Shifra shqetësuese: Rreth 1 mijë e 500 raste me kancer lajmërohen brenda vitit në Kosovë

Shëndetësia

Shifra shqetësuese: Rreth 1 mijë e 500 raste me kancer lajmërohen brenda vitit në Kosovë

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 12:09
Foto ilustruese

Në tri vitet e fundit, ka rritje të numrit të të prekurve nga sëmundja me kancer. Nga 1 mijë e 500, deri në 1 mijë e 600 raste të reja lajmërohen brenda vitit.

Këto statistika i ka bërë të ditur për Telegrafin, Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë.

Ai ka thënë se kanceri më i shpeshtë te femrat është ai i kancerit të gjirit, që vetëm gjatë vitit kanë qenë 340 raste të lajmëruara.

“Prej vitit në vit, këtyre tri viteve të fundit shifrat sillen prej 1 mijë e 500, deri 1 mijë e 600 raste të reja brenda vitit. Dominon kanceri më i shpeshtë te femrat është kanceri i gjirit. Këtë vit kanë qenë të prekura 340 raste me këtë kancer, pastaj ai i mushkërive me 210 persona të sëmurë këtë vit, pastaj kanceri i zorrës së trashë, kanceret në organet gjenitale dhe të tjerë”, ka thënë Kurtishi.

Në Ditën Botërore kundër Kancerit, drejtori i Klinikës së Onkologjisë ka thënë se është shumë me rëndësi që sëmundja të zbulohet sa më herët.

Kurtishi ka thënë se në këtë mënyrë edhe trajtimi do të ishte më i lehtë.

“Preventiva është që të zbulohet sa më herët sëmundja, ose të merren masat mbrojtëse që faktorët e riskut me i zvogëlu, në mënyrë që të mundemi me zvogëlu këtë sëmundje, dhe mënyrën e trajtimit me pas më të lehtë”, ka thënë tutje ai për Telegrafin.

Për muaj me radhë, Klinika e Onkologjisë ka filluar edhe punën 24 orë. Drejtori i Klinikës thotë se ky vendim, ka ndikuar në kualitet të shërbimit.

Kurtishi ka bërë të ditur se kanë filluar edhe me dhënien e disa terapive, që më herët nuk i kanë dhënë.

“Puna 24 orë ka ndikuar në kualitet të shërbimit, dhe vënien e disa formave terapive që më parë nuk i kemi dhënë, e që tash i japim. Por duhet të theksohet se kjo nuk mbulon shërbimin paliativ, pasi nuk ka qendër për trajtimin e saj. Ne po meremi edhe me këto por me shumë probleme, pasi duhet të ketë shërbim të veçantë”, ka përfunduar Ilir Kurtishi.

Ndryshe, 4 shkurti njihet si Dita Botërore kundër Kancerit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat