Cila është rëndësia e gjumit për shëndetin mendor?

Shëndetësia

Cila është rëndësia e gjumit për shëndetin mendor?

Më: 15 maj 2019 Në ora: 16:41
Ilustrim

Ju e dini se gjumi është jetik për shëndetin tuaj fizik dhe mendor. Por, si mund të tregoni nëse jeni me të vërtetë duke fjetur mirë? Mesatarisht, të rriturit duhet të marrin në mënyrë optimale ndërmjet shtatë dhe nëntë orë gjumë çdo natë, por këto nevoja ndryshojnë individualisht. Për shembull, disa njerëz ndjehen më mirë me tetë orë rresht të gjumit, ndërsa të tjerët janë në rregull me gjashtë deri në shtatë orë gjumë gjatë natës dhe ditës. Disa njerëz ndjehen mirë edhe kur orari i tyre i gjumit mund të pësojë ndryshime, ndërkohë që të tjerët ndihen shumë të prekur nga një orar i ri ose qoftë edhe nga një natë e pamjaftueshme e gjumit.

Më poshtë janë disa karakteristika rreth gjumit të shëndetshëm, të konstatuara nga National Sleep Foundation. Nëse këto përshtaten ose lidhen me ju, atëherë është një shenjë e mirë që gjumi juaj është në rrugën e duhur.

Ju bini në gjumë brenda 15-20 minutave, kur ju bëheni gati për të fjetur.
Ju rregullisht flini në një total prej shtatë deri në nëntë orë, në një periudhë 24-orëshe.
Gjumi juaj është i vazhdueshëm – nuk keni periudha të gjata të të qenurit zgjuar, kur ju në fakt dëshironi të flini.
Ju zgjoheni duke u ndier i rifreskuar.
Ju ndiheni vigjilent dhe jeni në gjendje të jeni plotësisht produktiv gjatë orëve të zgjuara.
Nuk keni gërhitje ose ndonjë sjellje tjetër të pazakonshme gjatë gjumit (National Sleep Foundation, (2019).
Po çka nëse këto karakteristika të lartpërmendura, nuk u lidhën aspak me raportin tuaj me gjumin? Atëherë është esenciale për ju të keni parasysh këto fakte, e zbulime rreth gjumit dhe pse jo, t’i praktikoni ato në jetën tuaj.

Ne shpenzojmë 1/3 të jetës tonë në gjumë, gjë që sugjeron se po bëjmë diçka shumë të rëndësishme. Neuroshkencëtarja Penny Lewis, thotë se gjumi mund të ndikojë në përmisimin e memories sonë. Kjo erdhi nga një eksperiment ku pjesëmarrësve u është kërkuar të navigonin në një labirint të një video loje dhe pastaj të flinin. Gjatë skanimit, është parë që valët e gjumit të ngadaltë, ishin tejet aktive dhe kjo shkallë e aktivitetit e determinonte se sa mirë do perfomonin ata me navigimin, ditën tjetër. Dhe me këtë, Penny Lewis erdhi në atë përfundim se çdo aktivitet nervor i lidhur me diçka që ju keni bërë, përsëritet spontanisht kur jeni duke fjetur, gjë që e forcon memorien. Sipas saj, gjumi mund të ndikojë edhe në mënyrën se si ne reagojmë emocionalisht ndaj kujtimeve të ndonjë ngjarje traumatike që kemi përjetuar më parë (Lewis, 2015)

Themeluesi i Sonic Sleep, Dr. Dan Gartenberg, konstaton se cilësia e dobët e gjumit lidhet me sëmundjet kardio vaskulare, Alzheimer, e poashtu edhe me diabetin. Ai gjithashtu përmend se teknologjia ka sjellë një botë, ku prioriteti i vetëm është puna dhe produktiviteti brenda 24 orëve. Kjo ka ardhur me një kosto të lartë, pasi që nevoja për gjumë është vënë në rrezik. Sipas Gartenberg, kjo ka ndikuar edhe në gjendjen mentale të njerëzve, duke i bërë ata të marrin vendime të nxituara dhe ka degraduar kapacitetin e tyre për të qenë më empatik në rrethin e tyre. Si rrjedhojë e kësaj pas disa hulumtimeve të bëra, ai ka nxjerrë një alternativë për përmirësimin e cilësisë së gjumit, e cila mund të arrihet nëse në hapësirën ku individi e bën gjumin, lëshohen tinguj të cilat përmbajnë valët dhe frekuencat e gjumit të thellë. Nëse bëhet një përdorim i vazhdueshëm i kësaj alternative, atëherë kjo do të ndikojë pozitivisht në ngritjen e kapaciteteve të kreativitetit, dhe inteligjencës emocionale (Gartenberg, 2018).

Vetë ne, mund të kontribuojmë në përmirësimin e gjumit tonë, nëse brenda rutinës ditore shtojmë aktivitetin fizik dhe dietën e duhur. Veçanërisht për aktivitete fizike, nëse ato bëhen për 150 minuta në javë, ato rrisin efektivitetin e gjumit duke ndikuar kështu në funksionimin më të mirë të sistemit imunitar, kardiak, të ndikojë pozitivisht në kontrollimin e nivelit të stresit e ankthit dhe kthehet në një ndihmë të madhe për ata që vuajnë nga insomnia apo çrregullime tjera të gjumit (Breus, 2017). Kurse, sa i përket dietës si element mbështetës i cilësisë së gjumit, duhet të përmbajë elemente të triptofanit, karbohidrateve, kalciumit, magnezit, melatoninës dhe B6, të cilat mund të nxisin një gjumë të mirë (Kent, 2019). Përderisa shkencëtarët vazhdojnë të eksplorojnë mekanizmat pas gjumit, ne mund të jemi të sigurtë se të pasurit gjumë të rregullt, është një domosdoshmëri nëse duam të mbajmë shëndetin dhe mendjen tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat