Rreziku që vjen nga prania e gjakut në urinë

Shëndetësia

Rreziku që vjen nga prania e gjakut në urinë

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 10:07
Ilustrim

Më tepër se sa si një sëmundje më vete, prania e gjakut në urinë klasifikohet si një shenjë alarmi që organizmi po përballet me ndërlikime të rënduara. Kjo gjendje që në gjuhën mjekësore njihet si “Hematuria”mund të jetë shkak jo vetëm i ndërlikimeve në veshka, apo pranisë së infeksioneve të ndryshme në traktin urinar, por edhe i sëmundjeve të rënda siç mund të jetë kanceri. Po ashtu edhe përdorimi i medikamenteve të caktuara mund të bëhet shkak për hematurinë. Mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili,tregon për “Dita”, faktorët e shpeshtë që çojnë në shfaqjen e gjakut në urinë, simptomat dalluese, si dhe kujdesin që duhet të tregojmë për trajtimin e hershëm të kësaj sëmundjeje. Kjo në mënyrë që të shmangen në kohë ndërlikimet që mund të vijnë prej saj.

Çfarë është Hematuria?

Me Hematuri duhet të kuptojmë praninë e gjakut në urinë. Hematuria mund të jetë e dukshme dhe në këtë rast quhet makroskopike, por mund të jetë dhe e padukshme rast në të cilin njihet si mikroskopike, pasi qelizat e gjakut në urinë mund të identifikohen vetëm nëpërmjet mikroskopit. Hematuria mikroskopike mund të ndryshojë nga ngjyra, duke u paraqitur nga “trëndafil i çelët” deri në ngjyrë të kuqe të errët. Kjo ka të bëjë edhe me sasinë e gjakut që është e pranishme në urinë. Edhe pse sasia e gjakut në urinë mund të jetë e ndryshme, kushtet që mund ta shkaktojnë këtë problem janë pak a shumë të njëjta dhe kërkojnë vlerësim në kohën e duhur. Kur hematuria është e dukshme, pra mikroskopike njerëzit shqetësohen shumë dhe paraqiten menjëherë te mjeku. Problem mbetet hematuria mikroskopike, që nuk dallohet me sy të lirë dhe që më së shpeshti do të zbulohet si pjesë e një kontrolli periodik nga një mjek i kujdesit parësor.

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të pranisë së gjakut në urinë?

Shkaqet e hematurisë mikroskopike dhe makroskopike janë të ngjashme dhe mund të rezultojnë nga gjakderdhje kudo përgjatë aparatit urinar. Duhet thënë se nuk mund ta dallojmë lehtë gjakun që del nga veshkat, ureterët (tubat që transportojnë urinën nga veshkat për në fshikëz), nga vezika urinare (fshikëza e urinës) apo nga uretra (tubi që e nxjerr urinën nga fshikëza jashtë organizmit). Hematuria duket të vlerësohet patjetër nga mjeku, edhe nëse ajo zgjidhet spontanisht. Si shkaktarë më të shpeshtë të hematurisë njihen infeksionet e traktit urinar, ku më të shpeshtë janë infeksionet e vezikës. Urina që prodhohet në veshka dhe që kalon nëpër aparatin urinar normalisht është sterile dhe nuk duhet të përmbajë baktere. Kjo ndodh kur bakteret hyjnë përmes uretrës (kanali që nxjerr jashtë urinën) dhe shumëfishohen në fshikëzën e urinës. Simptomat mund të përfshijnë një dëshirë të vazhdueshme për të urinuar, dhimbje dhe djegie gjatë urinimit. Për disa njerëz, veçanërisht të moshuar, shenja e vetme e sëmundjes mund të jetë prania e gjakut mikroskopik në urinë.

Infeksioni i veshkave a shoqërohet me prani të gjakut në urinë?

Po. Tjetër arsye mund të përmendim infeksionin e veshkave (pyelonephritis).Kjo ndodh kur bakteret hyjnë në veshka nëpërmjet qarkullimit të gjakut, por edhe kur lëvizin nga retra dhe ngjiten lart deri në veshka. Për këto raste, shenjat klinike janë shpesh të ngjashme me infeksionet e fshikëzës edhe pse infeksionet e veshkave me shumë gjasa shkaktojnë temperaturë me ethe dhe dhimbje mesi. Gjithashtu duhet të theksojmë se gjakderdhja mikroskopike urinare është një simptomë e zakonshme e glomerulonefritit, një inflamacion (infeksion) i sistemit të filtrimit të veshkave. Kjo mund të ndodhë më vete, por mund të jetë edhe pjesë e sëmundjeve sistemike, të tilla si diabeti. Infeksionet virale , bakteriale, sëmundjet e enëve të gjakut (vaskuliti) apo edhe probleme imune mund të shkaktojnë glomerulonerfrit.

Po prania e gurëve në urinë si ndikon?

Hematuri shkakton edhe prania e gurëve. Kripërat minerale në urinën e koncentruar ndonjëherë krijojnë kristale në muret e veshkave, ose të vezikës urinare. Me kalimin e kohës, kristalet mund të bëhen gurë të vegjël dhe të fortë. Për sa kohë gurët janë aq të vegjël sa kalojnë lirshëm në aparatin urinar, ju nuk do t’i ndjeni ato. Ata shkaktojnë dhimbje kur bllokojnë kalimin e urinës dhe mund të gërvishtin muret e traktit urinar gjatë rrugës së tyre. Si rezultat i këtyre gërvishtjeve mund të keni hematuri mikroskopike ose makroskopike.

A mund të jetë prania e gjakut në urinë një tregues për sëmundje të rënda?

Gjakderdhja e dukshme e urinës mund të jetë një shenjë e kancerit të avancuar të veshkave, të vezikës urinare ose të prostatës. Për fat të keq, nuk mund të kemi shenja në fazat e hershme kur këto forma të kancerit të trajtoheshin më mirë. Po ashtu, edhe medikamente të ndryshme mund të jenë shkaktarë të pranisë së gjakut në urinë, siç janë holluesit e gjakut (aspirina, heporina, clopidogreli).

Shpesh një problematikë e tillë shfaqet edhe tek sportistët. Nga se shkaktohet? 

Është e njohur prania e gjakut në urinë tek sportistët që ushtrojnë aktivitete të forta fiziku (kryesisht vrapuesit) dhe shkaku mbetet i panjohur. Ajo mund të lidhet me traumën e fshikëzës së urinës dhe dehidratimin e organizmit gjatë ushtrimit të aktivitetit fizik. Megjithatë, kjo situatë kërkon të ekzaminohet me hollësi dhe jo t’i lihet spontanitetit.

Si trajtohet hematuria?

Sigurisht që trajtimi do të varet nga shkaku. Është e rëndësishme të theksohet se mjaft herë nuk gjendet shkaku për hematurinë. Megjithatë, ekzaminimet e duhura dhe në kohën e duhur, janë të rëndësishme për të përjashtuar shkaqet serioze të hematurisë (përshembull kanceri). Në rastet kur nuk gjendet menjëherë shkaku, hematuria duhet mbajtur në observacion të vazhdueshëm. Kujdes duhet treguar me testet për të kontrolluar funksionin e veshkave dhe presionin e gjakut. Meshkujt mbi moshën 50 vjeç duhet të bëjnë kontrolle të rregullta të prostatës për të zbuluar në kohë kancerin e prostatës (në mënyrë të veçantë ata që kanë histori familjare).

Duke qenë se infeksionet urinare janë një faktor i shpeshtë që shkaktojnë praninë e gjakut në urine, çfarë mund të bëjmë për ta parandaluar një gjë të tillë?

Për parandalimin e infeksioneve urinare rekomandohet konsumimi i lëngjeve 2-3 litra në ditë, në varësi nga situata individuale shëndetësore. Po ashtu rëndësi ka edhe forcimi I imunitetit të organizmit duke konsumuar sa më shumë fruta që kanë përmbajtje të lartë të vitaminës C (mollët, portokallet, luleshtrydhet, kivi).

Kujdes!

Në rastet kur nuk gjendet menjëherë shkaku, hematuria duhet mbajtur në observacion të vazhdueshëm. Kujdes duhet treguar me testet për të kontrolluar funksionin e veshkave dhe presionin e gjakut. Meshkujt mbi moshën 50 vjeç duhet të bëjnë kontrolle të rregullta të prostatës për të zbuluar në kohë kancerin e prostatës (në mënyrë të veçantë ata që kanë histori familjare).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat