Manual për prindërit: Si ta kuptoni që fëmija juaj është abuzuar

Shëndetësia

Manual për prindërit: Si ta kuptoni që fëmija juaj është abuzuar

Më: 17 qershor 2020 Në ora: 22:04
Ilustrim

Treguesi më i mirë i abuzimit të fëmijës është komunikimi me të nëse dikush e ka trembur, lënduar apo bërë që të ndihet keq. Shpeshherë, fëmijët nuk e tregojnë abuzimin por, nëpëmjet treguesve fizikë apo sjellorë, ju mund të kuptoni nëse bëhet fjalë për një situatë abuzuese ose jo. Treguesit nuk evidentojnë që një fëmijë është abuzuar apo jo – ato paralajmërojnë prindërit që një fëmijë mund të ketë nevojë për ndihmë.

Fëmijët mund të shfaqin vetëm disa nga këto shenja:

• Ndryshime të menjëherëshme të humorit

• Probleme me gjumin: nuk fle dot / fle shumë

• Probleme me ushqimin : ha më shumë ose me pak se zakonisht

• Probleme në shkollë: probleme me disiplinën, ulje të vëmendjes, rënie të menjëhershme në nota ose humbje të memories

• Frikë nga errësira, ëndrra, makth, trauma në gjumë

• Frikë nga një person ose vend specifik

• Izolim, depresion, ankth, tentativë për vetëvrasje

• Përdorimi i gjuhës /fjalorit seksual jo të përshtashëm për moshën

• Sjellje e tepruar seksuale me të tjerët

• Kërkon dhe krijon kontakte të papërshtashme seksuale me fëmijë të tjerë

• Fsheh karakteristikat fizike dhe tendon të mos duket tërheqës/e

• Sjellje vetëshkatërruese: përplasje e kokës, dëmtim i vetes, dëmtime gjenitale

• Çrregullime dhe shqetësime në organet gjenitale, gjakrrjedhje, skuqje, acarim, infeksione të vazhdueshme të rrugëve urinare.

• Lodhje e vazhdueshme, apati / ose agresivitet i shtuar

• Paaftësi për të bërë shokë dhe shoqe.

Nëse dyshoni për një situatë të mundshme abuzimi seksual…

Abuzimi seksual i fëmijëve në çdo formë, nga kushdo, është i papranueshëm. Nuk është e pazakontë për një fëmijë që të mohojë se kjo gjë është e gabuar, pasi kjo është një mënyrë e natyrshme për t’u përballur kur diçka mund të jetë e pakalueshme. Në disa raste fëmijët mund të tregojnë vetë që janë abuzuar seksualisht, por më pas e tërheqin deklaratën duke thënë se nuk ka ndodhur. Kjo mund të ndodhë veçanërisht nëqoftë se ka një pasojë negative apo përgjigje negative nga ana e prindërve, si psh dënimi i fëmijës ose ndarja nga familja.

Nëse ju keni dyshime për një situatë të mundshme abuzimi:

• Jini të vëmendshëm për ndonjë shenjë paralajmëruese që mund të tregojë se një fëmijë është duke përjetuar ose është në rrezik të abuzimit.

• Vëzhgoni fëmijën dhe bëni shënime me shkrim në momentin e parë që ju të filloni të keni shqetësime – kushtojuni vëmendje sinjaleve të trupit të tilla si ndryshimet në sjelljen e tyre, idetë, ndjenjat dhe fjalët që ata përdorin.

• Diskutim i butë dhe jo-gjykues me fëmijën – shprehja e shqetësimit tuaj se fëmija duket i trishtuar apo i sëmurë mund të rezultojë në dhënien e informacioneve shpjeguese.

• Mos i bëni presion një fëmije për t’u përgjigjur dhe mos bëni pyetje të forta dhe shumë të drejtpërdrejta.

• Jepi sigurinë fëmijës që të mund të vijë dhe të flasë kur ka nevojë dhe do ta dëgjoni plotësisht kur ai/ajo do.

• Mos harroni se abuzimi i fëmijëve nuk shkon larg dhe zakonisht bëhet edhe më serioz me kalimin e kohës.

• Mos harroni se mos dhënia e shpjegimeve apo dyshimeve tuaja mund të çojë në një abuzim të mëtejshëm.

Abuzimi i fëmijëve në shoqëri

Abuzimi i fëmijëve ndërpret potencialin e fëmijës për të shijuar jetën dhe për të kontribuar për jetën dhe komunitetin. Ai dëmton funksionet e familjes, bazën e saj të shëndoshë si dhe mundësitë për zhvillimin e familjes. Fëmijët e abuzuar dhe të patrajtuar mund të viktimizohen edhe si të rritur nëpëmjet përdorimit te substancave abuzuese si dhe të angazhohen në aktivitete kriminale. Si individë të rritur, ata mund të abuzojnë individë të tjerë, qofshin ata edhe fëmijë. Përdorimi i abuzimit të fëmijëve themelon dhunën dhe e shndërron atë si formë normale/të pranueshme të ndërveprimit njerëzor.

Shënim: Ky manual është botuar në kuadër të projektit “Mbrojtja e Fëmijëve nga Abuzimi Seksual në Shqipëri”, me autorë: Klodiana Thartori, MA, Rodika Goci, PhD, Rezarta Gjalpi, MA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat