Pse koronavirusi po vret edhe të rinj pa probleme shëndetësore - Bota Sot
Pse koronavirusi po vret edhe të rinj pa probleme shëndetësore

Shëndetësia

Pse koronavirusi po vret edhe të rinj pa probleme shëndetësore

Më: 6 prill 2020 Në ora: 09:22
Ilustrim

Koronavirusi prek moshat e treta dhe personat me sëmundje të tjera shoqëruese, por nuk kanë munguar rastet e vdekjeve tek të rinjtë e shëndetshëm, përfshirë stafin mjekësor që është në vijën e parë të luftës.

Ekspertët po përpiqen të gjejnë arsye përse koronavirusi po merr edhe jetën e moshave të reja, të cilët nuk kanë sëmundje shoqëruese. Disa studiues besojnë se sasia e virusit që infekton një individ mund të sjellë rezultate kritike.

Ndërsa virologu Michael Skinner në Kolegjin Imperial të Londrës dyshon se mund të ndikojë përbërja gjenetike.

“Është e mundur që disa prej nesh të kenë përbërje të tillë gjenetike që e bën trupin të reagojë në formë të rëndë ndaj koronavirusit”, tha ai.

Një shembull i tillë është parë tek virusi i herpesit, që shkakton ethe dhe simptoma të dhimbshme të ftohjes. Tek disa njerëz, virusi prek qelizat e njohura si TLR3 dhe ndikon tek sistemi nervor qendror duke e penguar trupin që të reagojë ndaj efektit më të keq të virusit, raporton The Guardian.

Virusi ‘herpes simplex encephalitis’ arrin të sjellë edhe kriza epilepsie dhe konvulsione tek fëmijët.

“Kjo mund të jetë e ngjashme me mënyrën se si reagojnë disa pacientë të infektuar me Covid-19, dhe i bën të preken nga forma më e rëndë e sëmundjes”, tha virologu Skinner.

Disa të tjerë sugjerojnë se sasia e virusit që mund të infektojë një person mund të jetë një faktor i rëndësishëm që përcakton rezultatin përfundimtar. Mbetet ende për tu vërtetuar se cila është lidhja e organizmit me virusin e ri Covid-19.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat