Si të evitoni ndjesinë e fryrjes në stomak

Shëndetësia

Si të evitoni ndjesinë e fryrjes në stomak

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 23:01
Ilustrim

Dietat e pasura në fibra bimore rekomandohen gjerësisht, pasi kanë efekte mjaft të dobishme në një sërë situatash shëndetësore. Por, këto dieta kanë edhe një efekt anësor, i njohur prej ndjesisë së pakëndshme në bark, si pasojë e formimit të gazrave. Kjo ndodh për shkak se fibrat bimore janë substanca të patretshme dhe kështu ato mbërrijnë në zorrën e trashë të paprekura, ku kthehen në ushqim për mikrobet që popullojnë atë zonë të aparatit tretës. Ky proces është i njohur me emrin “fermentim”, i cili prodhon gaz si një ndër metabolitet e tij.

Edhe disa sheqerna të tjerë mund të mbërrijnë në zorrën e trashë gjysmë të patretura (si sorbitoli, ksilitoli, manitoli), karbohidratet e patretshme të fasuleve (rafinoze, stakioze) dhe disa karbohidrate rezistente të patates dhe grurit. Më poshtë mund të gjeni listën e ushqimeve që prodhojnë gazra, edhe pse individë të ndryshëm mund të kenë reagime të ndryshme nga këto ushqime.

Ushqimet që mund të rrisin gazrat në aparatin tretës

Mollët

Agjinaret

Asparagët

Fasulet

Birra

Bizelet

Lëngjet e frutave

Ëmbëlsirat dhe pijet që përmbajnë fruktoze (shurupet)

Pijet me gaz

Brokoli, lulelakra

Lakra e bardhe, e kuqe, e Brukselit

Karotat

Mashurkat

Preshi

Qumështi (nëse ka intolerancë ndaj laktozës)

Qepët

Kikirikët

Dardhat

Rrepat e bardha

Gruri

Çfarë tjetër mund të shkaktojë gazra?

Probleme të tretjes, veçanërisht të përthithjes në aparatin tretës, të lëndëve ushqyese, mund të shkaktojnë fryrje për shkak të tretjes jo të plotë të lëndëve ushqyese dhe përfundimit të një pjese prej tyre në zorrën e trashë, ku fermentohen nga bakteret. Gjithashtu, gëlltitja e ajrit mund të shkaktojë ndjesinë e fryrjes.

Shumë njerëz i vënë emërtimin “gazra” ndjesisë së fryrjes, por kjo nuk korrespondon gjithmonë me sasinë e gazrave. Madje, pjesa më e madhe e njerëzve që ankohen për fryrje të barkut dhe zorrëve, rezultojnë të mos kenë më shumë gazra nga të tjerët. Disa prej tyre, më vonë diagnostikohen me sindromën e zorrës së irrituar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat