Sokol Murataj, personi i cili kapërcen kufizimet e tij - Bota Sot
Sokol Murataj, personi i cili kapërcen kufizimet e tij

Reportazhe

Sokol Murataj, personi i cili kapërcen kufizimet e tij

Më: 29 prill 2018 Në ora: 13:06
Sokol Murataj

Edhe pse me aftësi të kufizuar, Sokol Murataj di të dalë përtej kufizimit të tij, duke u vënë në ndihmë të çdo personi që ndodhet në të njëjtën situatë si ai.

I lindur në qytetin e Fierit, 46 vjeçari nuk do ta kishte menduar kurrë se 26 vite më parë se do të përfundonte mbi një karrige me rrota për shkak të një aksidenti automobilistik. Jeta ironike ndonjëherë të ofron situata të pa imagjinueshme, për të cilat askush nuk është i zoti as t’i parashikojë dhe ndonjëherë, as të mund t’i ndryshojë ato.

Por Sokol Murataj, edhe pse me shumë vështirësi, të “pamundurën” e konsideron si mundësi. Ai në rrugëtimin e tij frymëzohet gjithnjë nga energjia pozitive dhe vullneti për të gjetur zgjidhjet aty ku të tjerët nuk shohin.

Babai i një djali 12 vjeç, rrëfen përballjen e tij me momentet më të vështira të jetës. “Para 20 vitesh kisha një jetë si gjithë të tjerët, por një aksident automobilistik krijoi vazhdimësinë e jetës time jo në këmbë, por në një karrige me rrota. Aksidenti që pësova në vitin 1997 më shkaktoi një dëmtim të shtyllës kurrizore dhe ngela paraplegjik. Në vitin 2001 emigrova si azilant politik dhe humanitar në Danimarkë, ku një mjek më drejtoi në qendrën daneze të dëmtimeve të shtyllës kurrizore. Këtu filloi që jeta ime të marrë frymë avash-avash dhe të pranoj problemet e mija dhe të marr një program rehabilitimi të plotë”, rrëfehet 46 vjeçari.

Ai ka përfunduar universitetin në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë dhe Masterin për të Drejtën Civile ndërsa vazhdon Shkollën e Avokatisë me shpresën se në të ardhmen të bëhet avokat.

Aktualisht, Sokoli punon në fushat sportive pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë prej disa vitesh, në këto ambiente argëtimi ku shumë të rinj zgjedhin të kalojnë kohën e lirë përmes aktiviteteve sportive, ky i fundit bën prenotimet dhe rezervimet e tyre.

Kurajoz dhe këmbëngulës për të luftuar me vështirësitë nëpër të cilat jeta e ka përballur, për të puna është gjithçka.

”Puna është gjithçka për një person me aftësi të kufizuara, pasi në veçanti për këtë kategori personash është integrim dhe një terapi e pazëvendësueshme, pasi puna i jep kuptim jetës. U bë një vit e gjysmë që unë bëra zgjedhjen të mbaj punën, jo pensionin”, tregon ai.

Me dëshirën për t’u ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuara, ai tregon për një projekt rehabilitimi, për të cilin ka gjetur edhe mbështetjen e ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Këtë projekt, me 6 deri në 8 shtretër, do ta fillojmë tek spitali ”Nënë Tereza”. Këtë projekt ja prezantuam edhe zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri”.

Ndonëse me aftësi fizike të kufizuara, Sokol Murataj ka guximin për të luftuar me çdo pengesë fizike përmes fuqisë mendore, për ta pranuar situatën dhe forcën shpirtërore për të tejkaluar çdo vështirësi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test