Studimi i ri konfirmon: Ky grup i gjakut, më i mbrojtur nga COVID-19

Shëndetësia

Studimi i ri konfirmon: Ky grup i gjakut, më i mbrojtur nga COVID-19

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 10:35
Foto ilustrim

Ishte përfolur, por tashmë duket se e konfirmojnë dhe shifrat.

Të paturit e një lloji të caktuar gjaku, mund të ndihmojë në mbrojtjen ndaj koronavirusit të ri, sugjerojnë të dhënat paraprake të studimit me të fundit.

Ekspertët e kompanisë së testimit gjenetik “23andMe” zbuluan se personat me gjakun e tipit O ishin deri në 18 përqind më pak të predispozuar të testonin pozitivë nga COVID-19.

Sakaq, ata me këtë lloj gjaku që ishin ekspozuar ndërkohë ndaj koronavirusit, kishin 26 përqind më pak të ngjarë të infektoheshin prej tij. Për këtë studim, ekipi rekrutoi më shumë se 750,000 pjesëmarrës, përfshirë 10,000 që raportuan se kishin COVID. Individët qartazi më pak të predispozuar ndaj infektimit, ishin ata të grupit zero.

“Studimi dhe rekrutimet janë duke vazhduar, me shpresën se mund ta përdorim platformën tonë të kërkimit për të kuptuar më mirë dallimet në mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj virusit,” thuhet në një deklaratë të “23andMe”.

“Në fund ne shpresojmë që t’i publikojmë të plotë gjetjet tona në mënyrë që të sigurojmë më shumë njohuri mbi COVID-19 për komunitetin shkencor,” thekson kompania e testimit.

Një studim i realizuar në Kinë në muajin mars dilte në përfundimin se personat që kishin grupin e gjakut A, ishin më të rrezikuarit nga infektimi prej koronavirusit të ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat