Kryetari Begaj as në qiell e as në tokë!

Satirë

Kryetari Begaj as në qiell e as në tokë!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 16 tetor 2026 Në ora: 15:24
Sherif Ramabaja

Shqipëria po zien. Kush garanton se nuk do të përsëritet e ´97. A mund të lejojmë që edhe njëherë të fillojmë nga zeroja. Ai që duhet të reflektonte dhe t´u përgjigjej kërkesave të popullit e rinisë, po deklaron se ka një mision. Ku, ka mision më të shenjtë, se ta shpëtosh atdheun. Unë jam ushtarak, këtë e di.

Kush mi mpiu mentë që ta pranoja postin e presidentit, nuk mund sot ta marr me mend dot. Rama kishte hequr të zinjtë e ullirit me Metën dhe më luti: eja se e kam një detyrë për ty.

Ti si ushtarak ke përvojë në zbatimin e urdhrave, prandaj tjetër s´po kërkoi asgjë nga ti, vetë firmosi dokumentet që të servohen përpara dhe qeshu para kamerave, si president i vendit.

Thënë realitetin, më duket se u hipnotizova nga kërkesa e Ramës dhe thash: pse mos të bëhem president. Një herë në jetë më erdhi vera kah dera, më mirë thash të hyjë në histori, sesa ta shqelmoja verën të dera.

Dhe ku jam tash? Në fillim e mbaja kokën lart, ashtu siç isha mësuar si ushtarak. Hyja në byro ku më priste kafeja, mëngjesi i majmë, dreka me të gjitha të mirat, kryeja telefonata me gruan, të afërmit dhe miqtë e mi. Rrallë se më vinte ndonjë shkresë për firmosje, po dita - ditës më bezdiste klima e acaruar politike.

Kisha bindjen se Rama çdo ditë e më shumë, e lozte rolin e mbretit. Më në fund i lindi edhe Balluku. Ai u ngjit pas saj, sikurse dikur që ishte e ngjitur Shqipëria pas Rusisë e Kinës. S´ka kush që më ç´kapë prej saj tha botërisht. E sfidoi SPAK - un, e sfidoi Parlamentin, e sfidoi Gjyqin, e sfidoi Opozitën, e sfidoi Evropën, e sfidoi edhe Shqipërinë për Ballukun. Askush s´kishte përgjigje.

Arsyen nuk e dinin as astrologët, as magjistarët, as gazetarët, as këshilltarët, as burrështetasit, as Evropa e as Amerika, por as gjinekologët.

Pra nga Belinda lindën Flamingot. Nga Flamingot lindën studentët. Dhe kush e di se çdo të pjell pas studentëve.

 Zjarri është ndezur, flakët po shihen, po Rama ka ngul këmbë. Nuk mund të flas se çdo të bënte në këtë rast Enver Hoxha, por as Ramiz Alia nuk i kishte ngulur  këmbët, siç po ngul sot Rama.

Kam një mision, po flet vetmëvete. Unë nuk di çfarë misioni mund të ketë: ta shkatërroi Shqipërinë. Gruaja po më thotë: ai ke mendtë ende në kokë. Unë jam mpirë nga ajo që po shoh.

 Studentët i luta që të vijnë tek unë, e të ulemi të bisedojmë, po s´të njohim më thanë. Je vetëm një ofiqar i Ramës, më tha njëri nga ta.

U shikova në pasqyrë, po nuk e njoha veten. Ku paskam rënë, i thash vetes. Kafja e mëngjesit nuk shkonte teposhtë. Ofiqar i Ramës, erdha duke e porositur thënjen.

Nga ky moment nuk jam ulur ende. Po i numëroj hapat nëpër byronë time. Shqipëria ime. Ku të sollëm e ti ende po na duron. Deri kur? Nuk mund të ulem më. E mori stilolapsin dhe e formuloi fjalinë: Unë e ofroi dorëheqjen. Shqipëria mbi të gjitha.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat