Një trajtim i ri i kombinuar për të zvogëluar nivelin e urateve në diabetin e tipit 2

Shëndetësia

Një trajtim i ri i kombinuar për të zvogëluar nivelin e urateve në diabetin e tipit 2

Më: 26 gusht 2020 Në ora: 10:06
Foto ilustrim

Një kombinim mes verinuradit dhe febuxostatit redukton albuminurinë dhe hiperuriceminë te pacientët me diabet të tipit 2

Ky është rezultati i një studimi klinik të fazës II-a, të paraqitur në Kongresin Vjetor Europian të Reumatologjisë (EULAR 2019), mbajtur në Madrid.

“Ndonëse këto janë gjetje klinike të kohëve të fundit në një grup të kufizuar pacientësh, rezultatet tona tregojnë se trajtimi i kombinuar me verinurad dhe febuxostat i pacientëve me diabet, rezulton në një reduktim të shpejtë të hiperuricemisë dhe albuminurisë, mbajtur deri në javën e 24-tërt”, thotë Robert Terkeltaub (Universiteti i Kalifornisë).

Në studim janë përfshirë 60 pacientë me diabet të tipit 2 me nivele të acidit urik (sUA) prej 6.0 mg/dL ose më të larta, norma të filtrimit glomerular (eGFR) prej 30 ml/min/1.73m2 ose më të larta dhe raport albuminë-kreatininë urinare (UACR) prej 30-3.500 mg/g.

Pjesëmarrësit u randomizuan për të marrë 9 mg verinurad (frenues i transportuesit të acidit të urates URAT1 që përdoret për të trajtuar hiperuriceminë e sëmundjen e veshkave) dhe 80 mg febuxostat (frenues i xanthine oxidases, i përdorur për të ulur nivelet e urateve te pacientët me përdhes dhe hiperuricemi, si një zëvendësues për alopurinolin dhe në rastet e pamjaftueshmërisë renale), ose placebo.

Pas 12 javësh, UACR-ja u ul me 39% te pacientët në grupin e trajtimit, në krahasim me grupin placebo.

Për më tepër, ka pasur një reduktim në nivelet e sUA prej 57% në grupin e trajtimit dhe 7% në grupin placebo, një rezultat i mbajtur në javën e 24-të me 62% dhe 5% reduktim, respektivisht.

Së fundi, janë regjistruar ndryshime në eGFR, por ato janë të papërfillshme.

Ngjarjet e padëshirueshme të raportuara nga një numër më i madh pacientësh në grupin e trajtimit ishin kryesisht diarre, marramendje, nazofaringit dhe vetëm një herë përkeqësim i përdhesit në grupin e trajtimit.

Janë planifikuar studime të mëtejshme për të konfirmuar efikasitetin e verinuradit të kombinuar me frenuesit e xanthinës në reduktimin e urateve, për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes kronike të veshkave.

“Ne i mirëpresim këto rezultate pozitive dhe zhvillimin e ardhshëm klinik të kësaj strategjie të re trajtimi për uljen e urateve, veçanërisht te pacientët me hiperuricemi dhe sëmundje të veshkave”, përfundoi Hans Bijlsma, president i EULAR-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat