Infeksionet gjatë shtatzënisë, këshillat që duhen ndjekur

Shëndetësia

Infeksionet gjatë shtatzënisë, këshillat që duhen ndjekur

Më: 2 nëntor 2020 Në ora: 17:00
Foto Ilustrim

Një femër gjatë shtatzanisë kalon një kalvar problemesh psiko-fizike të cilët e bëjnë edhe më të vështirë shtatzaninë. Një ndër problemet është dhe infeksioni vaginal, i cili është mjaft i shpeshtë te gratë shtatzëna sidomos gjat tremujorit të tretë. Mimoza Keta, mjeke obstetër-gjinekologe na flet më shumë rreth këtyre infeksioneve, shenjëave të tyre si dhe trajtimit.

Zonja Keta, cilët janë infeksionet më të zakonshme te një femër gjatë shtatzanisë?

Kemi disa lloje infeksionesh, por infeksionet vulvo-vaginale nga myku/kandida, janë infeksionet më të zakonshme që prekin gratë gjatë periudhës së shtatzanisë. Ka shumë faktorë apo situata që mund të rritin rrezikun për kandidozë dhe një nga këto është edhe përdorimi i gjerë dhe pa kufi i preparateve antibiotike me përdorim të vazhdueshëm dhe pa kriter.

Çfarë faktorësh ndikojnë në shkaktimin e këtyre infeksioneve?

Faktorët e rrezikut për kandidozën vulvo-vaginale gjatë shtatzanisë apo edhe jashtë saj, mund të jenë; terapia me antibiotikë, intoleranca ushqimore, mungesa e sistemit imunitar, stresi i zgjatur, përdorimi i letrës higjenike aromatike dhe i solucioneve jo të përshtatshme për higjenën personale, larja në pishina të klorifikuara, larje shumë të shpeshta të vaginës, përdorimi i veshjeve të shtrënguara dhe që nuk ajrosin mirë trupin, përdorimi i veshjeve intime sintetike apo prej materiali që rritin temperaturën lokale dhe perineale si dhe lagështinë vaginale, përdorimi i kontraceptivëve oralë me përmbajtje të lartë të estrogjenit, trajtimi me kortizonikë, menstruacionet etj. Rëndom si shkaktarë të infeksioneve vulvovaginale nga kandida përcaktohet candida albicans. Por edhe prania e specieve të tjera jo albikans si candida tropicalis apo candida glabrata, janë shkaktar të mykut vulvo-vaginal. Megjithatë, kandida albikans mbetet përgjegjëse kryesore e rreth 85-90% të infeksioneve vaginale mykotike. Kjo e dhënë është shumë e rëndësishme, sepse myku nga kandida jo albikans është më rezistent në trajtimin me terapi antimykotike.

Përse shfaqet në organizëm?

Kandida zakonisht është e pranishme në mënyrë normale, në koncentrim të ulët në zorrët e njerëzve dhe nuk shfaqet me shenja klinike. Rritja e saj mbi kufijtë normalë, favorizohet nga dietat e pasura me sheqer, nga konsumimi i alkoolit dhe në disa raste nga alergjitë ushqimore. Krijohet kështu një mundësi, që çon në ritjen e koncentrimit të kandidës. Nga zorrët kandida kalon nëpërmjet zonës perineale në vaginë, ku gjen kushte të favorshme te gratë e predispozuara. Kandida mund të shfaqet në dy mënyra; me simptoma dhe pa simptoma. Infeksionet me simptoma janë më të shpeshta tek gratë shtatzëna. Gjithashtu kjo sëmundje edhe pse mund të trajtohet, shpeshherë paraqet mundësinë e përsëritjes. Gjatë shtatzanisë, një infeksion mykotik i cili ka qënë pa simptoma, ka mundësi që të shfaqet për shkak të ndryshimeve hormonale në shtatzani. Kjo shfaqje është më e dukshme në tremujorin e tretë të shtatzënisë. Shfaqja e vulvo-vaginitit simptomatik nga kandida, vërehet shpesh edhe gjatë përdorimit të antibiotikëve të marrë nga goja. Kjo ndodh sepse antibiotikët prishin ekuilibrin e florës normale të zorrëve dhe vaginës. Një faktor i rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë, për shfaqen e kandidozës, është edhe stresi. Gjendja e stresit, gjithashtu është shkak edhe për gjenerimin e infeksionve mykotike nga gjendja asimptomatike në simptomatike.

Cilat janë simptomat e këtij infeksioni?

Infeksionet nga kandida mund të jetë të bezdisëshme, por asnjëherë të rënda. Simptomat dhe shenjat janë të njohura mirë dhe shpesh vetëm me vizitë gjinekologjike, është e mundur për të bërë një diagnozë të saktë. Mjeku vë re infeksion të mukozave vulvo-vaginale edhe zonës për rreth anusit. Këto zona paraqiten të skuqura, të fryra dhe kruarje.

Simptomat tipike të kandidozës vulvo-vaginale janë;

Paraqitja e papritur, – kruarje dhe djegie intensive rreth vaginës, vulvës, perineumit dhe ndonjëherë anusit, – shtim i sekrecioneve vaginale, të dëndura, kremoze me ngjyrë të bardhë në të verdhë, shpesh të ngjashme me qumëshin e prishur pa erë, – fryrje në zonën e vulvës, – dhimbje gjatë urinimit apo marrëdhënieve seksuale.

Si diagnostikohet kandidoza vulvo-vaginale?

Nëse gruaja shtatzënë nuk ka patur infeksione vaginale të mëparshme, me shfaqen e simptomave duhet të paraqitet menjëherë te mjeku. Vulvo-vaginiti nga kandida mund të shoqërohet edhe me një vaginit të shkaktuar nga bakteriet ose organizma të tjerë. Kjo është arsyeja thelbësore që gruaja shtatzënë duhet të drejtohet sa më shpejt te mjeku dhe nuk duhet të vetë diagnostikohet dhe të vetë mjekohet. Aspekti klinik i kandidozës duhet vërtetuar me ekzaminim mikroskopik ose kulturë të sekrecioneve vaginale.

Transmetohet infeksioni mykotik te bashkëshorti/partneri?

Është e mundur që transmetimi të realizohet nga gjitha llojet e marrëdhënieve seksuale. Kjo do të thotë se kur gruaja trajtohet nga kandidoza, paralelisht duhet të trajtohet edhe bashkëshorti apo partneri seksual. Raportet seksuale deri në shërim të plotë, nuk duhet të bëhen ose mund të bëhen të mbrojtura (me prezervativ).

Çfarë mjekimi mund të rekomandohet për të trajtuar kandidozën?

Trajtimi i kandidozës/mykut vaginal bëhet me antimykotikë. Duhet theksuar se terapitë lokale me antimykotikë, mund të përdoren edhe në tremujorin e parë të shtatzanisë pasi nuk ka efekte anësore. Preparatet antimykotike nga goja, nuk janë të rekomanduar të përdoren gjatë kësaj periudhe. Problem mbetet trajtimi i kandidozave të përsëritura. Në këto raste duhen ndjekur këshillat e mjekut gjinekolog, për të përsëritur trajtimet që zgjatin një deri dy ditë.

A ka rreziqe për fëmijën dhe cilët janë ato?

Prania e kandidozës paraqet një rrezik shumë të lehtë për lindje parakohe. Gjatë shtatzanisë nuk paraqiten probleme te bebi, përveç rasteve kur kandidozat janë mjaft të rënda. Fëmija mund të infektohet kur kalon në rrugët e lindjes. Nëse infektohet, ndodh që t’i dalin në gojë njolla të bardha të ngjashme me pikat e qumështit. Në këto raste, duhet një ndërhyrje e shpejtë mjekësore, por trajtimi është mjaft i thjeshtë dhe aspak problematik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat