Sëmundja e hipertiroidizmit, pasojat dhe trajtimi i saj

Shëndetësia

Sëmundja e hipertiroidizmit, pasojat dhe trajtimi i saj

Më: 28 maj 2019 Në ora: 15:02
Foto ilustrim

Internistja dhe endokrinologia Venera Berisha-Muharremi këtë javë në emisionin “Shnosh e Mirë” në RTV Dukagjini, ka folur për sëmundjen e hipertiroidizmit.

Doktoresha tregon se kjo gjendje paraqitet më së shpeshti si pasojë e procesit inflamatorë autoimun që atakon gjëndrën tiroide dhe kur në organizëm nga sistemi imunitar krijohen antitrupa që stimulojnë gjëndrën tiroide të prodhojë më tepër hormone se sa që nevojitet në organizëm.

Simptomat e paraqitjes së kësaj sëmundje, siç tregon endokrinologia, janë edhe ndryshimi i pamjes së syve, kur këta persona kanë sy sikurse të jenë të frikësuar ndërsa pjesa e poshtë e qafës vërehet e ënjtur.

“Hipertiroidizmi mund të paraqitet edhe kur në gjëndër paraqiten disa noduse apo adenoma toksike të cilat prodhojnë sasi të tepërt të hormoneve të gjëndrës tiroide në mënyrë të pavarur-të pakontrolluar. Hipertiroidizmi paraqitet edhe nëse përdorim medikamente që kanë sasi të madhe të jodit”, thotë ajo.

Doktoreshë Venera thotë se personat me këtë sëmundje ndjehen nervoz, kanë ankth, ndjejnë temperaturë të lartë edhe nëse nuk bën shumë nxehtë, kanë dridhje të duarve, kanë rrahje të çrregullta të zemrës dhe humbin peshë edhe nëse kanë oreks të bollshëm.

“Hipertiroidizmi është një sëmundje mjaft serioze e cila duhet të trajtohet patjetër nga endokrinologu dhe strikt në bazë të këshillave të tij”, këshillon ajo.

Berisha-Muharremi thotë se personat e prekur nga kjo sëmundje duhet të marrin sasi të mjaftueshme të kalciumit. Poashtu ajo këshillon edhe konsumimin e vazhdueshëm të pemëve dhe perimeve.

“Disa ushqime që ulin prodhimin  e hormoneve të gjëndrës tiroide janë soja, brokoli dhe lulelakra. Kohëve të fundit rekomandohet aronia e cila ka vetitë e saj antioksidante dhe xhenxhefili që vepron si anti-inflamator”.

Doktoresha poashtu rekomandon edhe supën e eshtrave për të marrë sasitë e nevojshme të mineraleve.

“Nuk rekomandohen ushqimet që përmbajnë gluten dhe të gjitha ushqimet që përmbajnë ngjyra, konservues dhe aroma artificiale që iniciojnë sëmundje autoimune”, tha ndër të tjera Venera Berisha-Muharremi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat