tanimë komuna. Lumenjtë e rrjedhshëm, liqenet e rrethuar me një mbretëri  hyjnore pyjesh të dendura industriale dhe majash të larta, mbi 2000 metra, e  bëjnë këtë trevë ndër më të bukurat e atdheut tonë. Ndaj,  nuk ishte e rastit që kjo krahinë ishte treva e parë shqiptare, të cilën do ta kërkojë Mali i Zi dhe të cilën do të vendosin t’ ia japin Fuqitë e Mëdha në Kongresin e Berlinit, në vitin 1878. Pas  këtij vendimi, në përpjekjet për ta pushtuar me dhunë Plavën e Gucinë,  ushtria malaziase do të pësojë humbjen më të madhe nga forcat  ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në luftën e Nokshiqit ( dhjetor 1879, janar 1880). Falë, jo vetëm heroizmit, por edhe  organizimit me pjesëmarrjen e luftëtarëve  nga  vise të shumta  shqiptare , ishte kjo ndër betejat më të njohura për mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare.  Përveç  pritjes dhe vendosjes se luftëtarëve  në familjet vendëse, në  këtë betejë, të udhëhequr nga  komandanti ushtarak i Lidhje Shqiptare të Prizrenit, Ali pashë Gucia,  kanë marrë pjesë edhe shumë luftëtarë të  kësaj krahine. Kur ishte  dhënë kushtrimi se ushtria malaziase kishte depërtuar  në Nokshiq,  luftëtarët e Hotit, të udhëhequr nga Alush Smajli,  të parët   ia kishin mësyrë sheshit të luftës,  pa pritur të bëhen bashkë me luftëtarët e Plavës e Gucisë dhe të fshatrave përreth.

  Në muajin janar të vitit 1991, kur isha në Hot, mysafir te  Xhemajl Sefa Sinanaj (1930) , më kishte thënë:”   Në luftën e Nokshiqit  kanë marrë pjesë 35  hotjanë  të vllaznisë Haxhaj e  Hysenaj. Janë vra:  Kurt  Isufi,  Smajl  Arifi, Sadik Mehmeti, Imer Isufi, Rrustem e Ethem  Isi, Omer Elezi, Fekë Imeri, Bekë Mula, Çun Mula, Osman Tafili. “ Luftëtarëve hotianë  u ishte bashkuar edhe Bajram Musa Dedushaj, i cili ishte plagosur , por kishte shpëtuar. Pas dështimit të ushtrisë malaziase për të marrë Hotin e Grudën,  me  intervenimin e flotës detare të  Fuqive të Mëdha, Malit të Zi do t’ i  jepet    Ulqini e Tivari. Me gjithë  këtë, Mali i Zi nuk do të heqë dorë nga planet për ta pushtuar Plavën e Gucinë. Në tetor të vitit 1912, forcat malazeze do të  mësyjnë Plavën e Gucinë, por do të hasin në rezistencë nga forcat mbrojtës të Plavës e Gucisë , të cilat i mbronin edhe vendkalimet e ushtrisë malaziase drejt Pejës e Dukagjinit, në linjën Pllaninicë Çakorr, që përbën ujëndarësin e Lumbardhit ( Bistricës) të Pejës e Limit.  Gjatë  luftimeve të ashpra,  sipas Ujkan Sadrisë Kukaj,  në Jeçmishtë janë vra:   Rexhep Selmani Gjonbalaj, Raxhep Faylia, Gal Dervishi  dhe Taku nga Martinajt. Në luftën  e  Grebenit, sipas Isuf S. Balidemaj, është vra  Sadik Rama e Zenel Mehmeti  Balidemaj. Është vra edhe Mustafë Haxhia Haxhihysaj , për të cilin Rrustem Salihi thoshte : “S’ ka pas asi trimi”. Përkundër rezistencës  së forcave mbrojtëse shqiptare, të mbetura pa përkrahjen e forcave të viseve tjera, ushtria malaziase fal  epërsinë numerike ushtarake dhe armatimit të shumtë  do të arrijë  ta pushtojë Plavën e Gucinë, në tetor të vitit 1912.                                                                                                                                                        

Përveç masave për zhbërjen me zjarr e hekur, mbi popullsinë vendëse, shqiptare e boshnjake, do të bie e gjithë pesha e hakmarrjes së egër,  shfryrja e inatit dhe e urrejtjes,  për disfatën e pësuar në luftën e Nokshiqit. Jo vetëm pjesëtarët e ushtrisë pushtuese, por edhe secili serb a malazias, i kishte duart e lira të vriste e mbyste shqiptarë e boshnjakë. Për këtë arsye,  krimet dhe terrori i ushtrisë malaziase  do të marrë përmasa gjenocidi.  Kujtesa e popullit, krimet e tilla i ka mbajtur mend si ditët e kiametit.  Instruksionet e dhëna nga  eprorët ushtarakë malazez, të cilat i përshkruan Ibrahim I. Musiqi , tregojnë se me çfarë egërsie kryheshin ato  krime. “Asnjë ushtar malazias nuk konsiderohej ushtar nëse nuk e kishte përgjakur bajonetën dhe  grykën e pushkës në familjet plavjane e guciane turke, siç i quanin ata, pa kursyer fëmijët, gratë shtatzëna e, për të sëmurë, apo të moshuar, as të mos flasim. Të gjithë me radhë, thereshin me bajoneta. Kur të kihet parasysh  se për të pasur  vend në radhët e veta, secili ushtar është dashur të kishte therur së paku një, mund të merret me mend se sa ka qenë numri i viktimave.”1*

 Me  arsyetimin se nuk kishin pranuar të ndërrojnë fenë dhe të kalojnë në fenë sllave ortodokse,  në gjysmën e parë të vitit 1913,  në Përvijë, jo larg Andrijevicës së sotme, në kujtesën e shqiptarëve të njohur me emrin  Sudnicë  (gjykatore, nga se, në këtë qytezë, përligjej dënimi  me vdekje e burg të rëndë i  shqiptarëve e boshnjakëve për çfarëdo lloj mosbindjeje),  janë ekzekutuar mbi shtatëqind shqiptarë e boshnjakë. Ka studiues  që pohojnë se ky numër është shumë më i madh. Dihet se ata ishin  ekzekutuar , jo pse nuk kishin pranuar ta ndërrojnë fenë, por për atë se nuk kishin pranuar të tjetërsojnë identitetin e tyre nacional . Vrasjet dhe përndjekja masive e popullsisë së kthyer në Plavë e Guci, me intervenim e faktorit ndërkombëtar, do të përsëritën edhe pas tërheqjes së ushtrisë së Austro- Hungarisë, në vitin 1918. ” Njëqind e pesëdhjetë  e një shqiptarë, shumica gra fëmijë  e pleq, me të ndjerin Ramë Manin në krye, u vranë pa faj  e pa mëshirë  prej bishave...po në atë kohë, në katundin  Vuthaj të atij çereku, vriten 42 gra, fëmijë dhe pleq shqiptarë me të ndjerin Bajram Sadikun në krye, dhe digjej krejt katundi  prej ma se njëqind shtëpish, mbasi  plaçkitej më parë sipas zakonit serb .”2*  Përveç terrorit  të përjetuar, popullsinë e përndjekur që kishte arritur të  ikë në krahun tjetër të atdheut e që ishte vendosur në kampin e Barbullushit të Shkodrës , do ta  godasë edhe një gjëmë tjetër-  tifoja e morrit,  nga i cili do të vdesin disa qindra të ikur nga Plava e Gucia. Në pronat e atyre që ishin vrarë, apo të atyre që nuk ishin kthyer, do të vendosen kolonë nga viset shkretinore të Malit të Zi. Në qoftë se ndodhte të mos ishte kthyer njëri vëlla, atëherë vëllait që ishte kthyer i merrej gjysma e tokës dhe gjysma e shtëpisë, në të  cilën vendosej ardhësi. “ Sipas një dekreti të qeverisë së Malit të Zi të dt. 20.2.1914, në prill të vitit 1914, në  Vuthaj  ishin vendosur 54 familje kuçjane dhe bratonozhiqase” 3*  Në forma  dhe me intensitet të ndryshëm krimet ndaj popullsisë së pambrojtur do të vazhdojnë deri me kapitullimin e Mbretërisë Serbe Kroate e Sllovene, në prill të vitit 1941. Ekzekutimet në masë, dhuna dhe   terrori,  kishin për qëllim spastrimin etnik. Lidhur me këtë, akademik Rxhep Qosja  shkruan: “   Politika shtetërore serbe në Kosovë dhe në Maqedoni dhe politika  shtetërore malazeze në Rrafshin e Dukagjinit, në Hot e Grudë, në Plavë e Guci,  sendërtohej ashtu për mes pushtetit  okupues  dhe kishte një qëllim themelor :   të bëjë spastrimin etnik, mundësisht sa më të plotë,  të këtyre trevave prej popullsisë jo serbe dhe jo malazeze, në radhë të parë prej popullsisë shqiptare.”4*  

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, ndaj popullsisë shqiptare  do të vazhdojë zbatimi i politikës  kundër shqiptare. Platforma e një politike të tillë bazohej, kryesisht, në projektin e vitit 1937 të hartuar nga profesori i historisë, Vasa Çubrilloviqi, i cili në referatin e tij të dt. 3 nëntor 1944, kushtuar çështjes së pakicave kombëtare në  Jugosllavi,  ndër të tjera shkruan dhe porositë :”  Paqja dhe përparimi i Jugosllavisë Demokratike Federative mund të sigurohet  vetëm me spastrimin etnik të tyre” ( të pakicave kombëtare, b.u.).  Duke përfunduar, akademiku serb shton: “  Ndoshta kurrë më nuk do të kemi një rast të tillë bëjmë shtetin tonë etnikisht të pastër.”5*.

Në zbatim të kësaj politike,  menjëherë pas  rënies së Plavës e Gucisë nën pushtimin e jugosllavëve ( tetor 1944), do të fillojë ndjekja dhe  vrasja e atyre prijësve dhe  luftëtarëve, të cilët e kishin  mbrojtur dhe përligjur vullnetin politik të popullsisë për  të qenë  pjesë  e shtetit të vet shqiptar. Gjatë operacioneve për zënien e  atyre që kishin luftuar dhe vazhdonin të mos pajtoheshin me ripushtimin, OZN-a përdorte metoda më çnjerëzore. Kur  ndodhte të  zbulonte vendqëndrimin  e tyre,  njësitë ndëshkuese të OZN-s i detyronin familjarët  dhe vendësit   t’ u prinin përpara duke i urdhëruar :”  Ose t’ i bindni  të dorëzohen, ose  bëhuni me ta e luftoni .” Gjatë një periudhe  ishin zënë e ekzekutuar  qindra  luftëtarë.  Një numër jo i vogël i atyre që ishin dorëzuar dhe i kishin shpëtuar ekzekutimit, ishin dënuar me shumë vjet burg nga i cili  disa nuk do të dalin kurrë. Për krimet e pushtetit” popullor”  profesor Hakif Bajrami shkruan :” Që  nga viti 1945 deri në vitin 1947, janë likuiduar 710 banorë të Plavës e Gucisë.”6*

 Siç më kishte thënë   Xhemal  Sef(1930),  pas LDB-së, më së shumti janë dëmtuar hotjanët.  “ Në pranverën e vitit 1945, në Fierajë mbi Deçan, janë sulmue  11 hotjanë. 8 prej tyne janë vra dhe tre kanë pshtue. Mas ni kohe,  kta  tre vinë të shpia e Mehmet Currit, të cilën ia kanë pa lshue grues së Milan Sinanoviqit me katër thmi se  e kanë  pasë  probatin.  S’ ka pas burrë e thmitë e vogjël e i kanë marrë n’ mbrojtje. Kur i heton se kanë ardhë ata të tre,  ajo e çon ni djalë dhe i lajmron ushtarët. Masi  dorzohen, pa i largue shumë, i vrasin: Imer Currin, Metë Rexheën e Zenel  Mehmetiin. Kur i nie  pushkët,Raza, nana e Zenelit, shkon me pa çka a ba  dhe të tre i gjenë t’ vramë.  Djalin, a kenë ma i riu, e gjenë me krye t’ çame e  tru të derdhun .  I mbledhë trutë, ia ve prapë n’ krye dhe i lidhë me rubë, pa  lshue  pikë loti. Ajo a kenë nipja e Mic Sokolit, vajza e motrës, e martueme n’ Selimaj t’ Valbons.” 

 Duke u besuar verbërisht premtimeve të  sivëllezërve jugosllavë, se pas luftës së përbashkët antifashiste,  do të respektohet e drejta e vetëvendosjes së popullit shqiptar të Kosovës, luftëtarët e kësaj periudhe do të jenë të përndjekur  edhe nga regjimi i Tiranës. Përndjekja, vrasjet dhe dorëzimi tek OZN-a famëkeqe   i atyre që ishin zënë,  do të vazhdojë deri  në vitin 1948, kur del  në shesh tradhtia dhe planet e regjimit të Beogradit për ta përfshirë Shqipërinë në kudër të  Jugosllavisë. Lidhur me këto krime dhe tradhtinë e komunistëve jugosllavë,  akademik Qosja do të   shkruajë: “  Nuk ishte kjo as gjakderdhja e parë, as gjakderdhja e fundit që komunistët jugosllavë do t’ ua shkaktojnë shqiptarëve! Dhe, nuk do të jetë kjo as hera e parë, as hera e fundit  që kërkesat e shqiptarëve që t’ u njihet e drejta e vetëvendosjes, komunistët jugosllavë do t’ i shuajnë me gjak!  Njëkohësisht, kjo nuk do të jetë as hera e parë, as hera e fundit që komunistët jugosllavë i mashtrojnë shqiptarët! Por, ky do të jetë mashtrimi  më i madh që komunistët jugosllavë ua bëjnë shqiptarëve. 7*

Dhuna dhe represioni  ndaj shqiptarëve do të vazhdojë deri me rënien e klikës së Rankoviqit ( korrik, 1966), ndonëse  rankoviqizmi , si ide dhe praktikë politike, do të vazhdojë  të zbatohet  nga struktura të  caktuara shtetërore.  Më 18 korrik, në mes të fshatit Vuthaj, ekzekutohen pa gjyq ,  Çung Tahiri e Isuf Zymeri  Dedushaj. Në vazhdën e luftës speciale ishte edhe pengimi i zhvillimit institucional të shqiptarëve.  Në vitin 1956 do të mbyllen  e vetmja  shkollë shqipe tetëvjeçare dhe  dy shkollat tjera fillore , sa kishte në krejt komunën  e  Plavës, për veç shkollës fillore në Vuthaj.  Arsyetimi i organeve shtetërore   me shkollë shqipe ku do të gjeni punë?,  ishte porosi e qartë: hiqni dorë nga të drejtat tuaja kombëtare. Bëhuni jugosllavë, ja zhdukuni.  Edhe ndalimi i shfaqjes së çfarëdo forme të ndjenjave kombëtare ishte  përpjekje për  tjetërsimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe   dobësimin e lidhjeve  shpirtërore  me pjesët  tjera të atdheut , Shqipërisë.  Në dobësimin e lidhjeve shpirtërore me Shqipërinë, do të  ndikojë  rëndë edhe emigrimi ilegal i shumë qytetarëve nga Shqipëria. Për nxitjen e emigrimit sa më masiv, UDB-a i  shfrytëzonte  edhe vendasit, sidomos ata që kishin  të afërm e miq në anën tjetër të kufirit.  Duke i kërcënuar se  ky është urdhër i shtetit dhe kush e refuzon  atë, është kundër shtetit, rrallëkush  guxonte të refuzonte. Të dërguarit e UDB-së, apo terrenistët siç i quanin, kishin për detyrë të kryenin diversione, të dërgonin materiale propagandistike, të rrëmbenin  individë, të ndihmonin   arratisjen e familjeve shqiptare, etj. Detyra të njëjta UDB-a do t’ u besojë, dhe do t ‘ i kryejnë,  edhe disa nga të arratisur nga Shqipëria. Dhe, më kishte befasuar  fakti kur, pas viteve të nëntëdhjeta,  një numër i tyre  do të  shpërblehen nga shteti shqiptar, madje, disa edhe do të dekorohen! “për  merita në luftimin e komunizmit në Shqipëri” . Në fakt, ata vinin në një shtet  komunist policor, çfarë ishte Jugosllavia, tani e ndjerë,  e cila e mbante të pushtuar  gati gjysmën e trojeve shqiptare  dhe, turpshëm,  viheshin  në shërbim  të UDB-së famëkeqe të saj.  

Për  aksione të tilla  kisha dëgjuar  edhe vetë që kur isha fëmijë, ndonëse nuk i dija arsyet ,  as  përse emigrantët  jetonin në kamje përrallore në krahasim me ne të pagjëshmit, zbatharakët.  Me arratisjen e një numri sa më të madh të  qytetarëve nga Shqipëria, Jugosllavia, të cilën të burgosurit politikë kroatë e quanin KUGOSLLAVIA ( MURTAJOSLLAVI), synonte të demoralizonte shtetasit shqiptarë, e me këtë, edhe çrregullimin e shtetit të tyre, me shpresë se do të krijoheshin kushtet për të ndërhyrë “e shpëtuar” atë, duke e futur  në kuadër të  federatës,  t’ ua humbte besimin shqiptarëve  në Jugosllavi, çfarë e kishin në shtetin shqiptar dhe  t’ ua shuante  ëndrrën  për çlirim e bashkim kombëtar ( sipas një raporti sekret të CIA-s, të dt.23 mars 1953, të shpërndarë nga Sali Mahmeti, më dt. 13 mars 2017, numri i emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi, arrinte në 6000.)8*  Përveç këtyre qëllimeve ogurzeza , duke u treguar aq “human”me emigrantët shqiptarë,   krerët e Beogradit  synonin edhe t’ i mashtronin ndërkombëtarët   për  dëbimin e 400,000 shqiptarëve të Kosovës në Turqi , sipas  Marrëveshjes Tito-Kyprili të viti 1953.

Të gjitha këto veprime  të organeve shtetërore jugosllave  krijonin edhe  ndjenjën e pasigurisë e, me këtë, edhe nxitjen e  shpërnguljes së vazhdueshme . Ndaj, nuk është e rastit që  shpërngulja e shqiptarëve të Plavës e Gucisë, do të arrijë përmasa eksodi. Sipas Entit të Statistikës të Malit të Zi, në Plavë e Guci jetojnë 2719 shqiptarë ( regjistrimi i vitit 2011).  Sipas raportit për statistikat e popullsisë së Vilajetit të Kosovës,  paraqitur nga diplomati austro- hungare, z Alfred Rappaport,  më dt. 22 janar 1916, kazaja e Gucisë kishte 6500 shqiptarë myslimanë, 1000 serbë , ndër ta 500 myslimanë 8*.

Pas mëvetësisë së Malitt  Zi, më 21 maJ 2006, është pritur se do të avancohen të drejtat kombëtare dhe politike të  shqiptarëve. Kjo,  aq më parë ngase shqiptarët janë deklaruar pro kësaj pavarësie dhe vazhdimisht kanë pasur rol konstruktiv. Megjithatë, një avancim i tillë  nuk ka ndodhur në masën që u takon ligjërisht . Në vend se t ‘u kthehen pronat e nacionalizuara në kohën e regjimit komunist jugosllav , ato janë  nxjerrë në ankand dhe shitur sipas Ligjit për privatizim. Rast i tillë është edhe shitja e mullirit të Adem Dervishit, të nacionalizuar për shkak të veprimtarisë së tij politike në SHBA, si kryetar i Shoqatës Ali pashë Gucia. Nuk  janë kthyer  pronat pyjore , që janë një pasuri e paçmueshme.  Sipas shënimeve, 44%  e gjithë territorit të komunës së  Plavës dhe asaj të Gucisë, është e mbuluar me pyje të larta ekonomike. Një pjesë e madhe e tyre janë prona të shqiptarëve.  Me pasuritë pyjore qeverisë  pushteti qendror.  Shpallja Park  Nacional  e Alpeve Shqiptare ( toponimin Bjeshkët e Nemuna e përdorë historiografia serbe, ndaj është absurde që mrekullitë e tilla të quhen të nemuna), përfshijnë kryesisht prona të shqiptarëve, pjesërisht edhe të boshnjakëve. Edhe me të qeverisë pushteti qendror . Pabarazia në lëmin e punësimit  është dukuri e kamotshme. Me gjithë këtë, shqiptarët e Plavës e të Gucisë, i vlerësojnë raportet ndërmjet  Shqipërisë e, veçmas ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, si dhe bashkëpunimin  e tyre si  indikatorë pozitivë dhe premtues.  

Përkundër  masave të zbatuara e mjeteve të përdorura të dhunës dhe të represionit të institucionalizuar shtetëror, as qeveria e Beogradit, as ajo e Podgoricës, nuk ka arritur të zhbëjë e as  të shuajë rezistencën  dhe përpjekjet e popullsisë shqiptare edhe të Plavës e Gucisë për t’ i realizuar të drejtat e veta  kolektive kombëtare e qytetare. Me qëndresën e vet, me vizionin e qartë për të ardhmen e,veçmas, me shkollimin e bijave dhe bijve të vet, kjo popullsi, ndonëse me mundësi e kushte fare të kufizuara , ka arritur t’ i bëjë ballë politikës së vazhdueshme  kundërshqiptare. Vetëm nga fshati Vuthaj sot janë disa qindra të diplomuar në fakultete të ndryshme, fatbardhësisht, edhe jashtë atdheut. Krahasuar me numrin e popullsisë,   besohet  se nuk ka fshat shqiptar  me më shumë intelektualë. Shqiptarët e Plavës e Gucisë, por jo vetëm,  mburrën me akademikun e palodhur në  dritësimin e mendjeve tona ,  Rexhep Qosjen,   me doktorët e shkencave Isuf Dedushaj, Mujë Gjonbalaj, Verë, Halili, Ibrahim e Mehmet Ahmetaj, me regjisorin e filmit Isa Qosja  (që të gjithë këta nga fshati  Vuthaj),  prej nga është edhe shqiptari i parë i kësaj ane i doktoruar në Universitetin e Kembrixhit, Rexhë Meta Ulaj, me akademikun nga Nokshiqi , Esad Mekuli dhe me profesorin Hasan Mekuli,   me piktoren e dalluar,  Zake Prelvukaj nga Martinaj e të tjerë.

Për krijimin e një armate të tërë  shkollarësh, meritë të  veçantë  kanë shkollat shqipe, të mesmet dhe të lartat, të Prishtinës, Pejës, Prizrenit, Gjakovës, Mitrovicës, Frizajit, Gjilanit. Në këto shkolla, të rejat dhe të rinjtë shqiptarë nga Mali i Zi do të gjejnë , jo vetëm vatrën e diturisë, por edhe të edukimit atdhetar. Në edukimin atdhetar të të rinjve  rol të veçantë do të  ketë literatura ilegale e legale nga Tirana, profesorët,  por edhe emisionet e radios e, më vonë, edhe të  televizionit të Tiranës.  Tani, kjo armatë e tërë e jep kontributin e vet anekënd Kosovës dhe  në viset tjera  shqiptare.

Populli shqiptar i kësaj treve  asnjëherë s‘ e ka parë fatin e vet të ndarë nga fati i popullit që i përket  e, assesi nga  fati i pjesës tjetër të popullsisë shqiptare nën Jugosllavi , që jeton në një kompaktësi territoriale etnike e historike, të  ndarë  nga regjimi i Beogradit, me qëllim të dobësimit të faktorit shqiptar. Përcaktimin e vet për çështjen kombëtare, ashtu siç e kishte dëshmuar në periudha vendimtare historike, do ta dëshmojë edhe në vitet  e nëntëdhjeta të shekullit që lamë pas. Pa shpërthimit të  luftës çlirimtare në Kosovë, shumë të rinj shqiptarë nga Mali i Zi do t’ u bashkohen radhëve të  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçmas nga SHBA-të, por edhe nga vendi. Imer Kukaj, Sadri Hoti, Ismet Dedushaj, Haxhë Balidemaj, Hysen Bruçaj... do t’ i bashkohen batalionit Atlantiku. Eshtrat e dëshmorit nga Vuthajt, Jeton Dedushaj, prej nga janë edhe luftëtarët Lirak Çelaj e Qamil Ulaj, prehen në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan të  Deçanit.  Driton Gjonbalaj dhe Skënder  Hasangjekaj i kanë ende në trup plagët  nga  beteja e Kosharës, të cilën e ka drejtuar edhe Rrstemm Berisha, tani ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, me prejardhje nga  Zhanica e Plavës. Përveç kësaj, fondit  Vendlindja thërret- Atdheu në rrezik, do t’ i përgjigjen në mënyrë masive. Me këtë rast  vlen të veçohet kontributi i Bruno Selimajt, i cili  e ka shkrirë gati gjithë pasurinë e tij të fituar me vite në SHBA dhe, pas luftës, ia nisur biznesit nga e para. 

Dikur na i mbyllnin shkollat e sot   po i mbyllim vetë   

Ditë vjeshte e diellzuar. Zhurma  gazmore e vogëlushëve e vogëlusheve të shkollës fillore në Vuthaj  më kishte bërë kureshtar. Isha ndalur  për pak t’ i shihja ashtu të lumtur e të hareshëm. Gëzoheshin se  për herë të parë do të luanin me top në fushën e re të sportit, të sapondërtuar enkas për ta. Gëzimi  i tyre aq  i natyrshëm,  më gëzonte edhe mua. Zërat e tyre të ëmbël, që shpërthenin herë pas here  duke luajtur,e bënin të gjallë atë pjesë të fshatit, rrugëve të të cilit rrallë shihje njeri.  Të rinjtë dhe të rejat, por edhe turistët e huaj, që e kishin gjallëruar gjatë verës, tanimë kishin ikur. Por, përjetimin e ëndshëm të atyre çasteve do të ma ndërpresë  mësuesi Avdyl Qosja  dhe mësuesja Emine Ulaj. “ Këta jenë gjithë nxënësit e shkollës. Gjithsej, dhjetë. Punojmë me klasë të kombinuara . E para me ë tretën dhe e dyta me të katërtën...”  Përveç për kushtet e punës, nuk kishte si  të mos bisedonim për kohën  kur kjo shkollë i kishte rreth njëqind nxënës, ndonjë vit edhe më shumë. Mbi njëqind nxënës i ka pasur edhe kur kam qenë nxënës i kësaj shkolle, në vitet e pesëdhjeta të shekullit që lamë pas, por në një godinë tjetër.   Godina ekzistuese është ndërtuar  para sa dekadash me mjetet e siguruara nga  Qeveria e SHBA-ve.

 Ndërtimin e fushës së sportit e kanë financuar bashkatdhetarët tanë në SHBA,  djemtë e Sali R. Gjonbalajt , vëllait të Ajshe Gjonbalajt( 1948), anëtares së lëvizjes  klandestine për çlirimin e bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Fakti, se prej gjithë atyre veprimtareve të kësaj  lëvizjeje ,  kjo bijë vuthjane ishte dënuar me më së shumti vjet burg, gjithsej 13, dëshmon për  aktivitetin dhe përkushtimin e saj atdhetar.  “ Ndërtimin e kësaj fushe e kem  bërë, jo vetëm të krijojmë kushte sa më të mira për nxënësit e kësaj shkolle, por edhe për t’ u dhënë kurajë  banorëve, veçmas të rinjve,  të mos e braktisin  aq lehtë vendlindjen, siç po e braktisin”, më kishte thënë Salihi me një rast.  Me mjetet  e bashkatdhetarëve tanë në SHBA,  është rinovuar edhe shtëpia e kulturës  përballë shkollës. Kjo,  me një shumë jo të vogël, 120.000 dollarë. Që nga përurimi i saj, nuk është zhvilluar ndonjë aktivitet. Ka  pak të rinj, e... Nismëtar dhe organizator  për rindërtimin  e këtij objekti  ka qenë Esad Gjonbalaj.   Njësoj, dhe për të njëjtin qëllim,  kanë vepruar  bashkatdhetarët tanë edhe për  rinovimin dhe pajisjen e tërësishme   me inventarë të ri të kishës katolike dhe ndërtimin e shtëpisë së priftit në Doli, për çka i kanë dhënë mbi 400.000 dollarë. Siç do të  më  tregojë  Gjergj Dushi , gati s’ ka kush  të shkojë në kishë.  “  Me i thirrë   n’ drekë a darkë të gjithë  katolikët  e Gucisë, s’ do të bajshin  kurrfarë shpenzimi.  Prifti na vjen ka i herë për  prej Ulqini”, pohon ai.

Numër të vogël të nxënësve kanë edhe shkollat tjera  shqipe. Shkolla fillore në Guci, I-V , 24, Martinaj, I-IV, 22, në Plavë,I-V,  58 nxënës. Në shkollën fillore në Vishnjëvë  shkojnë nxënësit e tri fshatrave : Vishnjevë,  Hakaj dhe Kukaj, I-IV, 11.  Klasat e larta  të fillores :  Guci, VI-IX, 75 dh në Plavë, V-IX, 32.  Shkolla fillore në Hot, e hapur në vitin  1963, është mbyllur që nga viti 1989. Gjimnazi në Plavë, mësimi në gjuhën shqipe, i ka 67 nxënës. Maturantët :  Elida, Melvina,Puhiza, Jehona, Freskimi, Eriku, Endi , Sindoni, shprehen se duan të  vazhdojnë shkollën, studimet. Gjatë vizitës së këtij gjimnazi, pamë se  është shembull se si duhet zbukuruar e pasuruar mjedisin  e shkollës. Përveç muzeut etnografik, bibliotekës  të pasur, të gjitha muret e korridoret janë të mbushura me punime të nxënësve, poezi  të autorëve malazez, serbë, shqiptarë, të huaj,  me herbariume me bimë mjekues  të   këtij rajoni, më llojet e balsamuara të  peshqve të liqenit të Plavës...   

Sipas banorëve të përhershëm, vitin tjetër shkollor, në Vuthaj nuk do të ketë nxënës në klasën e parë.   Shumica e atyre pak të rinjve nuk duan të martohen. As vajzat nuk parapëlqejnë të martohen e të jetojnë në fshat. Madje, edhe disa prej atyre, që prej vitesh jetojnë në fshat, kryesisht gra, shpesh thonë:”  Asht dashtë  ta thejmë  edhe na  qafen diku. S’ jetohet ktu...” Dhe, njeriu e ka vështirë ta arsyetojë gjithë atë  preokupim  për të emigruar e, veçmas, pakënaqësinë ekstreme të ndonjërit. Në kohën kur mbretëronte thatësi e  madhe verore dh një  zjarr  kishte përfshirë një pjesë të bjeshkës dhe malit, më kishte rënë të dëgjoj edhe diç që s’ kisha mundur ta merrja me mend :”  I hiftë   flaka qosh e m qosh edhe katunit!!!”  Kur dëgjon diç të tillë,  s’ ka si të mos  i vete mendja njeriut se   e gjithë kjo  pakënaqësi   është edhe  pasoj e propagandës së vazhdueshme, e cila s’ ka të ndalur.  Kjo tregon se disa ende    s’ e kanë kuptuar se koha ka ndryshuar për të mirë, se  është koha e  veprimtarisë private ekonomike, se duhet liruar nga mentaliteti  se vetëm shteti duhet të investojë. Aq më pak duhet pritur nga një shtet që s’ ka investuar as në të kaluarën. Përkundrazi, ka penguar vazhdimisht.  Ç’ është e vërteta, sot ai nuk investon   as në vendbanimet me malazez të komunës së Plavës. Gjatë vizitës së këtyre vendbanimeve , më shumë kisha parë të moshuar , pleq e plaka , se sa të rinj. Por,  për dallim nga të rinjtë shqiptarë, shumica e të cilëve kanë emigruar në SHBA  dhe  në shtet perëndimore, të rinjtë malazez , jo pak sish,  kanë migruar në kryeqendrën  dhe bregdetin e Malit të Zi dhe në Serbi.

Lidhur me  vazhdimin e emigrimeve dhe arsyet, biseduam me kryetaren  e komunës së Gucisë , zsh. Anella Çekiq, e cila theksoi : “ Është e vërtetë se në Guci, që gjashtëdhjetë vjet nuk janë bërë investime kapitale. Deri para pak vitesh Gucia s’ ka qenë komunë, ndaj tjerët kanë vendosur për ne. Tani, ne si komunë, jemi të përkushtuar në ngritjen e mëtejme të një administrate funksionale, në të mirë të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Toka e pëlleshme, livadhet, kullosat e, mbi të gjitha, resurset turistike, janë resurse që mundësojnë  një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.  Pasuritë ujore, lumenjtë, liqenet, pyjet, bjeshkët me bukuri përrallore dhe të pasura me bimë mjekësore, janë potencial ekonomik i pazëvendësueshëm. Ndaj, të rinjtë, por jo vetëm ata,  kanë perspektivë këtu, vetëm duhet angazhim dhe dije.  E jona si komunë  është të  marrim veprime përkatëse  për qeverisjen e mirë dhe shfrytëzimin racional të potencialeve ekonomike që i kemi.  Është e vërtetë se  planet strategjike zhvillimore të komunave miratohen nga pushteti qendror,që  qeverisë edhe me pasuritë pyjore e parqet nacionale, ku bënë pjesë edhe Parku Nacional i Alpeve Shqiptare,  por ne do të jemi këmbëngulës në realizimin e planeve tona zhvillimore, ashtu siç   na e garantojnë ligjet në fuqi, që janë në përputhje me legjislacionin  e BE-së”, thotë ajo.

Veç guri i mullinit s’ na ka blue se kemë durue gjithçka

Se në trevat e Plavës e Gucisë  veprimtaria ekonomike private  është duke  e marrë të mbarën dëshmojnë disa raste.  Getoar Gjonbalaj, ekonomist,  drejtues i firmës tregtare hoteliere” Rosi”, thotë se  biznesi i tij është biznes familjar. Punojnë tetë anëtarë të  familjes, kurse verës  i  punësojnë edhe tetë punëtorë. “ Vitin që shkoi dhe këtë vit kemi pasur një numër të konsiderueshëm  të turistëve, shqiptarë dhe të huaj. Në Vuthaj,  në shtëpinë e rinovuar dhe në shtëpiza druri, i kemi 65 shtretër dhe 52 shtretër në “ Hotel Rosi” në Guci. Restoranti i hotelit i ka 100 karrige. Ushqimin e  kemi nga prodhues vendës.    Kemi kontrata bashkëpunimi me agjenci  të ndryshme turistike, madje edhe me një agjenci turistike  nga Ukraina. Duke parë interesimin  gjithnjë e më të madh të turistëve, mendojmë edhe për turizmin dimëror. Për fat   të keq, shton Getoari, rruga Guci Vuthaj, është shkatërruar e tëra”. Me atë rast më kishte vajtur mendja të  shakaja  e mërgimtarit  tonë  nga SHBA-të, Ramiz Gjonbaljn, të cilën s’ e kisha kuptuar menjëherë:”   Dje i kem shpërthyer  dhjetë makina”, duke aluduar në gjendjen e  kësaj  rruge.

Vitin e fundit,  në qendër të Gucisë , janë ndërtuar edhe dy hotele, njëri  i Sadri Mehjtt-Hotit dhe tjetri i vëllezërve Nezir, Imer dhe Arif Qosja. Genc Gjonbalaj, po ashtu ka një vetëshërbim në këtë  qendër. Adem Isa Gjonbalaj, veprimtarinë e  suksesshme  në Plavë e ka zgjeruar edhe në Tivar (mjerisht, shumë shqiptarë, madje edhe të shkolluar,  e quajnë me emrin sllav Bar, e  patjetër  do të duhej ta dinin për dy arsye që s’ bën të harrohen kurrë : është emër  vendi  i rajonit që lidhet me botimin e “Mesharit” të Buzukut(1555) dhe me tragjedinë e vrasjes nga partizanët” aleatë “jugosllavë, të disa mijëra  djemve shqiptarë  të rekrutuar me dhunë në Kosovë, në mars të vitit 1945. Edhe një  të dhënë:  Nëse Tivari, apo rrethina, në vitin 1555, ka pasur shtypshkronjë për botimin e librave, përkatësisht të Mesharit për besimtarët shqiptarë, mund të paramendohet sa ka qenë numri i shqiptarëve atëherë në Tivar, e sot janë vetëm 121 ose 0,89 %)9*.  Jo pak shqiptarë  kanë  dyqane të vogla. Jo vetëm në qendra,  restorante të bukura  ka dhe po ndërtohen edhe në fshatra.  Hanë Gjonbalaj, me paratë e fituara me punë në Gjermani, ka hapur një restorant të bukur mu të Krojet e Ali pashë Gucisë, burimi i të cilave nuk shteron kurrë, as dimër, as verë, dhe kanë një kapacitet prej 6-7 m3/sec. Edhe Kelmend Ahmetaj- Keli  është i kënaqur me punën  hoteliere që bën. Restorant i tij është krejt afër ujëvarës  në Vuthaj, andaj verës ka  mysafirë të shumtë. Se me veprimtari turistike mund të merren edhe ata që s’ mund të investojnë shumë, dëshmon edhe rasti i Rrustem Dedushajt.  Ngjashëm me banorët e Valbonës, Thethit, Vërmoshit..., ai  e ka rregulluar një pjesë të shtëpisë për turistë, të cilëve  u ofron ushqim  shtëpie. Përveç kësaj, turistëve u ofron shërbime edhe me kuaj. Gëzon fakti se edhe një numër i banorëve  kanë ngritur dhe po ngrenë objekte turistike shumë të përshtatshme, të cilat  nuk kërkojnë investime të mëdha. Luan Gjonbalaj  ka zgjedhur një veprimtari tjetër.  Përveç  lëndëve drusore për shtëpia, ai e ka edhe një fabrikë për prodhimin e peletit nga drurët e thatë, por edhe nga byku i sharës i terur me kujdes. Sadri Balidemaj, përveç me shitjen e materialit ndërtimor, merret edhe me ndërtimin e objekteve të banimit.  

 Se  edhe blegtoria është veprimtari fitimprurëse tregon rasti i vëllezërve Deli, Zog dhe Metë Gjonbalaj. Që të tre, së bashku me bashkëshortet e tyre, i mbajnë më shumë se 500 dele. Verës,   numri  i tyre i dyfishuar , jo  vetëm  e zbukuron bjeshkën, por e përmirëson  edhe cilësinë e barit. Bulmetin që e përgatitin nuk e shesin në treg.  Të tërin  ua blejnë në shtëpi , ndonëse çmimi nuk është edhe aq i lirë. Një kilogram mazë e shesin 15 €. Të ardhura të  mira siguron edhe Skënder Dedushaj me rritjen e gjedheve. Tanimë, ai është bërë specialist i tharjes së mishit. Edhe Shpend Goçaj   dhe  Gëzim Vuçtaj i kanë në përfundim objektet hoteliere.

Vlen të ceket se të gjithë këta  ndërmarrës , ankohen se nuk kanë punëtorë të mjaftueshëm. Të rinjtë  nuk donë të punojnë për 300 €. Edhe arat janë shndërruar në djerrina. Vetëm ndonjë kopsht, se  rrallë të sheh syri arë të mbjellë. Mjeshtri i rrallë i punës  me gurë, tani në moshën 87 vjeçare, Ibrahim A. Ahmetaj, ende punon.  Kur e kisha përgëzuar  për  mbëltimin e  250 bredhave, me çka e kishte zbukuruar  mjedisin ku joton, më ishte ankuar  se  shpesh nuk kishte gjetur punëtorë.  “Kur të ritë s’po  donë me  punue, po ia nisi vetë .”

Përkitazi me investimet  e  qeverisë lokale, Ramë Sinanaj, ekonomist, këshilltar për financa në komunën e Plavës, thotë  se  kjo komunë nuk ka mjete për  investime në zhvillim.  

” Administrata është e ngarkuar me të punësuar në baza partiake, e jo profesionale. Pushteti qendror , jo vetëm që nuk investon, por  nuk na i paguan as mjetet që na takojnë. Nuk na i paguan  70 për qind të koncesioneve për shfrytëzimin e pyjeve, të cilat  na takojnë me ligj . Dihet se Plava ka sipërfaqe të mëdha pyjesh ekonomike, por me  to qeverisë pushteti qendror.  Pronarëve të dikurshëm nuk  u janë kthyer pasuritë e paluajtshme, pyjet e kullosat e nacionalizuara nga sistemi i kaluar”. Për emigrimin e të rinjve  shprehet se cilësia e standardit të jetesës, ka ndryshuar.  “ Të rinjtë e kësaj ane  s’ duan të punojnë  për pak para, s’ duan të kryejnë zanate. Këtë vit kanë ardhur  nga Kosova dhe Shqipëria 300 deri  400 punëtorë. Kryesisht mjeshtër ndërtimi dhe ndihmës.  Tanët ëndërrojnë të dalin jashtë  e të pasurohen shpejt.  Nuk e dinë se edhe jashtë, edhe në SHBA kushtet kanë ndryshuar dhe nuk fitohet lehtë. Atje  s’ ka ditë pune, por orë pune.   Duke punuar edhe nga 16 orë,  s’ u vete mendja të shëndeti. Jetojnë për  të  punuar, jo për të jetuar.  Kështu,  fitimi, një ditë  paguhet shtrenjtë. Ka edhe të tillë që kanë emigruar nga  se i kanë  ftuar të afërmit që kanë biznese  jashtë. U duhen  për punë .  Xhevat Lecaj, ndonëse ka punuar inxhinier i mirëmbajtjes në Postën e Plavës, dhe ka punuar edhe privatisht si elektricist, ka emigruar me gjithë familje. Kështu ka vepruar edhe Ismet Sinanaj, i cili ka punuar në mirëmbajtjen e rrjetit në të njëjtën postë.” Për arsye të  tillë të emigrimit isha bindur edhe vetë  para ca ditësh, derisa isha në Jasenicë te familja e Rrustem Salhit. Kujtimi, nipi i tij,  do t’ i merrte në Gjermani edhe dy vëllezërit , nuset dhe fëmijët e tyre, Gëzimin, me pesë fëmijë , Afrimin, me katër fëmijë . U ka rregulluar dokumentet, veç prisnin të niseshin . Kur e pyes, pse nuk investon këtu,  përgjigjet :  “ Hala s'janë krijue   kushtet ligjore e s’ ka siguri për investime.   Edhe shteti na pengon.”  Duke e dëgjuar tek arsyetonte ikjen,  më ishin kujtuar fjalët e gjyshit të tij : “ Veç guri i mullinit, s ‘na ka blue, se kem durue çka s’ duron njeri.” Me atë rast, axha  Jakup Rugova, do të më thotë, duke treguar me dorë :”  Shpia jonë i ka pas 30 mashkuj, e sot kemi metë vetëm tre  të  lodhun...  Këtu i kemi pasë  100 hektarë, tokë, livadhe, male e kullosa . Shteti s’ po do me na i kthye. Kemë  ba kërkesë me të tjerët e me avokat, por  kot.”  

Kullat përsëri  qesin tym

Nga biseda për dukurinë e dhembshme dhe me pasoja jo të vogla të mërgimit, Rama do të më njoftojë edh për  diç  shpresëtare. “ Popullsia shqiptare në komunën e  Plavës  është në rritje. Ka edhe që janë kthyer. Nga SHBA-të  është  kthyer djali i Ali Hamzës , Sherifi, e ka ndërtuar kullën në Hot  dhe jeton në të më familje,   është kthyer  edhe djali i Sali Sharit Haxhaj , nga Sllovenia është kthyer edhe jeton në Zabel,  Riz Vuçetaj,   në rrënojat e kullës së prijësit të hotjanëve në Luftë të Nokshiqit, Alush Smajlit, e ka ngritur kullën e re Ibër Hoti, asamblist i komunës. Numri i shtëpive të pushimit sa vjen e shtohet. Përveç kësaj  Rama  tregon  se hotjanët , me vetëfinancim, e kanë ndërtuar rrugën Plavë - Hot, në gjatësi prej 10 km. Në Jasenicë janë afro 30-40 shtëpi të reja...Rruga e asfaltuar, që  lidhë Plavën e Gucinë me Shkodër, në gjatësi  prej 108 km., ua ka shtuar vendasve  besimin për përparimin e kësaj ane. Në pikëkalimin kufitar në Vermosh, kalohet  edhe me letërnjoftim. Sikur të ndërtohej edhe rruga e filluar  Deçan- Plavë, turizmi  do të  zhvillohej hovshëm. Pjesa nga Plava deri në kufi me Kosovën, në gjatësi prej 26 km., është e kalueshme, por jo me automjete të vogla ndaj, s’ duhen shumë  para për ta asfaltuar. Për këtë rrugë,  qeveria e Malit të Zi sivjet  i ka ndarë  7 ml. € , kurse për vitin e ardhshëm, pritet  t’ i ndajë edhe 25 ml.  Dy ministrat nga Plava, që janë në Qeverinë e Malit të Zi, janë zotuar se do angazhohen për këtë. Pritet që edhe Qeveria e Republikës së Kosovës ta ketë prioritet këtë rrugë që nuk është shumë e gjatë. Nga qendra e Deçanit deri në  qendër të Plavës, gjithsej janë 52 km. Në vitin 2012, qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Malitt ë Zi kanë arritur marrëveshje për hapjen e vendkalimit sezonal kufitar ndërmjet Plavës e Valbonës. Rruga ekzistuese, deri në pikën kufitare në Qafë të Vranicës,  është e gjatë 17 km. dhe është e kalueshme me automjete të larta.  Edhe ndërtimi i kësaj rruge që lidhë dy ndër rajonet më të bukura turistike të atdheut tonë, do t’ i kontribuonte rritjes së shpejtë   të turizmit,”pohon Rama.   

 Përveç begative turistike, edhe hapja  e kufijve dhe ndërtimi i infrastrukturës, veçmas asaj rrugore,   që pritet të bëhet,  e kanë  ngjallur besimin e banorëve për  zhvillimin e përparimin e  Plavës e Gucisë. Këtë besim e dëshmojnë edhe dhjetëra e dhjetëra shtëpi të reja, por edhe kulla, në fshatrat : Martinaj, Hakaj, Kukaj, Vuthaj. Disa prej këtyre shtëpive, nuk janë vetëm godina banimi, por janë monumente banesore. Shumicën e këtyre shtëpive i kanë ndërtuar bashkatdhetarët nga mërgimi, por   disa sosh i kanë ndërtuar  pasardhësit  e të përndjekurve  të hershëm  me dhunë në Shqipëri e gjetiu. Në disa  raste, të kthyerit i  kanë blerë trojet e të parëve nga të afërmit e vet, të cilët i kishin blerë ato para sa dekadash, nga kolonët. I tillë është rasti i Sadik I. Balidemajt , Ragip Martinit e ndonjë tjetri. Ndërtimi i këtyre shtëpive, është dëshmi se mërgimtarët tanë   nuk ia kanë kthyer përgjithmonë shpinën vendlindjes dhe se atë e duan  me  gjithë zemër, por sikur t’ i bashkonin mjetet  e të bënin ndonjë investim kapital të përbashkët, do të dëshmonin se,  përveç në zemër, në mendje e kanë  edhe zhvillimin e vendlindjes, e  me këtë edhe të atdheut. Tani , edhe ligjet në fuqi, edhe  kushtet e komunikimit dhe të qarkullimit, e mundësojnë një veprim të tillë me peshë të shumëfishtë.

Malazezimi i fshatrave shqiptare

Derisa nga Plava e tutje luginës së  Luçës e deri në Zarunicë  kudo të sheh syri ndërtime dhe shtëpi të bukura, në komunën e Plavës ka edhe  fshatra shqiptare ku, jo vetëm se nuk ndërtohet shtëpi e re shqiptare, por as që frymon më shqiptar aty. Në Nokshiqin historik, tani me emrin e sllavizuar  Novshiqe, që prej dekadash,  s ‘ jeton më asnjë shqiptar. Aty jetojnë vetëm malazeztë. Fshati  Pepaj, së shpejti do të ketë të njëjtin fat.  Zhanica,  është rast ca më i veçantë.  Meqë ishim në prag të 105-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ishte rast i mirë që t’ i vizitoja përsëri këto fshatra të qëndresës mbinjerëzore për mbijetesë. Së  pari isha nisur drejt Nokshiqit .

 Dita e parë e nëntorit, e diellzuar dhe e ngrohtë si ditë vere, krijonte një kontrast të  thellë me ndjenjat që kisha gjatë rrugëtimit këmbas. Kureshtja dhe ndjenja të pashpjegueshme  më bënin të mos ndieja fare lodhje. Do të shkoja aty ku vetëm varret flasin shqip. Por, do të çmeritesha shpejt.   Në qendër të Nokshiqit, s’ ka më as varre, as rrënoja të xhamisë së dikurshme, të cilat i kisha parë para ca vitesh. Edhe atëherë kishin qenë të braktisura e të parrethuara. Atë kohë, thitë, lopët dhe delet , ecnin dhe kullotnin nëpër to, por gurët e varreve nuk i rrëzonin. E tani, filistinët  i  kishin  shkulur e,  marrë. Çfarë sakrilegji. Çfarë bisharësh kishin bërë diç të tillë? Sipërfaqja e dikurshme e varrezave dhe e truallit të xhamisë ishte zvogëluar fare. Kishte mbetur  vetëm një si rrip i ngushtë, në krye të të cilit ishin vetëm pak gurë varrezash , ca si të gjatë. Vetëm ai që e di se aty kanë qenë varrezat,  mund ta  dallojë vendin e tyre.  Për mjedis  varrezave ishte ndërtuar edhe rruga për automjete, e paasfaltuar. Gjithë ata meritës,  burra e burrëresha, të rinj e të reja, pleq e  fëmijë- varrhumbur !  Sikur ta kisha parandier se çdo të ndodhte , ca vite më parë kisha biseduar për këtë  me një nokshiqas  të njohur, por kot.  

 I  irur sa s’ bëhet,  kisha bredhur të takoja ndokënd , ngase rrallë shihja njeri .  Dhe, pas pak, e kisha takuar një mesoburrë. Quhet Gojkoviq Ratko, i lindur në vitin 1956.  Më thotë se ka edhe raki të mirë, por unë nuk e kisha dertin e  rakisë. “ Kjo ka qenë shtëpia e Imer Maliqit, ajo e Çelë Manit, e Dan Zeqit, e Smajl Asllanit, e...,” më tregon. Pasi e pyes për rrallësinë e banorëve që më  ra në sy,  më thotë se  ka më shumë pleq e plaka  se të rinj e fëmijë. “ Shkolla është mbyllur. Dy djemtë e mi kanë qenë ndër nxënësit e fundit në këtë shkollë, në vitin shkollor 1988/89. Tani, i gjithë  fshati, i ka vetëm tre nxënës filloristë. Dy shkojnë në shkollë në Velikë, e një në Murinë ”. Derisa fliste ashtu,  si pa dashje, isha lutur vetë me vete  Dashtë Zoti e  fëmijët e kujtdo qofshin, mos i  pagofshin  gjynahet e të parëve!

“Varrezat  janë varreza, pavarësisht se të  kujt janë”, shton Ratkoja. “ Është e vërtetë se aty ka qenë xhamia dhe varrezat.  Në shtëpinë ku ka jetuar hoxha,  e që është   pranë varrezave, janë Knezheviqët. Tash,  aty është vetëm plaku, se  të dy  bijtë i ka në Serbi. Ata i kanë zënë varrezat dhe e kanë zgjeruar  kopshtin. Ja, aty ku po kullosin delet.”  Kur e pyes, nëse do të pranonte t’ i rrethojë varrezat, kuptohet me pagesë, përgjigjet :”  Jo!  Atë punë s’ do e bëja. Së pari nuk mund ta zë më rrugën e hapur nëpër to, s’ jam ai që mund ta kthejë pjesën e uzurpuar të tyre. Vetëm gjyqi me  shërbimin kadastral  mund ta kthejë...Nëse dikush prej jush, shqiptarëve,  do ta zgjidhte problemin e tokës së uzurpuar të varrezave dhe të  rrugës, do t ‘ u ndihmoja. “ Ngjashëm më kishte folur edhe  Milka Knezheviq( 1912 ), tani ndjerë,  që jetonte në shtëpinë e Imer Maliqit, kur  isha  në Nokshiq, bashkë me Ramë Sinanajn, në vitin 1992. Nga biseda me atë  shpirtare , që ende mbahej,   kisha shënuar :” I kam thënë djalit tim, Markut, që jeton në Prishtinë,   t’  i rrethojmë këto varreza. Shumë njerëz të mirë janë varrosur aty... Me Shkurten kemi qenë si dy motra.”   Atë kohë, edhe  Millan Simonoviqi (1924  ) më kishte thënë :” Varrezat e vjetra të ilirëve janë të shitorja, por  s’ duken në sipërfaqe...Ujkan Colin Mekuli, i cili s ka pasur fëmijë dhe ka jetuar  i vetmuar, viteve të fundit të jetës së  tij,  unë ia kam siguruar ushqimin. Në duart e mia ka vdekur në vitin 1986. Serbët ua kanë kallur shtëpitë shqiptarëve e jo  ne, malazeztë.”

 Duke e fotografuar vendin e varrezave dhe murin e  kopshtit të Knezheviqve të rrethuar me gurë varresh!, mendja më kishte shkuar të varrezat e Zhanicës.  Mjerisht,  edhe ato janë të  lëna shkret dhe janë shumë të vjetra. Këtë e dëshmon edhe  ndonjë  gur varri me kryq të katolikëve , që  e kanë mbuluar barojat e çufrat. Siç më kanë  treguar , familja  Popadiq, me gurët e  këtyre varrezave   kishte  ndërtuar shtëpi, por vetëm një natë kanë fjetur në të. Më gjatë, s’ kanë mundur.  Me atë rast më ishte kujtuar libri me poezi “ Ardhësit- Këngët e Ali Binakut”, i  poetit  humanist malazias, dhe vargjet  e tij: “ Be bëj -Në  varre rritet patatja”  ... dhe”  ...Erdhen   tokëngrënësit.”  Duke përdorur  një paralelizëm me këto vargje,  ata që i përdhosin gurtë e varrezave ,   do  i quaja varrezangrënës.

 Mjerisht,  zhdukja  e gjurmëve të varrezave  nuk është vetëm akt i shëmtuar i individëve, por edhe i vetë shtetit. Kështu ka ndodhur me varrezat në Racin, në qendër të Plavës, ku  janë varrosur të ekzekutuarit në grupe, në vitin 1913, mbi të cilat është ndërtuar fusha e  futbollit dhe çerdhja e fëmijëve. Po ashtu , edhe  mbi varreza në qendër të Gucisë,  ka qenë i ndërtuar tregu i bulmetit...

Nuk mund të largohesha nga Nokshiqi, pa e vizituar edhe varrin e heroinës së Nokshiqit, Kajë  Maliqes, bijë e familje së trimit rugovas , Zhuj Selmanit. Kur isha ngjitur në kodër  mbi fshat, i  kisha dalluar lehtë varrin e Elez Buçajt( 1908-1944) dhe    të Ujakn Colit(1911-1986), banorit të fundit  shqiptar në Nokshiq. Këto dy varre ishin të rregulluar, por  mezi e kisha  dalluar varrin e trimes  Kajë.  Ndonëse i punuar  së voni dhe me material të qëndrueshëm  e me pllaka me mbishkrim, mezi e kisha dalluar. Të tërin e kishin mbuluar shkurret dhe  ferrat.  E denjë të nderohet,  asaj do të duhej ngritur  një përmendore. Jo nga pasardhësit apo fisanakët, por nga institucionet.

Gjatë bisedës për  këtë trimëreshë,  që kisha bërë më  Isa Z. Maliqin Buçaj( 1916) shumë vite më parë,  më kishte treguar: “  Kur ka hi    ushtria  e Malit të ZI në Nokshiq( 1879) dhe burrat kishin  dalë  të luftojn&e

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test