Parlamenti i gomarëve!

Satirë

Parlamenti i gomarëve!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 30 prill 2026 Në ora: 11:11
Sherif Ramabaja

Shkencëtarët kohën e fundit janë marr edhe me fenomenin e gomarëve. Ata kanë arritur në përfundim se gomarët janë një nga shtazët me koeficientin mjaft të lartë të inteligjencës, se sa ishte menduar.

Ky studim i tyre mbi gomarët i kishte befasuar shumicën nga njerëzit, sepse vetëm fjala gomar, sidomos te shqiptarët, kuptohet si diçka përbuzëse, fyese kur duan ta ofendojnë dike, apo është një nga fjalët më të urryera në popull.

Përkundrazi në perëndim fjala gomar kuptohet si emërim për një kafshë të cilën njeriu duhet admiruar, duke shfaqur dashuri për ta dashur, si çdo kafshë tjetër.

Që ta fillonin studimin mbi gomarët, shkencëtarët i kishte tërhequr karakteri i kësaj kafshe, sidomos ngulitja e këmbëve në baltë. Ky ishte një nga fenomenet që i cyste ata ta studionin më detalisht këtë kafshë.

 Pastaj fenomen tjetër ishte pallja karakteristike e tyre. Tjetër fenomen që u kishte bërë përshtypje shkencëtarëve ishte po ashtu barrën të cilën arrinin ta bartnin në shpinën dhe lëkurën e tyre.

 Ata ecin sikurse një tank, pa marr parasysh sa e ngarkon. Pra është i qëndrueshëm dhe ec derisa nuk e lëshojnë këmbët. Por po u hidhërua, fillon ti ngul këmbët dhe dhuna ndaj tij që ta detyrosh të ecë, është e kotë. Ai nuk lëviz dot nga vendi, se nuk lëvizë.

Pra këto ishin disa nga cilësitë që shkencëtarët filluan të merren me fenomenin gomar, duke filluar me testime të ndryshme. Pasi e konstatuan koeficientin e inteligjencës së tyre, vendosën që ti ushtronin në parlamentarizëm.

Ua ndërtuan sallën, i ushtruan të ulen dhe i përgatitën të dëgjonin kur dikush diskuton. Në fillim ishin të vëmendshëm dhe kishin durim. Mbanin disiplinë dhe rregull.

Kjo ishte një dëshmi që shkencëtarë të kalonin në fazën e dytë të eksperimentit. I kishin ndarë në grupe dhe i kishin zgjedhur udhëheqësit e grupeve të tyre. Në këtë drejtim donin ti testonin aftësitë e tyre sociale, komunikimin, bashkëpunimin dhe aftësitë në ushtrimin e detyrave udhëheqëse.

Kjo fazë për shkencëtarët ishte një mbingarkesë, sepse duke parë reagimin e gomarëve, ata erdhën në kufijtë e forcës së tyre.

Secili nga grupet e ndara të gomarëve, dëshironin të ishin udhëheqës, ti grabisnin postet kryesore dhe e filluan grindjen e përgjithshme, duke mos treguar asnjë tolerancë për grupet tjera.

Shkencëtarët u habitën edhe vetë. Gjendja po u dilte nga kontrolli. Ata filluan të dilnin pa leje nga vendet e tyre. Pallja e tyre ishte gjithnjë e më e lartë. Ofendimet ishin të pakontrolluara. Ishte rrezik po ashtu që të fillonte edhe kacafytja.

 Secili dëshironte që ta merrte copën më të madhe për vete, pa qarë kokën a mbetej gjë për tjetrin. Filluan ti ndanin kullosat pa llogaritur se ku i shpinte kjo punë e papërgjegjshme.

Shkencëtarët më në fund vendosën ta shpërndanin parlamentin e gomarëve, duke e parë rrezikun të cilit i kishin hyrë. Ata u pajtuan që ta vazhdojnë punën e tyre në emancipimin e gomarëve, përndryshe ishte një rrezik i përgjithshëm nacional.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat