Humbja e flokëve, mund të jetë një tjetër pasojë e Covidit- 19

Shëndetësia

Humbja e flokëve, mund të jetë një tjetër pasojë e Covidit- 19

Më: 25 shtator 2020 Në ora: 10:23
Foto ilustrim

Annrene Rowe po bëhej gati të festonte 10-vjetorin e martesës këtë verë kur vuri re një zonë tullace në lëkurën e kokës. Në ditët në vijim, flokët e saj të trashë deri në shpatulla filluan të bien me tufa sa herë që bënte dush.”Po qaja histerikisht,” tha zonja Rowe, 67 vjeç. Znj. Rowe, e cila u shtrua në spital për 12 ditë në prill me simptomat e koronavirusit, shumë shpejt gjeti histori të ngjashme në grupet e të mbijetuarve nga Covidi-19 në internet. Shumë prej tyre treguan se disa muaj pasi morën virusin, filluan tu binin masivisht flokët.

Humbja e flokëve duket të jetë një tjetër pasojë e koronavirusit, sipas shkencëtarëve amerikanë. 

Mjekët kanë konstatuar raste në rritje të njerëzve që humbin sasi jo normale të flokëve, jo vetëm flokët, por edhe vetulla, qerpikë dhe që besohet të jetë kryesisht për shkak të stresit të pandemisë.

Shumë njerëz që sëmuren me Covid-19 dhe shërohen, edhe pas muajsh humbin sasi të mëdha të flokëve. Por fenomeni, sipas shkencëtarëve, prek edhe ata që nuk janë infektuar nga koronavirusi, por kanë rënë viktimë e stresit pandemik.

Në rrethana normale, shumë njerëz humbin flokët pas një përvoje stresuese siç janë sëmundjet, operacioni, trauma emocionale, shtatzënia, etj. 

Te disa njerëz, humbja e flokëve ndodh në mënyrë kronike, veçanërisht nëse vetë sistemi imunitar kthehet kundër gjëndrave të flokëve, i cili gjithashtu shoqërohet me stres kronik psikologjik.

Tani, jo vetëm njerëzit që shërohen nga Covid-19  përballen me rënien e flokëve pas stresit që kaluan në luftën kundër koronavirusit, por edhe shumë njerëz të tjerë që nuk u sëmurën kurrë, por ishin seriozisht të shqetësuar për humbjen e punës së tyre për shkak të karantinës, për shkak të vështirësi serioze financiare, vdekja e të afërmve, etj.

Për shembull, sipas New York Times, në një sondazh veror të simptomave që vazhdojnë pas Covid-19, nga 1.567 të anketuar që u përgjigjën, 423 raportuan humbje jashtëzakonisht të lartë të flokëve. 

Dr. Emma Guttman-Yassky, kryetarja e ardhshme e departamentit të dermatologjisë në Shkollën e Mjekësisë Icahn të Mount Sinai, tha se ajo ka trajtuar shumë punonjës mjekësorë në rreshtin e parë për humbjen e flokëve, përfshirë punonjësit e spitalit të saj.

“Disa prej tyre kishin Covid, por jo të gjithë. Është stresi i situatës. Përveç se ishin larg familjes, punuan me orë të zgjatura.”

Për shumicën e pacientëve, humbja e flokëve pritet të jetë e përkohshme, por për disa mund të zgjasë me muaj. Shkencëtarët nuk janë ende të sigurt se si stresi përfundimisht i heq flokët, por është e mundur që hormoni i stresit kortizoli të përfshihet kur është në nivele të ngritura. 

E keqja është se ndonjëherë – sidomos tek gratë – krijohet një rreth vicioz, pasi rënia e flokëve shkakton më shumë stres, i cili nga ana tjetër hedh më shumë flokë etj.

Për të vendosur një “frenim” në humbjen e flokëve ekspertët rekomandojnë, ndër të tjera një dietë të shëndetshme, marrjen e vitaminave dhe teknikave të relaksimit (masazh, yoga, meditim, etj.) ose psikoterapi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat