Çka është Remdesiviri dhe pse po e kërkojnë të gjithë?

Shëndetësia

Çka është Remdesiviri dhe pse po e kërkojnë të gjithë?

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 21:03
Remdesiviri

Disa muaj më parë, shumë njerëz mund të mos kenë dëgjuar asnjëherë për ilaçin Remdesivir. Por, ky emër u përfshi në titujt e lajmeve në tërë botën, pasi hulumtimet fillestare treguan se mund të ketë një efekt të dobishëm te rastet e rënda të pacientëve me sëmundjen COVID-19.

Ilaçi antiviral u përmend sërish në lajme këtë javë kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se po blinin pothuajse të gjitha rezervat aktuale të tij.

Çka është Remdesiviri?

Remdesiviri i përket një klase të ilaçeve të njohura si “zëvendësim i nukleozidit”, të cilat përdoren gjerësisht në trajtimin e kancereve, viruseve dhe infeksioneve të ndryshme. Këto zëvëndësime ngjajnë me molekulat e njohura si nukleozide, të cilat ndodhen natyrshëm në trup dhe janë elemente thelbësore ndërtimi për ARN dhe ADN.

Disa viruse “mashtrohen” në përfshirjen e këtyre zëvendësimeve në materialin e tyre gjenetik. Kjo, pastaj e prish kiminë natyrale të një virusi, duke shkatërruar kështu aftësinë e tij për t’u riprodhuar dhe pengon përhapjen e tij.

A ka efekt në trajtimin e COVID-19?

Ende janë duke u bërë prova për efektivitetin e Remdesivirit në trajtimin e pacientëve me COVID-19, por ka shenja shpresëdhënëse se ilaçi është i dobishëm në trajtimin e sëmundjes, veçanërisht te pacientët në gjendje kritike.

Për shembull, rezultatet e një hulumtimi të botuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA, treguan kjo terapi ka ulur kohën e qëndrimit në spital për pacientët me COVID-19 nga 15 në 11 ditë.

Gilead, kompania bio-farmaceutike në SHBA, e cila e prodhon ilaçin, gjithashtu ka raportuar se pesë ditë trajtimi me Remdesivir ka pasur efektin e 10 ditëve në trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Më 1 maj, Administrata e Ushqimit dhe e Barnave e SHBA-së lëshoi me urgjencë lejen për përdorimin e ilaçit intravenoz për të rriturit dhe fëmijët e shtruar në spital.

Remdesivir është gjithashtu ilaçi i parë që Shoqata Evropiane e Barnave e rekomandoi për përdorim të autorizuar në BE, në luftën kundër koronavirusit. Pas, këtij rekomandimi, Komisioni Evropian njoftoi se me procedurë të përshpejtuar e ka miratuar përdorimin e këtij ilaçi. Komisionarja Evropiane për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, Stella Kyriakides, vlerësoi se miratimi është një hap i rëndësishëm në luftën kundër këtij virusi. “Kjo tregon qartë vendosmërinë e BE-së për të reaguar shpejt”, tha Kyriakides, transmeton Radio Evropa e Lirë.

A mund të sigurohet lehtë?

Para shpërthimit të pandemisë, Gilead nuk e prodhonte në mënyrë aktive Remdesivirin, por që nga ajo kohë ka rritur prodhimin dhe thotë se po punon për të zgjeruar kapacitetin. Ky prodhues kishte në plan të vinte në dispozicion më shumë se 190,000 doza trajtimi deri në fund të qershorit dhe më shumë se 2 milionë deri në dhjetor. Gilead, gjithashtu ka thënë se, nëse është e nevojshme, gjatë vitit 2021 mund të ketë disa milionë doza trajtimi në dispozicion.

Për më tepër, Gilead njoftoi se kishte nënshkruar marrëveshje me pesë kompani të tjera. Në kuadër të këtyre marrëveshjeve, Gilead do t’u sigurojë këtyre prodhuesve njohuri dhe aftësi për të mundësuar që ata të rrisin me shpejtësi prodhimin e Remdesivirit dhe ta shpërndajnë atë në 127 vende të botës, gjatë muajve të ardhshëm.

Pse SHBA-ja është e interesuar t’i blejë të gjitha rezervat e ilaçit?

Me më shumë se 2.6 milionë raste të konfirmuara me COVID-19 dhe rreth 130,000 vdekje, Shtetet e Bashkuara janë goditur më shumti nga pandemia e koronavirusit. Si pjesë e përpjekjeve për të trajtuar situatën, Departamenti i Shëndetit në SHBA njoftoi më 30 qershor se kishte blerë 500,000 doza të Remdesivir, shifër kjo që përbën praktikisht të gjitha furnizimet e mundshme për tre muajt e ardhshëm. Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Aleks Azar, e përshëndeti këtë veprim si “një marrëveshje e mahnitshme për të siguruar që amerikanët të kenë qasje në terapinë e parë të autorizuar për COVID-19”.

Vendet tjera e pritën me shqetësim këtë lajm, pasi edhe ato po luftojnë me pandeminë, dhe së shpejti mund të kenë mungesë për trajtimin e pacientëve me gjendje të rëndë.

“Ky është ilaçi i parë i miratuar, por a ekziston mekanizmi për qasje në furnizim?”, tha për gazetën Guardian, Andrew Hill, një studiues në Universitetin Liverpolit.

Bioetikologu i Universitetit të Nju Jorkut, Arthur Caplan, tha se blerja e Remdesivirit nga ana e SHBA-së, mund të pengojë përpjekjet e vendeve të tjera për të siguruar furnizimin me këtë ilaç, por ai hodhi poshtë mundësinë që kjo të ketë efekt në përpjekjet globale për të mbajtur nën kontroll sëmundjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat