Shkolla Fillore ”Elena Gjika” e Prishtinës nderon kryetrimin

Reportazhe

Shkolla Fillore ”Elena Gjika” e Prishtinës nderon kryetrimin

Nga: Ajete Zogaj Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 12:09
Foto

Nxënësit e dalluar të shkollës “Elena Gjika”, shpalosën para prindërve, arsimtarëve, mysafirëve nga Tirana dhe përfaqësuesve nga Institucionet e Kosovës, një veprimtari të rrallë kulturo – artistike në kuadër të Vitit të Gjergjit, me rastin e 550 – Vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Heroit Kombëtar të shqiptarisë, 12 – vjetorit të bashkëpunimit të kësaj shkolle me Shqipërinë, si dhe forcimit të lidhjeve mes Kosovës e Shqipërisë në aspektin arsimor, kulturor, artistik, social dhe edukativ.

Gjithçka frymonte në ngjyrën e flamurit kuq e zi, flamurit të shqiptarëve në “Vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut” në skenën e Teatrit “Dodona” të Prishtinës, në mesditën e 9 nëntorit: që nga veshja e nxënësve deri tek tematika e programit artistik dhe urat e bashkëpunimit ndërmjet shkollave të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ishte shkolla “Elena Gjika” e Prishtinës, shkollë kjo ndër më të vjetrat e kryeqytetit, ajo që ‘bëri bashkë’ Tiranën e Prishtinën, me një program të pasur kulturor të përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle e të ideuar nga profesori i dalluar Fatmir Krasniqi.

Faktikisht, ky aktivitet artistik, shënoi edhe 12 – vjetorin e bashkëpunimit të shkollës “Elena Gjika” me shkollat e Shqipërisë.

Ju lumtë nxënës dhe arsimtarë, të lumtë profesor Fatmir!

Dhe, derisa përcillja programin e pasur artistik të përgatitur nga nxënësit, si në një mizanskenë, më përfytyrohej arsimtari i gjuhës shqipe Fatmir Krasniqi shumë vite

më parë, kur në shkollën fillore “Hasan Prishtina” të Terpezës, përgatiste programe të pasura me nxënës dhe ngjallte dashurinë ndaj gjuhës shqipe në orët e mësimit…

Dhe sot, pas shumë vitesh, AI është po aq i zellshëm dhe punëtorë, po aq i përkushtuar, i dashur dhe i nderuar nga të gjithë: nxënësit, kolegët, mysafirët nga Tirana…

Suksesi i gjithë këtij bashkëpunimi kishte një emërues të përbashkët, një ‘çelës të artë”, e AI ishte profesor Fatmiri…. Secili atë ditë e falënderojë e i shprehu konsideratat më të larta, që nga drejtori i shkollës, mysafirët nga Tirana, prindërit, nxënësit dhe ish nxënësit e tij…Të bëhej zemra mal dhe sigurisht se edhe ndihesh krenare për këtë…E, në fytyrën e profesor Fatmirit, atë ditë, sikur dikur, rrezatonte vullneti, dashuria për të gjithë nxënësit, modestia e një punëtori të pa lodhur…

“Të lumtë profesor Fatmir!” – ishte vlerësimi i të gjithëve…

Pjesa artistike ishte shumë e veçantë: Ishin mahnitëse recitimet e nxënësve: Dea Halimit, Rita Shalës, apo nxënësit e shurdhët: Besarta Gashi e Elis Durmishi që me ndihmën e arsimtares Lule Llalloshi, kishin përgatitur vargjet për Skënderbeun.

Mjaft mbresëlënëse ishin edhe paraqitja e korit me pikën artistike “Këngë e ligjërime”, apo edhe prezantimet artistike të nxënësve: Antonio Junçaj, Adisa Gashi, Lisa Sahatçiu, Kairo Keçi, Viola Rrecaj, Rinesa Vitia, Elbion Redenica, Zog Berisha, Erza Krasniqi , Jon Rrecaj, Dea Gashi si dhe prezantimi i aplikacionit “Scanderbeg”, nga nxënësit Elbion Redenica e Melos Kuçi.

I gjithë aktiviteti u përmbyll me dokumentarin “12 – Vjet veprimtari mbarëkombëtare”

Mikpritja vëllazërore

Me këtë rast u bë mikpritje vëllazërore nga shkolla “Elena Gjika” të Prishtinës për mysafirët e bashkëpunëtorët e kësaj shkolle nga Shqipëria.

Mikpritje të përzemërt për mysafirët nga Tirana bëri edhe Ministri i Arsimit të Kosovës Shyqiri Bytyqi, i cili nderoi mysafirët dhe mësuesin e tij, profesor Fatmirin.

Ky aktivitet u përkrah nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës. Kishte edhe ?të ftuar special, si:?Bardhyl Llagami, babai i Skerdilajt Llagamit, Komandant Shpendit – hero i tri luftërave të fundit, Ina Kasimati, profesoreshë e dalluar në gjimnazin “Andon Zako Çajupi” në Tiranë, veprimtare e palodhur dhe koordinatore e shumë aktiviteteve Kosovë – Shqipëri, Ardita Repishti, profesoreshë, ish drejtoreshë e Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve të Shqipërisë, ish këshilltare në Kryeministrinë e Shqipërisë, tani shefe e digjitalizimit në Autoritetin për informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, Liri Shkëmbi, ish drejtoreshë në shkollën e binjakëzuar “Niket Dardani”, Tiranë, veterane e arsimit, Liliana Zaimi, ish nëndrejtoreshë e shkollës “Niket Dardani”, Agim Rrëza, profesor, kompozitor në QKKF të Tiranës, Ariana Maçi, drejtoreshë në disa shkolla të Tiranës, Kozeta Noti, profesoreshë universitare, drejtoreshë e Qendrës Evropiane të Edukimit, Migena Riza, drejtoreshë e COD në Kryeministrinë e Shqipërisë, Jeta Deda, ish nxënëse në veprimtaritë e përbashkëta të shkollës tonë me Qendrën Rinore të Prishtinës, tani zëvendëskryeministre e Shqipërisë, Jonuz Salihaj, Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Burbuqe Bakija Deva, zëvendministre në MKRS, Sali Morina, ish sekretar në Ministrinë e Kulturës, Linda Loshi, ish drejtoreshë e Qendrës Rinore të Prishtinës, Jahja Lluka, këshilltar i Kryeministrit, veprimtar i dalluar që e mbështeti, përkrahu dhe ndihmoi shumë veprimtarinë e kësaj shkolle në kuadër të “Vitit të Skënderbeut”, Fiona Gllavica, aktore si dhe Filloreta Raçi – FIFI, aktore, regjisore e këngëtare e dalluar. Poashtu, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ministër, i cili e ka mbështetur, përkrahur dhe mundësuar veprimtarinë e shkollës “Elena Gjika” si dhe qëndrimin dhe vizitën në Krujë, Tiranë, Durrës e Lezhë.

Në fytyrat e nxënësve dhe prindërve atë ditë sikur shprehej falënderimi më i thellë për arsimtarin e Gjuhës Shqipe, Fatmir Krasniqi, arsimtaren e artë të Muzikës, të palodhshmen Arstina Kadiu- Kelmendin, arsimtaren Lule Llalloshi si dhe të gjithë nxënësit që kontribuan e morën pjesë në këtë aktivitet të rrallë e të veçantë kulturoro – artistik.

Image
Image
Image
Image
Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat