Hulumtim: Prindërit s’flenë sa duhet derisa fëmija të mbushë gjashtë vjet

Shëndetësia

Hulumtim: Prindërit s’flenë sa duhet derisa fëmija të mbushë gjashtë vjet

Më: 29 qershor 2019 Në ora: 19:26
Ilustrim

Të rriturit duhet të bëjnë jo më pak se 7 deri 9 orë gjumë kualitativ çdo natë, sipas National Sleep Foundation.

Por, është një problem i vogël për të cilin është e pamundur të gjendet një zgjidhje.

Të sapolindurit nuk i kushtojnë shumë vëmendje këtyre rekomandimeve dhe i mbajnë nënat dhe baballarët e tyre zgjuar pothuajse gjatë gjithë kohës.

Dhe duket se këto telashe prindërore mund të vazhdojnë shumë më shumë se ç’mund të prisnim, transmeton Klan Kosova.

Ne e dimë se gjumi i pamjaftueshëm mund të jetë shumë i lodhshëm, si emocionalisht ashtu edhe fizikisht.

Prandaj, është më mirë t’i dini disa nga vështirësitë qysh nga fillimi në mënyrë që ta jetoni shumë më lehtë udhëtimin magjik të të qenit prind.

Është e qartë se të gjithë prindërit e rinj janë shumë të vetëdijshëm se do të duhet ta harrojnë kënaqësinë e fjetjes gjatë natës kur vogëlushi/ja e tyre vjen në jetë.

Megjithatë ata mundohen ta tejkalojnë këtë situatë duke besuar se netët e gjata pa gjumë nuk do të zgjasin për shumë kohë dhe se ata do të mund të flenë aq sa duan kur fëmija i tyre të rritet pak.

Por, çka nëse ju themi se do të flini më pak dhe do të bëni gjumë më pak kualitativ për gjashtë vjet pas lindjes së fëmijës?

Për ta vërtetuar një gjë të tillë, hulumtuesit kanë mbledhur të dhëna nga viti 2008 deri në vitin 2015 nga 4659 prindër që kanë treguar përvojat e tyre me gjumin.

Nënat dhe baballarët e rinj kanë vlerësuar kualitetin e gjumit nga 0 deri në 10 derisa kanë raportuar vazhdimisht se sa orë kanë fjetur.

Rezultatet tregojnë se gjatë tre muajve të parë pas lindjes së foshnjes, nënat flenë mesatarisht një orë më pak se më parë.

Në ndërkohë, ashtu si e kemi besuar, baballarët flenë më shumë se gratë e tyre, por megjithatë me ardhjen e foshnjes në jetë humbasin rreth 15 minuta gjumë gjatë natës.

Gjashtë vjet pas lindjes së foshnjes, nënat flenë 20 minuta më pak derisa baballarët ende nuk i ‘kthejnë’ 15 minutat e tyre të gjumit.

Të dy prindërit gjithashtu konfirmojnë se pas lindjes së foshnjes ulet cilësia e gjumit.

Dr. Sakari Lemola, autor i këtij hulumtimi, ka thënë se nuk kanë pritur që të zbulojnë se as pas gjashtë vjetësh pas lindjes së foshnjes gjumi nuk kthehet në normalitet.

Por, ai ka shpjeguar se secila moshë e fëmijës ka problematikat e veta. Fëmijët, pasi të rriten pak, ndoshta nuk do të qajnë më shumë gjatë natës, por me rritjen e tyre ata do të kenë probleme të tjera – sëmuren, kanë ankthe ose thjesht zgjohen më herët së prindërit e tyre.

Por, ky hulumtim ka nxjerrë edhe një përfundim interesant. Prindërit nuk humbin më shumë orë gjumi nëse ata vendosin të kenë më shumë se një fëmijë.

Gjumi i nënave që lindin foshnjen e dytë mbetet në nivelin e njëjtë që ishte para shtatzënisë së tyre.

Kjo ndodh për shkak se cilësia dhe kohëzgjatja e gjumit janë përkeqëuar me lindjen e fëmijës së parë.

Ky informacion është shumë i rëndësishëm sepse mungesa e gjumit mund të sjellë shumë problem.

Mungesa e gjumit lidhet me mungesën e përqendrimit, shtimin në peshë si dhe probleme të tjera shëndetësore.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të kemi fëmijë për shkak se më nuk do të mund të flemë aq sa duam.

Qëllimi i këtij shkrimi është që t’i bëjë prindërit e rinj të vetëdijshëm dhe t’i ndihmojë ata të kuptojnë se çfarë ndryshime duhet të bëjnë në stilin e jetesës pasi foshnja e tyre të vijë në jetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat