Në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kontrolle falas

Shëndetësia

Në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kontrolle falas

Më: 20 tetor 2019 Në ora: 11:53
Sonja Blakaj

Me kontrolle falas Kosova po e shënon muajin e ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Kjo pasi Klinika e Onkologjisë po ofron kontrolle me ultrazë pa participim për të gjithë personat që vizitohen këtë muaj tek onkologu.

Këtë e ka konfirmuar në një intervistë për kp edhe Sonja Blakaj, onkologe, e cila ka thënë se është lajm i mirë që në Kosovë nuk ka rritje të personave të prekur me këtë sëmundje.

Meqenëse tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, Blakaj i kushton rëndësi të posaçme kësaj çështje, duke i ftuar gratë që të vetëkontrollohen, të kryejnë ekzaminimin klinik të gjirit nga një personel shëndetësor, e në rast nevoje të bëjnë edhe ekon e gjirit dhe mamografinë.

Blakaj: Kanceri i gjirit një sëmundje malinje me disa faktorë rreziku

“Kanceri i gjirit është sëmundja malinje e gjinjve, e cila lajmërohet rëndom në moshën 40-45 vjeçare. Është sëmundja malinje më e shpeshtë dhe me incidencë më të madhe tek femrat. Tek ne çka është e mirë, është se popullata jonë është e re, kështu që nuk kemi aq raste të reja sa i ka rajoni meqenëse popullata është më e vjetër. Çka e shkakton kancerin e gjirit, janë disa faktorë të riskut që mund të ndikojnë. Njëherë e kisha përmend anamnezën familjare...pastaj cikli menstrual, çrregullimi i tij mund të jetë edhe një faktorë risku, menstruacionet e hershme apo të vonshme, mbipesha, joaktiviteti fizik. Këta janë disa nga faktorët e rrezikut”, thotë ajo.

Ajo thotë se fakti se gjiri është organ që gjendet jashtë murit torakal, e bënë të lehtë për kontroll, meqenëse ndryshimet mund vërehen edhe në pamje.

Blakaj: Ka një numër ndryshimesh në gjinj që paralajmërojnë kancerin

“Ndryshimet që lajmërohen në gji mund të jenë një paralajmërim i kancerit janë: trashja e lëkurës në disa vende të gjirit, skuqja, maja e gjirit e cila hyn brenda. Krejt ato janë gjëra që femra vet mundet t’i shoh. Është mirë që çdo femër prej moshës 20 vjeçare e tutje të fillojë me vetëkontrollimin e gjinjve, i prek gjinjtë pas ciklit menstrual dhe pastaj mësohen femrat të identifikojnë se çka kanë prekur nga herët e kaluara, çka nuk është prekë deri atëherë”, thekson ajo.

Blakaj thotë se Klinika e Onkologjisë ofron të gjitha kushtet e nevojshme për diagnostifikimin e kësaj sëmundje dhe mjafton që gratë, të cilat janë më të prira të preken nga ky çrregullim i qelizave, të vizitohen me kohë tek mjeku.

Blakaj: I kemi të gjitha mundësitë për një diagnostifikim nëse gratë vijnë me kohë

“Për fat të mirë, në Kosovë e kemi edhe rezonancën e gjinjve që mund të bëhet, sepse kemi gra që janë në moshë dhe kanë gjinj të dendur ashtu që as mamografia dhe as ultrazëri nuk munden me qenë shumë të sakta. Me të vërtet i kemi të gjitha mundësitë për një diagnostifikim të mirëfilltë me kohë, vetëm nëse gratë vijnë me kohë”, thekson ajo.

Meqenëse tetori është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, ajo bënë të ditur se Klinika e Onkologjisë gjatë tërë muajit po ofron kontrolle falas për gratë që po kryejnë kontrollet në këtë klinikë.

Blakaj: Onkologjia po ofron shërbimin e ultrazërit falas për të gjitha gratë

“Meqenëse shërbimet në Klinikën e Onkologjisë janë falas, trajtimi është falas edhe me kimioterapi edhe me radioterapi, e vetmja mundësi që ne kemi mundur t’iu ofrojmë grave në këtë muaj është që ato të mos participohen për ultrazë të gjirit këtë muaj. Do të thotë e kemi bërë kërkesën, e cila është aprovuar prej drejtorisë dhe këtë muaj kontrollet janë falas me ultrazë. Është e vërtetë se ne nuk mundemi të bëjmë shumë kontrolle me ultrazë sepse jemi të ngarkuara edhe me punë në repart, por ato që i bëjmë, i bëjmë pa participim”, thotë ajo.

Ajo thotë se Kosova nuk ka tendencë të rritjes së numrit të rasteve të reja të kancerit të gjirit.

Blakaj: Nuk ka rritje të numrit të personave me kancer të gjirit

“Ne nuk e kemi regjistrin të numrit të personave me kancer të gjirit, si shtet nuk e kemi regjistrin. Por, mendoj që numri nuk është në rritje. E mira e krejt kësaj pune, edhe nëse ka raste pak më shumë, gratë po vijnë shumë më shpesh në kontrolle se përpara, mos të them para 30 viteve, ajo nuk krahasohet, por edhe para 10 viteve. Meqenëse mediat dhe shtypi, dhe të gjitha mjetet e informimit janë të angazhuara bile këtë muaj, me të vërtetë po ka efekt sa i përket vetëdijesimit të grave sa i përket ardhjes në kontroll. Tash po i zbulojmë rastet shumë më herët”, thotë Blakaj.

Tetori në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin në Botë (GLOBOCAN), kanceri i gjirit ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin gratë kudo në botë.

Ndërkaq pjesa më e madhe e vdekjeve nga kanceri i gjirit ndodhë në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare, ku shumica e grave me kancer gjiri diagnostikohen në faza të vonshme apo kur mungon vetëdijesimi mbi rëndësinë e zbulimit me kohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat