A transmetohet HIV nga përdorimi i përbashkët i tualetit apo enëve të kuzhinës?

Shëndetësia

A transmetohet HIV nga përdorimi i përbashkët i tualetit apo enëve të kuzhinës?

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 21:12
Ilustrim

Nuk mund të infektoheni me HIV nga përdorimi i përbashkët i tualetit apo pajisjeve të kuzhinës. HIV përhapet nëpërmjet lëngjeve të caktuara të trupit: gjaku, sperma, sekrecione vaginale apo rektale dhe qumështi i gjirit. Këto lloje lëngjesh zakonisht nuk gjenden në sipërfaqe publike. Edhe nëse ndodh, me siguri virusi do të ketë vdekur, duke qenë se nuk mund të jetojë gjatë jashtë trupit.

Për të njëjta arsye, ju nuk mund të infektoheni me HIV duke përdorur të njëjtat enë kuzhine, gota apo pjata. Duhet të dini që virusi HIV nuk qëndron në pështymë dhe vdes menjëherë kur është jashtë trupit.

Rrugët e transmetimit të HIV

Infektimi me virusin HIV ndodh kur lëngjet e një personi të infektuar transmetohen tek një person tjetër nëpërmjet: gjakut, spermës, lëngjeve vaginale apo qumështit të gjirit. Transmetimi i infeksionit HIV bëhet në rrugë seksuale, nëpërmjet gjakut si dhe nga nëna tek fëmija.

Transmetimi seksual (heteroseksual, homoseksual, biseksual) është rruga kryesore e marrjes së këtij infeksioni. Kryerja e marrëdhënieve seksuale pa prezervativ është faktor i madh risku për transmetimin e këtij virusi. Pasja e një infeksioni seksualisht të transmetueshëm e rrit shumë rrezikun e transmetimit nëpërmjet kësaj rruge.

Transmetimi nëpërmjet gjakut të infektuar (rruga parenterale)-marrja e gjakut të infektuar dhe nënprodukteve të tij, përbën një mundësi të madhe për transmetimin e këtij infeksioni. Shkëmbimi i shiringave, manipulimi me instrumente të ndotura është një rrugë e rëndësishme për transmetimin e infeksionit. Instrumentet që shërbejnë për shpimin e lëkurës (akupunktura, tatuazhet, shpimi i veshëve, etj), instrumentet e përdorimit vetjak (makinat e rrojës, furçat e dhëmbëve, etj) dhe instrumentet mjekësore të pasterilizuara janë burim i transmetimit të HIV nëpërmjet kësaj rruge.

Transmetimi vertikal – nga nëna e infektuar tek fëmija- mund të ndodhë para, gjatë dhe pas lindjes. Sot, fillimi i shpejtë i mjekimit me preparate antiretrovirale, lindjet me operacion, mosushqyerja e fëmijës me gji prej nënës së infektuar, e kanë minimizuar këtë mundësi infektimi.

Virusi HIV nuk transmetohet gjatë bashkëjetesës normale që mund të sjellë përdorimin e përbashkët të: dushit, vaskës, WC, peshqirit, telefonit, mjeteve të transportit publik, pishinës, frekuentimit të shkollës, etj. Po ashtu nga e puthura (jo e thellë), përqafimi, shtrëngimi i duarve, teshtitja, kollitja nuk rezulton të merret infeksioni HIV. Infeksioni nuk transmetohet përmes; ujit, ushqimit, ajrit, pickimit të insekteve apo kujdesit të kafshëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat