Monoksidi i karbonit fushë ideale për ushqyerjen e mikrobeve aliene

Shëndetësia

Monoksidi i karbonit fushë ideale për ushqyerjen e mikrobeve aliene

Më: 25 mars 2019 Në ora: 17:54
Ilustrim

Botët e largëta me forma të thjeshta të jetës mund të zbulohen nga prania e një gazi që është vdekjeprurëse për njerëzit, sugjeron një studim i ri.

Nivelet e larta të monoksidit të karbonit (CO) mund të jenë të përsosura për format e jetës në planetë të ngjashëm me Tokën kur organizmat filluan të shfaqen rreth 3.5 miliardë vjet më parë.

Një atmosferë me përqendrime të larta të CO do të ishte vdekjeprurëse për forma komplekse të jetës, por mund të sinjalizonte mikrobet e huaj në planetët e tjerë. Teleskopi i NASA-s, James Webb, i planifikuar për t'u nisur në mars 2021, do të jetë në gjendje të shqyrtojë përqendrimet e CO në hapësirë.

Monoksidi i karbonit te njerëzit zvogëlon sasinë e oksigjenit që mund të transportohet në qarkullimin e gjakut në organe kritike si zemra dhe truri. Në nivele shumë të larta, të cilat janë të mundshme në ambiente të mbyllura, CO mund të shkaktojë marramendje, konfuzion, humbje të vetëdijes dhe vdekje.

Gazi vdekjeprurës është krejtësisht i padukshëm, nuk ka erë apo shije dhe mënyra e vetme definitive për të zbuluar një rrjedhje të monoksidit të karbonit është një alarm i veçantë. Sidoqoftë, në ditët e para të planetit format e thjeshta të jetës ishin në gjendje të lulëzonin në praninë e tij.

Dr Edward Schwieterman, autori kryesor i studimit dhe një koleg i NASA-s në Universitetin e Kalifornisë në Riversides, tha se me lansimin e teleskopit hapësinor James Webb pas dy vjetësh, astronomët do të jenë në gjendje të analizojnë atmosferën e disa ekzoplanetëve shkëmborë, në kërkim të jetës së banueshme.

Ekipi i Dr Schwieterman përdori kompjuterin për të studiuar modelet e kimikaleve në zonat e tokës ku lulëzon jeta dhe në atmosferë. Ata përdorën këto të dhëna për të identifikuar dy skenarë në të cilët monoksidi i karbonit mund të ndërtohet lehtë në atmosferën e planetëve me jetë.

Në skenarin e parë, ekipi gjeti përgjigje në të kaluarën e planetit tonë. Atmosfera aktuale e Tokës parandalon akumulimin e monoksidit të karbonit, pasi gazi konvertohet shpejt në dyoksid karboni. Por tre miliardë vjet më parë, bota ishte një vend shumë i ndryshëm.

Oqeanet ishin tashmë të mbushura me jetë mikrobike, atmosfera ishte gati pa oksigjen dhe dielli ishte shumë më i dobët. Modelet e ekipit tregojnë se Toka e lashtë mund të mbante nivelet e monoksidit të karbonit afërsisht 100 pjesë për milion (ppm) - miliona herë më të larta se nivelet aktuale.

"Kjo do të thotë se ne mund të presim sasi të lartë të monoksidit të karbonit në atmosferën e banueshme, por me sasi të ulët oksigjeni të ekzoplanetëve që rrotullohen rreth yjeve të ngjashme me Diellin tonë”, tha profesori Timothy Lyons, njëri nga bashkautorët e studimit.

"Ky është një shembull i përkryer i misionit të ekipit tonë për të përdorur të kaluarën e Tokës si një udhërrëfyes në kërkimin e jetës në vende të tjera të universit", shton ai.

Një skenar i dytë është edhe më i favorshëm për ndërtimin e monoksidit të karbonit: fotokimia rreth yjeve të kuq xhuxh si Proxima Centauri, ylli më i afërt i Diellit tonë 4,2 vjet dritë larg. Modelet e ekipit parashikojnë se nëse një planet rreth një ylli të tillë do të ishte i banuar dhe i pasur me oksigjen, atëherë duhet të presim që sasia e monoksidit të karbonit të jetë jashtëzakonisht e lartë - nga qindra ppm në disa qindra.

"Duke pasur parasysh kontekstin e ndryshëm astro-fizik për këta planetë, nuk duhet të habitemi kur gjejmë biosfera mikrobiale që promovojnë nivele të larta të monoksidit të karbonit. Sidoqoftë, këto sigurisht nuk do të jenë vende të mira për jetën njerëzore apo të kafshëve siç e njohim në Tokë”, pohon Schwieterman.

Planetë me madhësi të Tokës janë zbuluar në zonën e Proxima Centauri dhe yjeve tjera të ngjashme, që do të thotë se ata mund të mbajnë ujë të lëngshëm, një përbërës thelbësor për jetën. Planetë të tillë ka të ngjarë të jenë synime për karakterizim të mëtejshëm nga Teleskopi Hapësinor James Webb, i planifikuar për t'u nisur në mars të vitit 2021.

Studimi i tanishëm është një komponent i një përpjekjeje të gjerë për t'u përgatitur për misionet e ardhshme duke bërë kombinime të ndryshme të gazrave atmosferike që mund të jenë dëshmi e një bote të banuar - të ashtuquajtura gazra të shenjave të jetës.

Disa gazra, të tilla si monoksidi i karbonit, ishin vlerësuar më parë si "kundërshenja të jetës biologjike" - dëshmi që tregon se një planet nuk është i banuar - nëse sasia e këtij gazit detajohet në distancë si e lartë. Por këto supozime zbatohen vetëm në raste specifike.

“Megjithëse studime të tjera kanë bërë modele fotokimie të ekzoplanetëve që përfshijnë monoksidin e karbonit, askush nuk ishte përqendruar në monoksidin e karbonit në ekzoplanetët e ngjashëm me Tokën në mënyrë kaq sistematike. Tani kemi një udhëzues për përcaktimin e niveleve të monoksidit të karbonit në përputhje me një biosferë fotosintetike," tha Schwieterman

Ndryshe, studimi i plotë është botuar në revistën The Astrophysical.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat