Covid-19 lë pasoja edhe tek të miturit, studimi që ka ngritur shqetësim në Britani

Shëndetësia

Covid-19 lë pasoja edhe tek të miturit, studimi që ka ngritur shqetësim në Britani

Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 15:54
Foto ilustrim

Në fillim të pandemisë, ekspertët thanë se fëmijët kanë më shumë të ngjarë të goditen nga një autobus sesa të vuajnë pasoja të rënda nga virusi, si një krahasim për të treguar se mund të ndodhë shumë rrallë.

Por, historia e publikuar nga mediat britanike me dy djem ka ngritur dyshime dhe tanimë ekspertët thonë se edhe fëmijët mund të vuajnë pasoja afatgjate.

Në muajin prill, Toby dhe Josh kishin patur kollë dhe temperaturë por fillimisht familjarët nuk ishin shqetësuar. Pak ditë më pas djemtë 6 dhe 7 vjeç u shtruan në spital për shkak të temperaturës së lartë deri në 40 gradë. Pas trajtimit dy javor ata dolën nga spitali të shëruar.

Tanimë, pas 7 muajve prindërit e fëmijëve kanë raportuar se djemtë ende po i vuajnë pasojat. Sipas tyre, fëmijët flenë gjumë vazhdimisht, nuk janë në gjendje fizike për të shkuar në shkollë, kanë filluar të belbëzojnë dhe ankohen për dhimbje koke.

Sipas ekspertëve, Toby dhe Josh, të cilët nuk kishin probleme të mëparshme shëndetësore, mund të jenë bërë viktimat e rradhës të Long-Covid.

Long-Covid, sipas ekspertëve, lidhet me simptomat afatgjate të koronavirusit, të cilat zgjasin me muaj të tërë pas infeksionit. Mjekët britanikë thonë se janë me dhjetra të mitur, që po raportojnë probleme të tilla, ndërkohë që gjatë analizave dhe kontrolleve të tjera mjekësore nuk rezulton se ata kanë ndonjë sëmundje.

Problemet ndryshojnë nga rasti në rast dhe ndryshe nga të miturit, të rriturit raportojnë lodhje kronike, probleme me frymëmarrje, rrahje të shpeshta të zemrës dhe gjendje depresive.

Ekspertët thonë se duhet bërë studime për të parë me detaje se çfarë pasoja ka koronavirusi tek fëmijët. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat